VOAL

VOAL

‘New York Times’: Protestuesit opozitarë dalin në rrugë kundër varfërisë

December 8, 2015

Komentet

Qori: Shabani u bë Avokat i Popullit si pjesë e një marrëveshjeje Rama-Berisha

Arlind Qori, kryetar i “Lëvizja Bashkë”, deklaron se Endri Shabani u bë Avokat i Popullit si “pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë Rama-Berisha”, që, sipas tij, “do prekë edhe Reformën në Drejtësi”.

“Endri Shabanin nuk e ka bërë Avokat Populli vetëm Edi Rama. E ka bërë Edi Rama me Sali Berishën dhe kjo është pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë Rama-Berisha, që do prekë, kam frikë unë, Reformën në Drejtësi, për t’i pamundësuar SPAK-ut që të pezullojë nga detyra dhe të marrë masa paraburgimi për politikanët e korruptuar”, tha Qori.

“Endri Shabani, sot që flasim, është anëtar i një koalicioni ku bën pjesë edhe zoti Berisha e të gjitha partitë e tjera opozitare, përveç “Lëvizjes Bashkë”. Kur kandidoi zoti Binaj, Shabani, Lapaj dhe Berisha ishin pjesë e një koalicioni. “De facto” e kanë në koalicion të gjithë, mund ta shajnë sa të duan, por e kanë në koalicion. Aleanca është faktike dhe nuk e kuptoj këtë hipokrizinë e gjithanshme për të thënë që nuk kemi të bëjmë me këtë person. Shabani u zgjodh me votat e dyshes Rama-Berisha”, shtoi Qori në “Terminal” në A2CNN.

E papranueshme që grupi parlamentar i PD-së të shërbej si “fermë surrogacie” Nga Bislim Ahmetaj

Pjesë nga fjala e Bislim Ahmetajt në kryesinë e PD-së.

Doktor ju duke qënë politikan profesionist dhe me përvojë të gjatë, jeni gjithmonë i kujdesshëm dhe ashtu siç flisni me fjalë, flisni edhe me gjeste për publikun.

Sot e paske nxjerrë Flamurin në krah të majtë, ndryshe nga takimet e tjera ku ai i çel mbledhjet, i jep dhe ja heq fjalën cilitdo në këto mbledhje.

Ndërsa zoti Bardhi nuk e di se për çfarë arësye mungon sot (ishte në Amerikë) i paske lënë vendin bosh në krahun tuaj të djathtë.

E përshendes dhe e vlerësoj me shumë respekt afrimin e dorëheqjes së zotit Gjekmarkaj, këtë veprim duhet ta kryej edhe Sekretari i Përgjithshëm dhe kreu i Grupit Parlamentar, për shkak të organizimit krejtësisht të ç’organizuar dhe anarkisë që është krijuar në lidershipin e PD-së prej muajsh.

Njëra prej arësyeve se pse ata duhet të japin dorëheqje është edhe dhënja e firmave “pa doganë” për një zog të rritur në stabilimentin e Xhorxh Sorosit.

Është e papranueshme që grupi parlamentar i PD-së të shërbej si “fermë surrogacie” për të prodhuar drejtues të institucioneve të pavaruara nga ferma e Sorosit me firmat e deputetëve demokrat.

Ky nuk ishte një gabim, ky është një faj dhe fajet ndëshkohen, nuk shërohen me ndjesa fb-je.

Doktor ju me dashje, apo pa dashje i keni fut në të njëjtin thes si mercenarët edhe misionarët.

Ai që ishte mercenar dje është shndërruar në misionar sot dhe anasjelltas…

…Për t’i dhanë zë, fuqi dhe besim protestave, duhet sa më shpejt të jetë e mundur të thërrasim Këshillin Kombëtar, i cili ka tagrin të marrë vendimin për drejtimin që duhet të marrë Partia Demokratike.

Që të jemi të besueshëm para Këshillit Kombëtar duhet t’ju shkojmë atyre me dorëheqjen e Sekretarit i Përgjithshëm dhe Kryetarit të grupit Parlamentar si dhe atë të z. Agron Gjekmarkaj i cili lirisht dhe me vullnet të lirë ja afroj kryesisë…

Media në SHBA: Departamenti Amerikan i Shtetit hesht teksa Shqipëria rikthen në detyrë zv.kryeministren e akuzuar për korrupsion

Departamenti Amerikan i Shtetit ka refuzuar deri tani të komentojë mbi krizën në rritje të korrupsionit që ka përfshirë Shqipërinë, një aleate e rëndësishme e SHBA-ve në rajonin e Ballkanit.

 

Sipas raportimeve, pas vendimit të një gjykate shqiptare për largimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, nën akuzat për ndërhyrje në dy tenderë ndërtimi, kryeministri socialist Edi Rama e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit vendosi të premten rikthimin e Ballukut në detyrë deri në marrjen e një “vendimi përfundimtar”.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ngriti më 31 tetor një akuzë penale ndaj Ballukut, duke pretenduar se ajo ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të favorizuar një kompani në një tender për ndërtimin e një tuneli 3.7 milje në jug të Shqipërisë, raporton Reuters. Një tjetër akuzë u shtua më 21 nëntor, lidhur me shkelje të rregullave në një projekt ndërtimi rrugor në Tiranë, ditë në të cilën Balluku u shkarkua nga detyra.

Një ditë para paraqitjes në gjykatë, Balluku deklaroi në Kuvend se akuzat ndaj saj ishin “baltosje, insinuata, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”. Si anëtarja e dytë e kabinetit Rama që përballet me akuza korrupsioni që prej vitit 2023, çështja e saj ka nxitur reagime të forta nga opozita.

Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA dhe në OKB, i tha Fox News Digital se rasti Balluku tregon se “qeveria Rama nuk shfaq asnjë shenjë për të marrë përgjegjësi morale apo për t’i lënë drejtësisë hapësirë të veprojë në mënyrë të pavarur”. Sipas tij, ekzekutivi po përpiqet ta mbrojë Ballukun, duke i paraqitur veprimet e gjyqësorit si një sulm ndaj qeverisë.

Nesho shtoi se ndikimi mbi Gjykatën Kushtetuese mund të jetë një përpjekje për të krijuar një precedent mbrojtës, i cili mund t’i shërbejë kryeministrit Rama nëse hetimet do ta përfshijnë edhe atë në të ardhmen.

“Po bëhet gjithnjë e më e qartë se perandori nuk ka rroba”, u shpreh Nesho, duke e cilësuar qeverisjen e Ramës si “kapje të shtetit”, ku mungesa e balancave ka lejuar një sistem të përsëritur korrupsioni gjatë disa mandateve. Ai pohoi gjithashtu se Balluku ka lënë të kuptohet për një përfshirje më të gjerë të qeverisë Rama në vendimmarrje.

