VOAL

VOAL

Në Gjermani arrestohen pesë themeluesit e grupit terrorist djathtist

April 19, 2016

Komentet

Kancelari gjerman paralajmëron: Bashkimi Evropian mund të jetë objektivi i radhës i Rusisë, nëse Ukraina bie

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka dhënë një mesazh të fortë për situatën globale dhe sfidat me të cilat po përballet Evropa, duke theksuar se bota ndodhet në një fazë ndryshimesh të thella.

 

Gjatë fjalës së tij në konferencën e Unionit Kristian Social (CSU) në Mynih, Merz vuri në dukje se këto zhvillime nuk janë thjesht luhatje të zakonshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, por ndryshime strukturore që do të kuptohen plotësisht vetëm pas shumë vitesh.

Ai deklaroi se epoka e ashtuquajtur “Pax Americana” ka marrë fund, duke shtuar se SHBA-të po mbrojnë interesat e tyre me forcë, çka, sipas tij, e detyron Evropën dhe Gjermaninë të bëjnë të njëjtën gjë.

“Nostalgjia nuk do të na ndihmojë”, theksoi kancelari.

Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Merz nënvizoi se kërcënimi rus nuk kufizohet vetëm në këtë vend. Ai rikujtoi se situata aktuale ka nisur që në vitin 2014 me aneksimin e Krimesë dhe paralajmëroi se, nëse Rusia do të arrinte qëllimet e saj në Ukrainë, Bashkimi Evropian mund të ishte objektivi i radhës.

“Nuk jam i gatshëm të rrezikoj periudhën më të gjatë të paqes që ka njohur kontinenti ynë”, u shpreh ai.

Në këtë kuadër, Merz renditi katër prioritete kryesore: mbështetjen e Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme, forcimin e kohezionit brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe investime të mëdha në kapacitetet mbrojtëse.

Kancelari iu drejtua gjithashtu të rinjve gjermanë, duke folur për shërbimin ushtarak dhe duke shprehur besimin se ata janë të gatshëm t’i shërbejnë vendit. Ai sqaroi se, në fazën fillestare, angazhimi do të jetë vullnetar, por nuk përjashtoi mundësinë e ndryshimeve nëse situata e kërkon.

“Gjermania ofron shumë mundësi, por pret edhe një kontribut për të ndërtuar të ardhmen mbi vlerat e lirisë”, tha Merz.

Në fund, ai theksoi se një nga objektivat kryesore të qeverisë së tij është ristrukturimi i thellë i vendit dhe rikthimi i konkurrueshmërisë ekonomike.

Gjermaninë e përshkroi si “një rast që ka nevojë për rinovim nga themelet”, duke theksuar se ky proces kërkon kohë dhe bashkëpunimin e qytetarëve. Panoram

Italia bashkohet me Belgjikën, Maltën dhe Bullgarinë kundër planit të BE-së për përdorimin e 210 miliardë eurove nga asetet e ngrira ruse

Italia ka tronditur balancat e deritanishme rreth financimit të Ukrainës, pasi sipas një dokumenti që citohet nga Politico është rreshtuar me Belgjikën, Maltën dhe Bullgarinë në kundërshtim me planin e Komisionit Evropian për përdorimin e 210 miliardë eurove nga asetet shtetërore ruse të ngrira.


Ndërhyrja vjen pak ditë para samitit të rëndësishëm të Këshillit Evropian më 18–19 dhjetor, ku Komisioni shpreson të sigurojë një marrëveshje politike.

Katër vendet propozojnë aktivizimin e një “Plani B”, përmes emetimit të përbashkët të borxhit evropian ose mekanizmave të tjerë të përkohshëm financimi.

Ato kërkojnë që “Komisioni dhe Këshilli të vazhdojnë të shqyrtojnë dhe diskutojnë alternativa në përputhje me të drejtën e BE-së dhe të drejtën ndërkombëtare, më të parashikueshme dhe me shumë më pak rreziqe, për të mbuluar nevojat financiare të Ukrainës, bazuar në një hua të BE-së ose zgjidhje të përkohshme,” sipas të njëjtave burime.

Megjithatë, kjo propozim përballet me pengesat e veta, do të rriste borxhin tashmë të lartë publik të Italisë dhe Francës, ndërsa kërkon unanimitet, çka i jep kryeministrit hungarez Viktor Orbán fuqinë ta bllokojë plotësisht.

Edhe pse Italia, Belgjika, Malta, Bullgaria, Hungaria dhe Sllovakia së bashku nuk përbëjnë një pakicë bllokuese formale, kundërshtia e tyre publike e vështirëson objektivin e Komisionit për të finalizuar një marrëveshje javën e ardhshme.

