15 vende i janë bashkuar përpjekjes në rritje për të njohur shtetësinë palestineze.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar të martën vonë pas një konference në Nju Jork, ministrat e jashtëm të Andorrës, Australisë, Kanadasë, Finlandës, Francës, Islandës, Irlandës, Luksemburgut, Maltës, Zelandës së Re, Norvegjisë, Portugalisë, San Marinos, Sllovenisë dhe Spanjës, kërkuan njohjen globale të Palestinës dhe një armëpushim të menjëhershëm në Gaza.
“Ne e kemi njohur tashmë, kemi shprehur ose shprehim gatishmërinë ose konsideratën pozitive të vendeve tona për të njohur Shtetin e Palestinës, si një hap thelbësor drejt zgjidhjes me dy shtete”, thanë ministrat, ndërsa bënë thirrje gjithashtu për lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Ata u bënë thirrje kombeve të tjera t’u bashkohen përpjekjeve të tyre dhe theksuan nevojën për të bashkuar Gazën dhe Bregun Perëndimor nën Autoritetin Palestinez.
Deklarata vjen disa ditë pasi Franca u zotua të njohë zyrtarisht shtetësinë palestineze në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator. Presidenti Emmanuel Macron tha se një gjë e tillë do të çonte përpara kauzën e paqes në Lindjen e Mesme. Ky veprim u kritikua ashpër nga SHBA-të dhe Izraeli.
Të martën, kryeministri britanik Keir Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar do ta njihte shtetin palestinez nëse Izraeli nuk vepron për t’i dhënë fund “situatës së tmerrshme në Gaza”. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e hodhi poshtë ultimatumin e Starmer, duke e quajtur atë një “shpërblim për Hamasin”.
Që nga marsi, 147 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së – përfshirë Rusinë – e njohin zyrtarisht Palestinën. Qëndrimi i Moskës daton që nga viti 1988, kur ajo miratoi njohjen nga Bashkimi Sovjetik të deklaratës së pavarësisë palestineze. Sipas Kremlinit, Rusia “gjithmonë i është përmbajtur një zgjidhjeje me dy shtete” si e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjen. bw