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili u largua nga vendi pasi ra nën hetim nga SPAK, ka deklaruar gjithashtu se Rama “ka drejtuar të gjitha vendimet kyçe për tenderët, financat dhe asetet publike”, sipas Neshos. Ahmetaj ka hedhur edhe akuza për lidhje të Ramës me bosë mafiozë, të cilat kryeministri i ka mohuar, duke deklaruar se Ahmetaj “nuk duhet marrë seriozisht” dhe se “politika shqiptare nuk është e lidhur me mafien”.

SHBA-të kanë financuar reforma në drejtësinë shqiptare për të ndihmuar procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, këto reforma kanë sjellë edhe vonesa në sistemin gjyqësor, duke shkaktuar pakënaqësi dhe protesta publike.

Sipas Neshos, “është e vështirë të imagjinohet se si një qeveri që sillet si një republikë bananesh mund të anëtarësohet në BE”. Ai shtoi se opozita e Ramës është “dobësuar nga përdorimi i drejtësisë për qëllime politike”, ndërsa kryeministri vazhdon të qëndrojë në pushtet pavarësisht skandaleve të dokumentuara shumë-miliardëshe të korrupsionit, manipulimeve zgjedhore dhe lidhjeve të pretenduara me kartele ndërkombëtare droge, përfshirë Kartelin Sinaloa.

Këto pretendime dolën në pah pas një takimi të Ramës me Luftar Hysën, një person i lidhur me Kartelin Sinaloa dhe i sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Thesarit. Rama ka deklaruar se është takuar vetëm një herë me të.

Pas largimit dhe rikthimit të Ballukut, Nesho tha se zemërimi publik nuk drejtohet vetëm ndaj saj, por edhe ndaj një regjimi që, sipas tij, qeveris pa llogaridhënie. Ai shtoi se shumë qytetarë i kanë vendosur Ramës nofkën “Ramaduro”, në krahasim me diktatorin venezuelian Nicolás Maduro.

Zyra e shtypit e kryeministrit Rama i tha Fox News Digital se nuk ka komente mbi akuzat e Neshos.

Në maj të vitit 2021, Departamenti Amerikan i Shtetit sanksionoi ish-kryeministrin Sali Berisha për korrupsion, duke i ndaluar hyrjen në SHBA. Fox News Digital pyeti Departamentin e Shtetit nëse po shqyrtohen sanksione të ngjashme edhe për Ballukun.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit u përgjigj: “Nuk kemi koment për çështje ligjore në proces.” E njëjta përgjigje u dha edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë, lidhur me pyetjen nëse do të pezullohej viza e Ballukut. Panorama

“Tirana, kryeqyteti më i errët në botë, me shtëpi të shkatërruara me tulla të kuqe”- Reportazhi i panjohur i gazetarit amerikan më ’71

Publikohet një shkrim i gazetarit amerikan, Robert Kroon, i cili për 60 vite shërbeu si reporter i rrjetit NBC, duke shkuar në disa vende të botës, ku kishte vatra të nxehta luftërash e konfliktesh si në Kongo, etj., dhe në vendet komuniste të Evropës Lindore, si p.sh. në 1956-ën ku ndoqi ngjarjet e Hungarisë, në 1968-ën në Çekosllovaki, ku pasqyroi agresionin ushtarak me futjen e tankeve sovjetike në Pragë, etj.

 

Aventura shqiptare në verën e vitit 1971, e Kroon, i cili pasi ishte pajisur me një pasaportë hollandeze, mundi që të vizitonte Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, duke u ‘infiltruar’ në një grup të huaj turistësh, marksistë-leninistë.  Si e pasqyroi ai në shkrimin e tij, vendin e vogël komunist të Ballkanit, apo siç e quan ai “Vendi i shqiponjave” i cili pak ditë më pas, më datën 6 shtator 1971, u botua në gazetën TIME, me titullin “Frika është ajo që ruan vreshtin”!

Frika është ajo që ruan vreshtin

6 Shtator 1971

“Unë mendoj se e kemi humbur Shqipërinë”, i deklaroi Nikita Hrushovi një delegacioni kinez në vitin 1961, “dhe ju keni fituar një aleat të rëndësishëm”. Hrushovi, natyrisht, ishte duke bërë shumë sarkazëm, pasi shefi i Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha, doli në krah të kinezëve kundër revizionistëve sovjetikë. Që prej asaj kohe, Shqipëria ka qenë miku i vetëm i Kinës, në Evropë. Dhe për dekadën e fundit ajo ka qenë po aq e zemëruar dhe e izoluar sa vetë Pekini.

Tani, duke ndjekur shembullin e Kinës, Shqipëria gradualisht po shikon për t’u hapur me jashtë. Ajo ka vendosur marrëdhënie tregtare dhe diplomatike me fqinjët e saj, Greqinë dhe Jugosllavinë dhe me një listë në zgjerim të kombeve të tjera të Evropës Perëndimore. Madje po ndërton disa hotele turistike për ata që duan të shohin socializmin në skenë. Shumica e amerikanëve janë ende të ndaluar, por Robert Kroon për TIME, mundi të udhëtojë me një pasaportë hollandeze dhe vizitoi kohët e fundit “vendin e shqiponjave”, siç e quajnë shqiptarët dhe dha këtë raport:

TIRANA (popullsia 190.000) është ndoshta kryeqyteti më i errët në botë. Është një qytet i shtëpive të shkatërruara, me tulla të kuqe të zbehta, të zbukuruara ndonjëherë në ndërtesa apartamentesh të verdha ose blu të venitura dhe me fasada të ashpra, tezga druri në qoshe rrugësh, që shesin fruta, pije freskuese dhe ëmbëlsira, te disa dyqane sheh që shfaqin më shumë parulla se mallra…!

Kafenetë janë mbushur me punëtorë me këmisha me mëngë të përveshura, që pinë kafe dhe kalojnë kohën në biseda të pafundme, në kundërshtim të dukshëm me kredon e punës, së palës komuniste. Ky vend, është një parajsë për këmbësorët. Shqipëria është ndoshta vendi më i panjohur në botë. Njerëzit janë të dyshimtë, kuriozë, pa buzëqeshje, dëshmi për efektivitetin e motos së Partisë së Enver Hoxhës, “Frika është ajo që ruan vreshtin”.

Moda perëndimore nuk tolerohet. Pasi në mënyrë të zhurmshme, zyrtarët doganorë, me uniformë të gjelbër kanë përfunduar kontrollet e tyre, vizitorët që mbërrijnë në të vetmin aeroport, me një pistë,  këshillohen menjëherë që Shqipëria socialiste nuk toleron, flokët e gjata, pantallona të shkurtra, ose dekoltetë e hapura. “Ne nuk kemi nevojë për drogëra, flokë të gjata ose muzikë xhaz”, – i tha një student shqiptar i guidës, një maoisti italian, në grupin tonë, të veshur sipas modës, por mjaft i zhgënjyer, sepse ai kishte veshur këmishën e tij alla Via Veneto, xhinse të ngushta dhe rripin e gjerë.

