Kryeministri izraelit është shëruar nga sëmundja që e goditi të shtunën teksa ishte me pushime me familjen e tij. Qëndroi në diell pa mbrojtje dhe pa ujë për orë të tëra
VOAL- Kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu u lirua nga spitali të dielën pasi u shtrua në spital të shtunën me dehidrim, tha zyra e tij. Kreu 73-vjeçar i qeverisë së shtetit hebre u dërgua me urgjencë në spitalin Sheba, spitali më i madh pranë Tel Avivit, të shtunën.
“Diagnoza jonë, pas një sërë analizash, përfshirë analizat laboratorike, është se arsyeja e shtrimit në spital është dehidratimi”, tha profesor Amit Segev, shef i departamentit të kardiologjisë në spital, në një video të transmetuar nga departamenti i tij. “Zemra e tij është plotësisht normale (…), nuk u konstatuan aritmi (…), vendosëm ta vëmë në holter nënlëkuror për të vazhduar monitorimin”, shtoi doktori.
Netanyahu ishte me pushime me familjen e tij në brigjet e liqenit Kineret në Izraelin verior kur një valë e nxehtë goditi vendin. Në një video regjistrim të publikuar të shtunën pas shtrimit në spital, Netanyahu tha se ai kaloi kohë në liqen me gruan e tij, “në diell, pa kapelë, pa ujë”.
Nuk ishte “një ide e mirë”, tha ai, duke shtuar se ndihej “shumë mirë”. Ai rekomandoi gjithashtu që izraelitët të “kalojnë më pak kohë në diell” dhe “të pinë më shumë ujë” për shkak të nxehtësisë ekstreme në vend. rsi-eb