Për më tepër, katër vendet shprehin rezerva edhe ndaj synimit të Komisionit për të përdorur “kompetenca të jashtëzakonshme” për zgjatjen afatgjatë të ngrirjes së aseteve ruse. Megjithëse votuan pro vazhdimit të ngrirjes në emër të unitetit, ato theksojnë se kjo “nuk paragjykon aspak” vendimin final të liderëve evropianë për një përdorim të mundshëm të këtyre fondeve.

“Ky votim nuk paragjykon në asnjë mënyrë vendimin për përdorimin e mundshëm të aseteve të ngrira ruse, një vendim që duhet të merret në nivel liderësh,” shkruajnë ato.

Mekanizmi ligjor për mbajtjen afatgjatë të aseteve të ngrira synon të ulë rrezikun që vendet më afër Moskës, si Hungaria dhe Sllovakia, të vendosin t’ia kthejnë fondet Rusisë.

Zyrtarët argumentojnë se kjo zgjidhje dobëson mundësinë që Kremlini t’i rikuperojë asetet e tij në kuadër të një marrëveshjeje paqeje pas luftës, duke forcuar kështu planin e veçantë të BE-së për t’i përdorur ato.

Megjithatë, katër vendet paralajmërojnë se klauzola ligjore “sjell pasoja shumë të gjera ligjore, ekonomike, procedurale dhe institucionale, të cilat mund të shkojnë shumë përtej këtij rasti të veçantë”. gsh

Raportohet se plani i paqes parasheh anëtarësimin e Ukrainës në BE më 2027

Radio Evropa e Lirë

Mediat ndërkombëtare, Financial Times dhe AFP, duke u thirrur në burime, raportuan se plani i paqes i propozuar nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, parasheh që Kievi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian më 1 janar 2027.

Sipas Financial Times, propozimi po negociohet nga zyrtarë amerikanë dhe ukrainas me mbështetjen e Brukselit.

Por një anëtarësim i shpejtë i Ukrainës në bllokun evropian mund të shqetësojë disa vende të BE-së. Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, beson se do të mund të tejkalohet kundërshtimi i Hungarisë, që është kundërshtari kryesor i anëtarësimit të Ukrainës në BE.

Çfarë thonë në BE për këtë mundësi?

Një zyrtar i BE-së i tha Radios Evropa e Lirë se në takimin e “Koalicionit të Vullnetit është përmendur anëtarësimi i Ukrainës si garanci e rëndësishme e sigurisë, por kjo çështje nuk ishte tema kryesore e takimit të djeshëm dhe viti 2027 nuk u përmend”.

Një tjetër diplomat evropian, që foli në kushte anonimiteti, i tha REL-it se “nuk kam parë një dokument zyrtar që përmend 1 janarin e vitit 2027. Procesi [i anëtarësimit në BE] është proces i bazuar në merita dhe do të vazhdojë të jetë i tillë”.

Një tjetër diplomat, duke folur për REL-in tha se çështja nëse anëtarësimi i Ukrainës në BE, si garanci e sigurisë, është “e pashmangshme”.

“Me fjalë të tjera, është pjesë e paketës së sigurisë për Ukrainën”. Megjithatë, ai tha se nuk e di nëse Kievi mund t’i bashkohet bllokut deri më 2027.

“Negociatat do të duhej të përmbylleshin në vitet 2025-2026, dhe edhe atëherë, një vit për tërë procesin është jashtëzakonisht ambicioz”, tha ky diplomat.

Sipas këtij diplomati, procesi i anëtarësimit përfshin hapjen dhe mbylljen e 35 kapitujve.

“Edhe shtete që kanë ecur me shpejtësi të madhe [në procesin e anëtarësimit] ose që ishin të përgatitura edhe para aplikimit, sikurse Islanda, iu desh një kohë e konsiderueshme. Ka hapa në proces që thjesht nuk mund të shkurtohen”, tha ky zyrtar.

Çfarë thonë në Ukrainë?

Oleksandr Merezhko, anëtar i partisë Shërbëtorët e Popullit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, njëherësh kryetar i Komitetit parlamentar për politikë të jashtme dhe bashkëpunim ndërparlamentar, tha se një skenar i tillë do të ishte i arritshëm nëse Ukraina arrin të kryejnë të gjitha “detyrat e shtëpisë”.

“Ky është një synim ambicioz, por unë besoj se ne duhet t’ia vendosim vetes këtë qëllim dhe të bëjmë gjithçka që kërkohet për ta arritur këtë qëllim”, tha Merezho për Shërbimin ukrainas të REL-it.

Sipas tij, anëtarësimi i Ukrainës në BE para së gjithash është çështje e sigurisë dhe sa më shpejt që Kievi i bashkohet bllokut, gjasat janë më të mëdha që të ketë një paqe të qëndrueshme.

