Në një shoqëri ku vlera nuk matet më me dije, punë apo integritet, por me afërsi ndaj zaptuesit, servilizëm ndaj kupolës dhe manipulim të së vërtetës e të realitetit, lind institucionalizimi i asgjësë së njeriut, ose i Njeriut–Asgjë.
Kjo ndodh kur një qenie pa kontribute reale, pa kulturë mendimi e pa përmasë krijuese ngjitet në maja që nuk i përkasin, jo përmes meritës, por përmes zvarritjes pas Padrinos. Ky, në vijim, e ndihmon dhe madje e nxit për ta ofruar gënjeshtrën si të vërtetë, për ta shitur realitetin e trilluar institucional, si lavdi e sukses intelektual.
Fillimisht, atij i shpiket një CV; më pas i sajohet një listë veprash që nuk ekzistojnë, por që megjithatë u serviren publikut dhe asambleve, të cilat, edhe pse e dinë se janë të rreme, nuk dallohen gjëkundi, heshtin, duartrokasin, aprovojnë dhe votojnë. Më tej, birit besnik të krahinës sunduese i ngrihen tribuna, thirret në ekspozita, i njoftohen zyrtarisht promovime. Kështu nis vallja e madhe e gënjeshtrës që hidhet vendshe, ku vetë strukturat që duhej të garantonin vlerën, bëhen pjesë e mashtrimit: falsifikojnë prezenca e firma, interpretojnë ligje sipas nevojës, kompromentojnë të madh e të vogël dhe, në fund, organizojnë promovime solemne të Asgjësë së Askushit.
Asgjëja dhe Askushi nuk fshihen më; përkundrazi, ofrohen në një paketë, promovohen bashkë, shiten si arritje të pandara, si shembull e si model, edhe pse askush nuk i sheh realisht si ekzistues. Deri sa, me kalimin e kohës, mashtrimi pranohet si i mirëqenë, kthehet në normë dhe ndiqet si rrugë e suksesshme për mbijetesë.
Në këtë pikë, njeriu i vërtetë, që punon, mendon e krijon, mbetet në hije; ndërsa njeriu i asgjësë ngrihet në piedestal dhe shpallet figura zyrtare e epokës.
Mund të qëndrosh një jetë të tërë në hije, brenda një institucioni shkencor dhe universitar, pa bërë asgjë tjetër përveç një doktorature. Pastaj të rrotullohesh rreth saj për 17 vjet të tjera, derisa një ditë, me pak pudër akademike, ta ribotosh si “punë të re”, gjoja e zhvilluar gjatë “veprimtarisë shkencore” në institucion.
Më pas fillon një “projekt të ri kërkimor” – ose më saktë, një tjetër dekadë e një gjysmëpritjeje të re. Kalojnë edhe 16 vite të tjera me raporte fiktive, ca botime dokumentare të të tjerëve, por me emrin tënd si të dytë, ndërkohë që ti, pa asnjë ngut, pret moshën e pensionit. Por, pikërisht në prag të tij, ndodh një tjetër mrekulli shqiptare: në një vend ku ligjet nuk zbatohen, ku kriteret janë letër e vdekur, mund të bëhesh kokë e dijes me asgjënë tënde – me vetëm dy punime në 39 vite page publike – dhe askush nuk të kërkon llogari, askush nuk të kërkon të kthesh paratë.
Hajde, ta provojmë edhe këtë! Mbase funksionon. Sepse dihet: në këtë vend, nuk vlen më puna, as merita, as ligji. Vlen mburoja e titullit, vlen lidhja krahinore, marrëveshja e heshtjes, aleanca e kotësisë, përkulja, dhe rënia e moralit dhe e ndërgjegjes. Sistemi, i përulur përpara mediokritetit, shpërblen heshtjen shumëvjeçare me votë, paçka se ti mbërrin në “platformë” me duar në xhepa, me belbëzimin tënd, me marrëzinë tënde të mirënjohur.
Në këtë vend tentohet gjithmonë që medalja e nderit t’i jepet jo atij që ka ecur, por atij që ka ditur të qëndrojë pa lëvizur – buburreci i turpit që zvarritet anash kanaleve – në vendin e duhur, pranë njerëzve të duhur.