“Një socialist nuk vishet si një kauboj amerikan”. Një vajzë suedeze, e cila doli nga hoteli i saj, buzë plazhit me pantallona të shkurtra, në një ditë përvëluese, e mori këtë mesazh edhe më të fort, kur një tufë puritanësh të përkushtuar nga një kamp rinor i Partisë aty pranë, e ndaluan dhe e qortuan rëndë.

Tirana ishte pika jonë e mbërritjes, po udhëtonim me një minibus kinez, që ecte 100 km. në orë, një produkt i Tientsin Motor Works. Drejtuesi ishte mjaft ekspert, arriti të mbajë shpejtësinë mesatare, ndërsa shmangte gropat, njerëzit, qerret, gomarët dhe kamionët. Makinat e vetme të pasagjerëve, u përkasin zyrtarëve të partisë ose diplomatëve.

Ambasadori kinez, drejton një “Mercedes”, ai vietnamezo veriore, një “Alfa-Romeo” sportive. Një tipar i përbashkët i peizazhit janë, fushat e kodrat e gjelbërta bregdetare, që ngrihen në malet e mbuluara me shkurre. Në brendësi të tyre, është një mori parullash të Partisë, të vendosura në muret e shtëpive të fermave, në oxhaqet e tymrave. Njëra ishte e përbërë nga gurë të bardhë, të lyer me gëlqere, 100 metra e lartë dhe e shtrirë përtej një mali. Mesazhi është gjithmonë i njëjtë: “Lavdi Partisë së Punës së Shqipërisë”, ose “Rroftë Shoku Enver”, një referencë për udhëheqësin e kudogjendur të Shqipërisë.

“Hapat të mëdha përpara”. Hoxha, një hero i rezistencës së Luftës së Dytë Botërore të Shqipërisë, kundër okupimit italian dhe gjerman, është një kandidat i mirë për titullin e sundimtarit më autokratik të botës. Megjithatë, pas 25 vitesh nën tutelën e tij, Shqipëria ka përparuar nga prapambetja feudale dhe varfëria, në një shoqëri parazitare me ushqim të mjaftueshëm, veshje, strehim dhe kujdes mjekësor falas, për dy milionë njerëzit e saj.

Arritjet e tij, janë hapa gjigantë, përpara për shqiptarët, por janë me dhimbje modeste për standardet perëndimore, Para Hoxhës, nuk kishte fare hekurudha, tani një rrjet hekurudhor modest, lidh qytetet kryesore të vendit. Dikur 90 përqind analfabetë, Shqipëria tani mund të pretendojë shkolla për fëmijë, të rritur dhe një universitet në Tiranë. Kënetat janë tharë, janë instaluar kanale ujitje dhe kooperativat bujqësore, që i mbajnë shqiptarët të ushqyer duke kultivuar çdo metër katror të tokës së punueshme. Për më tepër, plani aktual pesë-vjeçar, ka sjellë energji elektrike në çdo rreth rural, kryesisht falë hidrocentralit gjigant të ri “Mao Ce Dun”.

Kina ka paguar një çmim të lartë, për aleatin e saj, të cilit i është dashur ta ndihmojë, që kur Rusia tërhoqi teknikët e saj, pas ndarjes së vitit 1961 në mes Tiranës dhe Moskës. Ndihma kineze që nga ajo kohë është vlerësuar në 100 milion dollarë ose dhe më shumë. Edhe sende të tilla të thjeshta si shkrepëset dhe llambat, janë dërguar në rrugë detare, përgjatë Kepit të Shpresës së Mirë, nga Shangai. Shqipëria është e pasur me minerale si krom, nikel dhe bakër, por kuptohet se është e varfër në industri. Projekti më spektakolar kinez, është një fabrikë e gjerë tekstili në Berat, ku punëtorët punojnë një javë pune të plotë, pa kuptimin 48 orë, gjashtë ditë për një pagë minimale prej 600 lekësh (70 dollarë) në muaj – 100 lekë më shumë, se punëtorët e ndonjë fabrike diku tjetër.

Një drejtor zakonisht fiton dyfishin e kësaj shume, megjithëse punonjësi i shtetit më i paguar, vetë Hoxha, merr në shtëpi një pagë vetëm 2.000 lekë (240 dollarë) në muaj. Punëtorët në pension (burra me moshën 60 vjeç, dhe gratë 55) marrin 70 përqind të pagës së tyre të mëparshme. Nëse një punëtor arrin të marrë një apartament të ndërtuar nga shteti, ai paguan atë që është sigurisht qiraja më e ulët e Evropës, nga 2.50 dollarë në 6 dollarë në muaj.

Sendet e  tjera, megjithatë, nuk janë gati aq të lira dhe luksi më i dëshirueshëm nga të gjithë, një biçikletë kineze, kushton sa paga e një muaji. Orët, frigoriferët, lavatriçet, dhe pajisjet televizive, janë përtej mundësive të një punëtori mesatar. Por Enver Hoxha mund të mburret se: “Shqipëria është i vetmi vend në botë, pa taksa” (të ardhurat e qeverisë sigurohen nga fitimi në fabrikat shtetërore, kooperativat e fermat, eksportet, dhe ndihmat kineze).

Pavarësisht mënyrës së ashpër të jetës shqiptare, të paktën disa shqiptaro-amerikanë, ju bë e mundur  për të vizituar të afërmit  (këta ishin një komunitet shqiptaro-amerikan, me 100.000 anëtarë në SHBA, rreth gjysma e të cilëve, jetojnë në zonën e Bostonit, ishin të vetmit vizitorë amerikanë, që lejoheshin të vinë të vizitojnë të afërmit). “Familjarët e mi në Korçë, kanë një çati mbi kokë, kanë një ekonomi sa për të ngrënë, dhe ata prapëseprapë e pëlqejnë Hoxhën”, tha një prej tyre. “Mund të mos jetë parajsë, por është një shoqëri e mirë-disiplinuar, krenare, pa hile, pa kriminelë, pa drogaxhinj dhe maniakë të seksit.

Pjesa më e madhe e refuzimit të Shqipërisë, nga ndikimi i jashtëm buron nga një nacionalizëm i ashpër. Siç shprehej një herë Hoxha: “Shqiptarët kanë çarë rrugën e tyre përmes historisë, me shpatë në dorë”. Ata zakonisht binin pre e pushtuesve të shumtë dhe vetëm në këtë shekull, kanë qenë nën sundimin e turqve, austro-hungarezëve, italianëve, grekëve dhe gjermanëve. Në fakt, përveç një periudhe të shkurtër midis Luftërave Botërore, kur ajo drejtohej nga Mbreti feudal, Zog, Shqipëria nuk kishte qenë e pavarur që nga shekulli i 15-të.

Ndoshta historia e saj siguron një ndjenjë farefisnie, me kinezët historikisht ksenofobë. Por edhe përtej kësaj, shqiptarëve duket se u pëlqen prania e rreth 1000 deri në 1500 banorëve, civilë kinezë, kryesisht diplomatë dhe teknikë. “Ata nuk e imponojnë veten si rusët”, tha një anëtar i partisë në Tiranë. “Sovjetikët që jetonin këtu, bënin jetë luksi. Ata, fitonin 10 herë më shumë se kolegët e tyre shqiptarë. Kinezët marrin të njëjtën pagë si ne dhe nuk kërkojnë të jetojnë në vendet më të mira”!

