Këtu ditët plaken
Në mëshirën e bluzëbardhëve.
Dhembja po bredh
Si ujku i tërbuar nëpër stane
Po bie
Në kurthin e ilaçeve
Po e merr me vete vetëm harresën vrastare!
Rreth kësaj parajse
ecin haprënduar këta të sëmurë.
Ca disi të kërrusur nga dhimbja
Ca me karroca , kukëza e bastunë.
Ca me sy ku loti merr faqe
shoqëruar shpesh nga psherëtima.
E unë jam mbështjellë me çarçaf të bardhë
tres dhembjen në heshtje.
Me një vullnet e dashuri të madhe
Për ta mundur sëmundjen
Për ta luftuar lëngatën në prag.
Këtu shpresat i varin në ajër, në qiell
Ligjërojnë në heshtje me Biblën e lashtë
Luten për kokën e engjëjve
Që kurrë nuk i kanë parë.
Në sanatorium çdo gjë është kaluese
Askush këtu nuk e përsërit këtë klasë.
Schwarzwald maj,2025