Me sa duket, shqiptarët do të kenë një mikpritje miqësore, kur Kryeministri Kinez Chou En-Lai të vijë në një vizitë zyrtare këtë vjeshtë. Por ata e kanë treguar veten e tyre, më pak se lajkatarë vetëm në një aspekt. ​​Prania e Pekinit nuk ka sjellë deri më tani në Shqipëri, hapjen e asnjë restoranti kinez. /Memorie.alNga Robert Kroon

DW: Po planifikon që të nxjerrë katër vende nga unioni? Si do të veprojë SHBA në të ardhmen në Europë?

Nga një rrjedhje informacioni nga drafti i strategjisë së sigurisë së SHBA-së, duket se qeveria amerikane përpiqet të përçajë BE-në. Me gjasë SHBA planifikon që të nxjerrë katër vende nga unioni. Sa realiste është kjo?

Marrëdhëniet transatlantike janë cënuar fort që me ardhjen në pushtet të Donald Trumpit. Publikimi i Strategjisë Kombëtare të Sigurisë (NSS)më 4 dhjetor 2025 u kuptua nga shumë politikanë europianë si një fyerje e hapur. Në dokumentin e strategjisë, që çdo qeveri e SHBA-së duhet t’ia paraqesë kongresit, qeveria Trump e përshkruan Europën si një kontinent në rënie. Shprehimisht bëhet fjalë për një “censurë” ndaj lirisë së shprehjes së mendimit në Europë, një “shtypje të opozitës politike” dhe një “shuarje të mundshme të civilizimit” për shkak të politikës aktuale të migracionit.

Por ndërkohë ka rrjedhur informacion nga një pjesë e papublikuar e dokumentit NSS, që është edhe më i ndërlikuar – dhe përmban më shumë detaje, se si do të veprojëSHBAnë të ardhmen në Europë. Drafti parashikon, që duhet të intensifikohet bashkëpunimi i SHBA-së veçanërisht me Italinë, Austrinë, Poloninë dhe Hungarinë, “me qëllim për t’i shkëputur ato [nga Bashkimi Europian]”, citon portali i SHBA-së Defense One, draftin të cilin pretendon se e ka lexuar. E pyetur nga Portali Defense One Shtëpia e Bardhë e ka mohuar ekzistencën e një drafti të tillë.

Sidoqoftë:A po përpiqet SHBA ta përçajë Bashkimin Europian? Përse pikërisht ka përpjekje për afrim me këto katër vende të BE-së?

Hungaria, Austria, Polonia, Italia
Më pak surprizuese në këtë listë është Hungaria. Kryeministri Viktor Orban dhe presidenti Donald Trump konsiderohen aleatë të ngushtë. Orban e ka mbështetur Trumpin gjatë fushatës elektorale më 2016 – asokohe si i vetmi kryeministër nga BE. Të dy e dinë, se çfarë kanë të përbashkët. Orbani vazhdimisht me qendrimet e tij destabilizon BE-në duke e dobësuar një institucion, ndaj të cilit Trump ka mosbesim të madh.

Orbani nga ana e tij gëzohet për mbështetjen politike prej superfuqisë. Me gjasë SHBA i ka ofruar Hungarisë, ngjashëm si Argjentinës së fundi, një “mburojë financiare” prej 20 miliardë dollarësh – Ekonomia e Hungarisë kohët e fundit po dobësohet dhe financimet e rëndësishme nga BE janë pezulluar. Në një intervistë aktuale me Politico Trump nuk kujtohej më të ketë bërë një premtim të tillë. Por ka pasur bisedime për një bashkëpunim financiar. Trump është vazhdimisht i gatshëm, që ta ndihmojë – siç e quan ai – “great friend”, shokun e tij të madh.

Edhe kryeministren e Italisë Giorgia Meloni dhe partinë e saj post-fashiste Fratelli d’Italia e vlerëson presidenti i SHBA-së. Megjithatë Daniel Hegedüs, drejtor rajonal për Europën Qendrore në German Marshall Fund of the United States, mendon se është një “keqkuptim” i qeverisë amerikane, se Meloni mund të dalë kundër BE-së. Sepse ndonëse Meloni ka një afërsi botëkuptimi me Orbanin, ajo nuk është bërë një ndër bllokueset në BE, por ka një qëndrim mjaft pragmatik: Askush tjetër nuk e ka kuptuar më mirë se Meloni, se çfarë i sjell vendit të saj një BE e qendrueshme dhe funksonuese, thotë për DW Hegedüs.

Poloniadhe Austria ndonëse aktualisht nuk kanë qeveri populiste të djathta, deri para pak kohësh të dy vendet kanë pasur në pushtet parti të djathta euroskpetike, që vazhdojnë të kenë influencë të madhe. Në zgjedhjet e fundit në Austri Partia e Lirisë (FPÖ) doli forca më e madhe dhe kryeson sondazhet aktuale. Në Poloni në verë me Karol Navrockin i fitoi zgjedhjet presidenciale kandidati i partisë konservatore të djathtë Ligj dhe Drektësi (PiS). Eshtë e mundur, që qeveria Trump në të dy këto vende së shpejti mendon se mund të ketë sërish mundësi më të mëdha influence.

Përse jo Sllovakia dhe Çekia?
Vëzhguesit mund t’i habisë fakti, që në listën e vendeve nuk përfshihen Republika Çeke dhe ajo Sllovake. Në Çeki në tetor fitoi zgjedhjet parlamentare partia populiste e djathtë ANO e miliarderit Andrej Babis dhe ka krijuar koalicion me parti gjithashtu të djathta si: Partia e Shoferëve (Motoriste) dhe me atë të ekstremit të djathtë Liria dhe Demokracia Direkte (SPD).

Sllovakia që nga vitit 2023 është spostuar djathtas me qeverinë e Robert Ficos.Partia e tij nominalisht socialdemokrate dhe faktikisht në pjesën më të madhe nacionalsite e djathtë Smer-SD së fundi u përjashtua nga radhët e partive socialdemokrate të Europës (SPE). Të dy Babis dhe Fico, janë skeptikë ndaj BE-së, të dy kanë potencialin që të nxisin kaos në vendimmarrjen europiane dhe të minojnë autoritetin e BE-së në çështjet strategjike, kryesisht sa ka të bëjë me Rusinë dhe Ukrainën – tipare këto, që qeveria Trump në orientimin aktual do të duhej t’i kishte vlerësuar. Që këto dy vende nuk shfaqen në dokumentin e strategjisë, sipas politologut Hegedüs, kjo ka të bëjë me rrënjët e secilës parti. ANO për një kohë të gjatë nuk klasifikohej si parti klasike e spektrit majtas-djathtas, ndërsa Smer-SD fillimisht e konsideronte veten si majtas. “Mund ta shohësh qartazi, se sa e ideologjizuar është qasja amerikane”, thotë Hegedüs. “Meqënëse Smer dhe ANO nuk kanë prejardhje klasike populiste të djathtë, ato nuk konsiderohen si shok ideali, edhe pse ndoshta bëjnë një politikë, që është e dobishme për qeverinë Trump.”

Dekompozim gradual i integrimit europian
Përpjekja e parë për ndërhyrje e qeverisë së re të SHBA në proceset demokratike në Europë ishte në fillim të vitit, kur zëvendëspresidenti JD Vance mbajti një fjalim provokues në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Kjo përpjekje u anashkalua pjesërisht nga vëzhgues të raporteve transatlantike duke argumentuar, se qeveria e re në Uashington së pari duhet të përcaktojë rolin e vet të ri. Por qysh atëherë qeveria e SHBA vazhdimisht ka ndërhyrë në Europë në fushatat elektorale si ajo gjermane, rumune e polake. Ndërhyrja ndjek gjithmonë të njëjtin shablon: Mbështetje, kur qeveria Trump sheh aleatë ideologjik – dhe kush dobëson Brukselin.

Qëllimi i SHBA-së nuk mund të jetë një Huxit, Italexit, Auxit apo Polexit, mendojnë ekspertët si Hegedüs – por një shpërbërje graduale e integrimit europian, që ajo mund ta nxisë me mbështetje diplomatike, politike e ndoshta edhe financiare.

Shenjat e para për këtë tani po shihen: BE p.sh. ka rënë dakord për shkëputjen graduale nga varësia e energjisë ruse. Deri në fund të vitit 2026 do të ndalohet importi i gazit të lëngshëm natyror, deri në nëntor 2027 importi i gazit përmes linjave gazsjellëse. Kryeministri i Hungarisë Orban në nëntor mori një përjashtim nga Trumpi në kontekstin e sanksioneve të SHBA-së lidhur me importet ruse të gazit.Ai deklaroi, se BE-ja nuk do ta pranojë këtë vendim dhe se rasti do të kalojë në Gjykatën Europiane. Në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin turk Rexhep Tayip Erdogan të hënën (08.12.2025) Orban deklaroi, se Turqia edhe në të ardhmen do të garantojë që Hungaria të marrë furnizimet me gaz përmes linjës TurkStream.

Eksperti Hegedüs beson, se në vitet e ardhshme vazhdimisht do të ketë raste të tilla, kur vendet anëtare në sektorë të caktuar nuk do t’u përëmbahen rregullave të vendosura bashkarisht dhe në këtë mënyrë do të vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje integrimi europian. BE-ja kësisoj do të gërryhej gjithnjë e më shumë – derisa dikur vërtetë mund të humbiste rëndësinë. /DW

Azem Hajdari Jr.“U detyrova të bëhem burrë para kohe, nëse do të ishte gjallë do të ishte mrekulli”

 Rrëfimi emocionues i djalit të Azem Hajdarit: Peshën e emrit që mbaj e ndjeva në moshë të vogël

Azemi Hajdari, djali i një prej themeluesve të PD dhe liderit të lëvizjes studentore 1990-91 që çoi në rënien e regjimit komunist, ishte i ftuar në emisionin “Kjo Javë”, ku rrëfeu mes emocionesh jetën e tij dhe kujtimet për babanë, i vrarë në një pritë më 12 shtator 1998 në Tiranë.

 

Azemi, që mban emrin e babait të tij tregoi se që i vogël ka ndjerë fuqinë e emrit të babait.

“Isha 3-4 vjeç kur kuptova rëndësinë e emrit dhe mbiemrit që mbaj. Kujtoj që duhet të vishesha me kostum dhe njerëzit më thoshin ‘do të bëhesh si babi’”, rrëfeu ai.

Ai kujtoi ditët kur në shtëpinë e tyre vinin miqtë dhe bashkëpunëtorët e babait, duke ndarë histori për aktivitetin dhe jetën e Azem Hajdarit.

“Për babain më kanë folur jo vetëm familjarët, por dhe njerëz që e njohën gjatë jetës. U detyrova të bëhesha burrë para kohe, dhe nëse do të ishte gjallë, do të ishte një mrekulli për mua,” shtoi Azemi.

Ai tregoi edhe një kujtim të veçantë nga lufta e Kosovës, kur babai i tij kishte strehuar 12 persona në shtëpi, të cilët e thërrisnin “bacë”.

“Kur vinte në shtëpi, ulej me ta në sofër, dhe gjithmonë tregonte empati dhe dhembshuri për njerëzit,” tha Azemi.

Duke folur për rolin e babait dhe ndikimin e tij tek brezi i ri, Azemi u shpreh se Azem Hajdari nuk sillte streset dhe problemet në familje, por ishte shembull për njerëzit me empati dhe përkushtim.

Për të, mungesa e babait ka qenë një inkurajim dhe një sfidë: “Dashuria dhe mbështetja që më mungoi, më detyruan të rritem më shpejt dhe të bëhem burrë para kohe.”

Azem Hajdari: Isha 3-4 vjeç, kur e kam ndjerë fuqinë e emrit dhe mbiemrit që mbaj që kur isha i vogël dhe kujtoj që duhet të vishesha me kostum, e më drejtoheshin njerëzit që më thonin do të bëhesh si babi.

Ishin disa ditë në vit, kur në shtëpinë tonë vinin njerëz dhe dëgjoja histori për babain.

Për babain më kanë folur jo vetëm familjarët por dhe njerëz që i ka hasur jeta me të. U detyrova të bëhem burrë para kohe, nëse do të ishte gjallë do të ishte mrekulli për mua. Unë nuk e thirra dot baba.

Nëse ka një të mirë po ta shohim gotën para kohe, është dashur të bëhem burrë para kohe.

Salianji-Nokës: “Jep dorëheqjen dhe gabimi me Avokatin e Popullit është përgjegjësi e jotja”

Shtypi i Tiranës njofton se ka patur debate të forta në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë së Partisë Demokratike e cila vijoi punimet me dyer të mbyllura prej orës 14:00. Pas foltoreve të zhvilluara secili në mënyrën e tij, Sali Berisha dhe Ervin Salianji u takuan përballë njëri-tjetrit gjatë mbledhjes.

Burime nga mbledhja bëjnë me dije se ka pasur debate të ashpra mes Berishës, Nokës dhe Salianjit.

Noka i është drejtuar Salianjit me fjalët: “Me këtë që po bën, po u shërben atyre që ke përballë”.

Nga ana e tij, Salianji i është përgjigjur: “Jep dorëheqjen, Flamur, e ke shkatërruar partinë, dhe gabimi me Avokatin e Popullit është përgjegjësi e jotja”.

KUR VENDIMET E GJYKATAVE KTHEHEN NË KRIZË BESIMI DHE HUMBIN PESHËN PËRBALLË PUSHTETIT…- Nga Ilir Çumani

 

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese kundër GJKKO-së për të çbërë pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku nuk është thjesht një akt juridik, por një ngjarje që ka goditur drejtpërdrejt nervin e një shoqërie të rrënuar dhe të lodhur nga mosbesimi.
Ky vendim ka rihapur plagën më të madhe të shtetit shqiptar: dilemën nëse drejtësia mbetet e pavarur apo bëhet pjesë e mburojës politike që mbron nga përgjegjësia penale vetëm të fuqishmit dhe të pushtetshmit.
Në një vend ku reforma në drejtësi është paraqitur si projekti më ambicioz për rivendosjen e shtetit ligjor, çdo vendim që prek figurat e larta qeveritare vlerësohet jo vetëm për atë që shkruhet në dispozitiv, por edhe për atë që lexon opinioni publik midis rreshtave.
Sot, mesazhi që po qarkullon është jashtëzakonisht i zymtë. Tepër i zymtë. Edhe kur dyshimet janë të rënda dhe pozita shumë e lartë, përgjegjshmëria duket se bëhet e diskutueshme, veçanërisht kur në lojë futen ndikimet e pushtetit ekzekutiv.
Në thelb, çështja nuk ka të bëjë vetëm me një funksionare të rangut të lartë shtetëror, të vënë tashmë nga GJKKO nën akuzë penale përmes një procedure gjyqësore.
Ky rast është bërë simbol i një perceptimi që tashmë ka marrë formë të kristalizuar: se institucionet më të larta të vendit, ato që duhet të qëndrojnë si mekanizma të pakomprometuar kontrolli, po shfaqin dobësi atje ku pritet të jenë më të forta.
Dhe këtu shtohet një element që për publikun është po aq domethënës sa vetë vendimi: ritmi me të cilin veproi Gjykata Kushtetuese. Shpejtësia marramendëse me të cilën kjo çështje u mor në shqyrtim krijon një pështjellim të pashpjegueshëm dhe ndjesinë e një institucioni që mezi kishte pritur ta trajtonte këtë rast.
Në një realitet ku proceset zakonisht zvarriten, ku mijëra çështje presin me vite të hyjnë në rend dite, fakti që kjo dosje u trajtua me një urgjencë të pazakontë u lexua gjerësisht si një sinjal i pashmangshëm: se kur preket pushteti, sistemi lëviz me një shpejtësi të çuditshme e marramendëse.
Kjo nuk është thjesht përshtypje, por një dritare e drejtpërdrejtë në atë se si formohet perceptimi i krizës së besimit.
Gjykata Kushtetuese, që duhet të mbrojë parimet themelore të Republikës, sot u përball me një provë ku qytetarët prisnin jo vetëm ligjshmëri, por edhe një ndjeshmëri të lartë ndaj standardit të përgjegjshmërisë publike.
Për shumë shqiptarë, vendimi nuk e dha këtë siguri. Përkundrazi, ai u duk si një tërheqje e barrierave të drejtësisë pikërisht në pikën ku eksponentët e pushtetit preken nga hetimet.
Ky është një dëm që nuk rikuperohet lehtë, ngase nuk prek vetëm perceptimin për një çështje të vetme, por ushqen një klimë mosbesimi që shtrihet në gjithë sistemin përmes këtij precedenti të pashembullt.
Është dramatike për një demokraci që qytetarët e saj të besojnë se ligji funksionon me dy standarde: ndryshe për njerëzit e zakonshëm dhe ndryshe për zyrtarët e lartë. Sot, shumë prej tyre e lexuan vendimin si një konfirmim të kësaj ndarje të padrejtë.
Ky nuk është thjesht problem i drejtësisë; është problem i vetë shtetit.
Gjykatat nuk janë thjesht zbatues të ligjit, por arkitektët e besimit publik.
Nëse një vendim krijon përshtypjen se fuqia politike, edhe kur është në shkelje të ligjit, është e paprekshme, atëherë çarja midis qytetarit dhe institucioneve thellohet.
Reforma në drejtësi fillon të perceptohet jo si një projekt i emancipimit institucional, por si një strukturë e bukur në letër, por e brishtë në realitet.
Shqipëria ndodhet në një moment historik ku ka nevojë të dëshmojë se shteti ligjor nuk është një trill. Në këtë kuadër, çështja Balluku ishte një mundësi për të treguar se askush nuk qëndron mbi përgjegjësinë. Por vendimi i sotëm e la këtë provë të hapur dhe të pambyllur.
Ai e zhvendosi debatin nga ligjshmëria te morali institucional, nga teknikalitetet te integriteti, nga dispozitat te perceptimi. Dhe perceptimi është i prerë: edhe këtë herë, sistemi duket se u rreshtua më pranë pushtetit sesa pranë interesit publik, pranë qytetarit.
Reforma në drejtësi nuk matet me raportet ndërkombëtare, as me struktura dhe zyra të reja apo me emra të institucioneve. Ajo matet me një tregues: nëse qytetari ndihet i mbrojtur nga ligji. Sot, shumë shqiptarë u ndjenë më të pambrojtur. Dhe ky është alarmi i vërtetë që ky vendim ndezi.
Një demokraci mund të përballojë gabime politike, kriza ekonomike, madje edhe polarizim të fortë, por asesi nuk përballon dot krizën e besimit te drejtësia. Sepse aty fillon erozioni i themeleve të shtetit ligjor.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është fundi i kësaj historie, ngase nuk e zhbën dot një hetim të thelluar dhe të zgjeruar që kanë ndërmarrë SPAK dhe GJKKO ndaj zv.kryeministres Balluku.
Por ky vendim është fillimi i një pyetjeje shumë më të madhe: a kemi një drejtësi që i reziston presionit të pushtetit, apo një sistem që lëkundet sa herë që pushteti përballet me të?
Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje do të përcaktojë jo fatin e një çështjeje, por fatin e vetë Republikës!
Tiranë, e premte – 12 dhjetor, 2025

Edhe Bokshiq është brenda hartës gjeografike të Klinës!- Nga Florim Zeqa

 

Letër e mbyllur dhe e hapur publike për:

 

-Kryetarin e Komunës së Klinës, z. Zenun Elezaj

-Asamblenë Komunale-Klinë

-Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK)

 

Fillimisht po i drejtohem të sapozgjedhurit për mandatin e tretë në postin e kryetarit të Komunës, zotit Zenun Elezaj, me urimet më të sinqerta!

Po ashtu, i urojë edhe asambleistët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 12 tetorit 2025, të cilëve ju dëshiroj punë të mbarë dhe përkushtim në mbrojtjen e interesave të të gjithë qytetarëve të Klinës, pa dallim pikëpamjesh ideologjike dhe shtrirjes gjeografike!

 

Kërkesë Publike

 

Si pasojë e mungesës së investimeve dhe harresës së institucioneve komunale, dita-ditës fshati Bokshiq është duke u braktisur nga banorët tradicional, të cilët ndër shekuj i kanë qendruar besnik tokës në të cilën janë lindur e rritur me mund dhe sakrifica të mëdha!

Si pasojë e zvogëlimit enorm të banorëve në këtë fshat, ka rënë edhe fuqia elektorale e subjekteve politike, të cilat viteve të fundit e kanë lënë në harresë të plotë Bokshiqin e legjendave të kohrave të vjetra dhe të heroizmit të kohës më të re!

Si pasojë e kësaj, Bokshiqi është anashkaluar nga të gjitha subjektet politike pa dallim, përfshirë edhe partinë aktuale e cila ka qeverisë me Klinën për dy mandate.

Bokshiqi është ndër fshatrat e rralla, mbase edhe i vetmi vendbanim që ka mbetur pa ujësjellës dhe pa kanalizim, me një rrugë të asfaltuar para dy dekadave, e cila riparohet shkel e shko gjatë fushatave zgjedhore.

Kur jemi tek kanalizimi, vetëm pjesërisht është i zgjidhur, pasi pjesa tjetër e fshatit ende e ka të pa zgjidhur çështjen e ujërave të zeza!

Po i kthehem rrugës së fshatit, e asfaltuar deri në hyrje të fshatit në vitin 2004, e vazhduar në vitin 2013 me një ‘petë asfalt’ në fushatë zgjedhore!

Sot më të mira janë rrugicat e lagjeve sesa e gjithë traseja e rrugës nga Grabanica deri në dalje të fshatit!

Mirëpo, këto nuk janë problemet e vetme me të cilat ballafaqohen banorët e fshatit Bokshiq!

Është rrjeti elektrik i fundviteve të ’60-ta, me 90 % të shtyllave të dëmtuara dhe lartëpërçuesve të konsumuar ndër vite dhe dekada!

Si pasojë e rrjetit elektrik të vjetëruar, pas çdo stuhie apo të reshjeve të borës gjatë periudhës së dimrit, fshati mbetet në terr, pa ujë dhe pa kushte higjenike!

E permenda ujin dhe higjienën, për faktin se banorët me ujë furnizohen nga puset e thella (25-30 metra), ku uji nxirret vetëm përmes pompave elektrike!

E për këtë shkak, pas çdo ndërpreje të rrymës, banorët e fshatit Bokshiq mbeten nga 3-4 ditë e më shumë pa ujë të pijes dhe pa kushte higjenike të nevojshme dhe të domosdoshme ditore!

 

Kërkesat e banorëve hasen në veshë të shurdhër të zyrtarëve komunal

 

E di që deri më tani këto shqetësime janë ngritur disa herë nga banorët e fshatit, por, gjithnjë janë refuzuar përmes procedurave burokratike, për të cilat nuk do të ndalem kësaj radhe, pasi jam i bindur që kryetari Elezaj, Asambleistët dhe KEK-u do të ndërmarrin hapa të shpejtë në zgjidhjen e këtyre problemeve jetike, si parakusht për parandalimin e shpërnguljes edhe të atyre pak banorëve të mbetur në fshatin Bokshiq.

Renovimi i ‘Shtëpisë së Kuvendeve të Rezistencës’ së viteve të ’90-ta, në të cilën janë mbajtur shumë kuvende zgjedhore, tribuna dhe promovime të vlerave kombëtare, për më tepër se obligim, do të ishte akt moral i qeverisjes komunale në nderim të sakrificës dhe qëndresës heroike përballë pushtuesve serbë gjatë viteve të okupimit klasik të Serbisë.

Të gjitha shqetësimet e sipërngritura janë jetike për banorët e fshatit, por rrjeti elektrik është primar dhe ekzistencial për banorët e këtij lokaliteti!

Duke e marrë për bazë vjetërsinë e rrjetit elektrik dhe përshkrimin e gjatë në një relievë të thyer malor nga fshati Dugajevë, mundësitë e intervenimit në raste emergjente janë të limituara!

Andaj, kërkesë e banorëve të fshatit Bokshiq është që rrjeti i ri elektrik të merret nga Trafoja Elektrike e fshatit Grabanicë për të vazhduar përgjatë aksit rrugor, i cili do ta ketë një kosto shumë më të ulët financiare në krahasim nga rrjeti aktual që vjen nga Dugajeva dhe me mundësi të lehta të mirëmbajtjes dhe interevenimit në kohën e duhur nga punonjësit e KEK-ut.

 

I nderuari kryetar, Zenun Elezaj, asambleist të respektuar nga të gjitha subjektet politike në Asamble Komunale, të gjitha kërkesat e banorëve të fshatit Bokshiq janë në përputhje të plotë me premtimet e juaja elektorale dhe në përputhje me linjat buxhetore të Komunës së Klinës, por edhe me detyrimet e Korporates Energjetike të Kosovës (KEK) për furnizimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit elektrik në çdo cep të Kosovës.

 

Në emër të banorëve të fshatit Bokshiq: Florim Zeqa, 12.12.2025

 

VIDEO- Përkthyesja në lotë gjatë dëshmimit të djaloshit ukrainas në Parlamentin Evropian

Shërbimi ukrainas i REL-it

Në një diskutim të zhvilluar pas shfaqjes së një dokumentari për fëmijët ukrainas, asistentja e njërit nënkryetar të Parlamentit Evropian shpërtheu në lot teksa përktheu fjalimin e 11-vjeçarit Roman Oleksiv nga Lvivi. Djaloshi i mbijetoi një sulmi rus me raketë në Vinitsja, qytet në qendër të Ukrainës. Sulmi i korrikut 2022 e vrau nënën e Romanit. Djaloshi iu nënshtrua 36 operimeve dhe rehabilitimeve të gjata për shkak të djegieve dhe plagëve. Pavarësisht kësaj, ai iu kthye studimeve dhe u nderua me çmim nga presidenti i Ukrainës. (Përgatitën: Krenare Cubolli dhe Bujar Tërstena)

Një patriot dëshiron t’u qëndrojë besnik idealeve të tij kombëtare- Koment nga Skënder MULLIQI

—–.Një patriot ka vlera univerzale , standarde më të cilat ai gjykon popullin e tij, duke dashur gjithmonë të mirën , dhe duke dashur të bëjë edhe më mirë. Nese asnjeri prej nesh nuk është i gatshëm të vdesë për liri , atëherë të gjithë do të vdesim në tirani.Do të na duhet të riparojmë ndjenjën tonë të kohës nëse duam të ripërtërijmë angazhimin tonë ndaj lirisë…
 
 Nuk i ka  mirë  punët  një komb, për sa kohë që flitet  për tradhtarë dhe patriotë?Dhe, mos po na ndodhë kjo neve si komb ?Dhasht Zoti që jo.Pse e thëm  këtë? Kurrë më të theksuara nuk kanë qenë akuzat ndaj njeri- tjetrit se kush është tradhëtar dhe kush është patriot.Dhe, kjo për mendimin tim në të shumtën e rasteve po bëhët për inate, për ta deligjitimuar tjetrin duke e qitur në taborrin e tradhëtisë.Kjo sigurishtë së është shumë e dëmshme për  shtetin dhe kombin.Dëmton rënd  edhe qdo proces shoqëror dhe politikë  duke  shkaktur përqarje  në popull.Natyrshtë së askush nuk i donë tradhëtarët dhe tradhëtinë kombëtare, se kjo e fut një komb në qorrsokak.Me së keqi kur fjala tradhtar po përdorët pa asnjë bazë, vetëm për ta heshtur dikend, ose edhe për ta linquar politikishtë dhe forma të tjera të degradimit në shoqëri.Patriotizmi ka konotacion të gjerë.Një patriot dëshiron tu qëndron besinik idealeve  të tij kombëtare .Një patriot duhet të merret më botën reale .Dihet së patriotizmi më i madh është kur dikush nese paraqitet nevoja mbron Atdheun dhe Kombin më armë, siq e mbrojtëm  në luftën më Serbinë në fund të shekullit të kaluar, dhe e fituam .Patrioti i vërtetë është ai kur punon dhe vepron në të mirën e kombit gjatë gjithë jetës, jo vetëm në një periudhë të caktuar historike .Një patriot ka vlera univerzale , standarde më të cilat ai gjykon popullin e tij, duke dashur gjithmonë të mirën , dhe duke dashur të bëjë edhe më mirë. Nese asnjeri prej nesh nuk është i gatshëm të vdesë për liri , atëherë të gjithë do të vdesim në tirani.Do të na duhet të riparojmë ndjenjën tonë të kohës nëse duam të ripërtërijmë angazhimin tonë ndaj lirisë.Sigurisht, politika e pashmangshmërisë në shikim të parë duket si një lloj historie. Politikanët që e përfaqësojnë atë nuk e mohojnë se ekziston një e kaluar, një e tashme dhe një e ardhme. Ata e portretizojnë të tashmen thjesht si një hap drejt së ardhmes që ne tashmë e njohim, një e ardhme të thellimit të arsyes dhe rritjes së prosperitetit.Jo bashë pak njerëz tanë të politikës sikur kan harruar që patriotizmi më i madh është prosperiteti i shtetit dhe i kombit, e jo lufta për pushtet që po zhvillohet tash e shumë vite.Kur mbytet debati politik , na dërgon në krijimin e sistemeve  të cilat  njera parti  mbron status qua-në dhe tjera përhap mohimin total.  Historia na lejon të dallojmë shtigje dhe trende dhe të marrim vendime. Ajo na përshkruan strukturat në të cilat mund të kërkojmë lirinë. Të kuptosh një moment do të thotë të shohësh mundësinë e të qenit bashkëkrijues të një momenti tjetër…Asnjë shtet normal dhe demokratik, nuk guxon të pranon kriza të përhershme .Politika është diskutim për të mirën dhe të keqen , për zgjidhjen e problemeve reale që i kemi edhe ato jo  të pakta.Krizat e bëjnë të pamundur dhe jo besnik  planifikimin për të ardhmën tonë si shoqëri dhe si shtet…
 

Shkatërrohet banda shqiptare në Spanjë! Me ambient të specializuar në kultivimin e marijuanës, në pranga 9 persona

Organizata kishte manipuluar rrjetin elektrik përmes lidhjeve të paligjshme, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej më shumë se 210 mijë euro, sa konsumi vjetor i mbi 250 banesave.

 

SPANJA– Garda Civile spanjolle ka goditur një organizatë kriminale shqiptare të specializuar në kultivimin e marijuanës në ambiente të mbyllura në provincën e Zaragozës, në kuadër të një operacioni të gjerë policor që çoi në arrestimin e nëntë personave, kryerjen e tetë bastisjeve të njëkohshme dhe sekuestrimin e mbi 2.000 bimëve kanabis, raportojnë mediat spanjolle.

Operacioni, i koduar RIOG, u zhvillua nga Garda Civile e Zaragozës dhe zbuloi një rrjet të strukturuar mirë, i cili operonte prej muajsh në depo industriale dhe banesa të shpërndara në disa komuna përreth qytetit. Organizata kishte manipuluar rrjetin elektrik përmes lidhjeve të paligjshme, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej më shumë se 210 mijë euro, sa konsumi vjetor i mbi 250 banesave.

Hetimi dhe ndërhyrja policore

Hetimet nisën në shtator të vitit 2024 nga Policia Gjyqësore e Gardës Civile në Casetas, pas dyshimeve për përdorimin e disa ndërtesave industriale për kultivim kanabisi në ambiente të mbyllura. Gjatë kësaj faze u identifikuan anëtarët e rrjetit, të cilët përkohësisht pezulluan aktivitetin dhe u larguan nga Spanja. Megjithatë, në fund të verës ata u rikthyen dhe rifilluan veprimtarinë kriminale, duke rinovuar ambientet dhe pajisjet për kultivim.

Më 2 dhjetor, Garda Civile ndërhyri me tetë bastisje në zona si Cuarte de Huerva, San Mateo de Gállego, La Puebla de Alfindén, Zuera, si dhe në disa banesa në qytetin e Zaragozës dhe lagjen Garrapinillos. Gjatë kontrolleve u zbuluan 2.013 bimë marihuane dhe mbi 20 kilogramë sytha të gatshëm për treg, ndërsa një nga objektet ishte në përgatitje për një mbjellje të re.

Ambientet ishin të përshtatura në mënyrë profesionale, me ndarje të brendshme për faza të ndryshme të rritjes dhe sisteme të avancuara ndriçimi e ventilimi. Energjia elektrike merrej përmes lidhjeve të paligjshme në rrjetin publik, duke përdorur panele elektrike të sofistikuara. Në disa prej pronave, kujdestarët e plantacioneve jetonin brenda ambienteve, të pajisura me dyshekë dhe mjete bazë, për të shmangur lëvizjet e shpeshta.

Strukturë hierarkike dhe akuza penale

Hetimet konfirmuan se bëhej fjalë për një organizatë kriminale me strukturë hierarkike të qartë. Kreu i rrjetit, i vendosur në Zaragozë, koordinonte logjistikën, mbikëqyrte operacionet dhe mbulonte shpenzimet. Nën drejtimin e tij vepronin bashkëpunëtorë që transportonin pajisje dhe materiale nga provinca të tjera, ndërsa në nivelin më të ulët ishin kujdestarët e plantacioneve, të cilët siguronin edhe mbikëqyrjen përmes kamerave të sigurisë.

Rrjeti përdorte gjithashtu persona “fasadë” për marrjen me qira të pronave dhe automjeteve, duke simuluar aktivitete të ligjshme tregtare. Gjatë operacionit u sekuestruan shuma parash, telefona celularë dhe dokumentacion i rëndësishëm për hetimin.

Të nëntë të arrestuarit, të gjithë shtetas shqiptarë të moshës 21 deri në 46 vjeç, u paraqitën para gjykatës më 4 dhjetor. Ata përballen me akuza për trafik droge, vjedhje të energjisë elektrike, anëtarësim në organizatë kriminale, ndërsa dy prej tyre edhe për falsifikim dokumentesh, pasi dyshohet se përdornin identitete të rreme./ Dosja.al


Send this to a friend