Megjithatë, kryetarja e komitetit të Ukrainës për integrim në BE, njëherësh deputete nga Partia për Solidaritet Evropian, Ivanna Klympush-Tsintsadze, e cilësoi mundësinë e anëtarësimit të shpejtë të vendit si “absolutisht jorealist”.

“SHBA-ja nuk mund të vë një detyrë të tillë për BE-në dhe nuk besoj që BE-ja do të pajtohej me një gjë të tillë”, tha ajo.

Sipas saj, Ukraina duhet të hyjë në BE si një shtet i aftë, në të kundërtën do të përballet me probleme.

Klympush-Tsintsadze po ashtu theksoi se ritmi i reformave në Ukrainë më 2025 “u ngadalësua shumë” krahasuar me vitet paraprake.

“Jam e bindur se 2027-shi, fatkeqësisht nuk do të ndodhë”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.

Në qershor të vitit 2022, Ukraina mori statusin e vendit kandidat, disa muaj pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të shtetit fqinj. Ky shtet, së bashku me Moldavinë, dorëzuan aplikimet e tyre për anëtarësim, pak para se të niste lufta në Ukrainë.

Zelensky thotë se Donbasi vazhdon të jetë pengesë mes trysnisë për një marrëveshje për paqe

Radio Evropa e Lirë

Kërkesat që Kievi t’i tërheqë trupat nga pjesa e Donbasit që ende e ka nën kontroll, vazhdon të jetë pengesë drejt përparimit në bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje për paqe me Rusinë, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Bisedimet për paqe po zhvillohen me shpejtësi dhe Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë trysni të madhe për një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës pothuajse katërvjeçare të Rusisë kundër Ukrainës.

Statusi i centralit bërthamor të Zaporizhjas, i cili kontrollohet nga Rusia, është një çështje tjetër që duhet të zgjidhet, tha Zelensky për gazetarë mbrëmjen e së enjtes, pas bisedimeve të Ukrainës me mbështetësit evropianë dhe zyrtarët amerikanë.

Ai shtoi gjithashtu se një armëpushim do të ishte i nevojshëm, nëse zgjedhjet do të mbaheshin së shpejti.

Pasi Shtetet e Bashkuara e paraqitën një plan për paqe me 28 pika, i cili favorizonte dukshëm Rusinë sipas kritikëve, Ukraina dhe vendet evropiane po kërkojnë ndryshime që do ta bënin marrëveshjen më të baraspeshuar dhe, mbi të gjitha, do ta siguronin mbrojtjen e Ukrainës ndaj ndonjë sulmi rus në të ardhmen.

Kievi ia dorëzoi SHBA-së një plan me 20 pika më herët gjatë kësaj jave.

“Ne ia dërguam ekipit amerikan një version të rishikuar të dokumentit kornizë me të cilin punuam. Ai përfshin 20 pika kyç. Ky mund të jetë themeli për gjithçka. Po pres përgjigje nga Amerika”, tha Zelensky para më shumë se 30 udhëheqësve të vendeve të “koalicionit të vullnetit”.

Derisa Rusia ka dhënë pak shenja se është e gatshme të heqë dorë nga kërkesat e kamotshme, zyrtarët amerikanë dhe ata ukrainas po i shtjellojnë hollësitë.

Zelensky tha se kishte zhvilluar një diskutim “të thellë” me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, shefin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe të dërguarin e posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff.

Sipas Zelenskyt, SHBA-ja propozon tërheqjen e trupave ukrainase nga pjesa e fortifikuar e rajonit të Donjeckut të cilën e kontrollon ende, dhe “kompromisi është, teorikisht, që trupat ruse nuk do të hyjnë” në këtë zonë, ku Uashingtoni kërkon të vendosë një “zonë të lirë ekonomike”.

“Ata nuk e dinë se kush do ta qeverisë këtë territor”, tha Zelensky, duke shtuar se Rusia e quan atë “zonë të demilitarizuar”.

Ai shtoi gjithashtu se ukrainasit duhet ta thonë fjalën e tyre për çdo lëshim territorial të propozuar, “qoftë përmes zgjedhjeve ose një referendumi”.

Pas raportimeve se presidenti amerikan, Donald Trump, kishte vendosur datën 25 dhjetor si afatin që Ukraina të pranonte propozimin e paqes, Zelensky tha se Kievit nuk i ishte dhënë ndonjë afat i prerë, por se “mendoj se ata me të vërtetë dëshironin, ose ndoshta ende duan, ta kuptojnë plotësisht deri në Krishtlindje se ku qëndrojmë me këtë marrëveshje”.

Trump ka synuar ta ndërmjetësojë përfundimin e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia qëkurse e mori detyrën në janar të këtij viti, por është përballur me pengesa të mëdha, duke përfshirë mospërfillje nga presidenti rus, Vladimir Putin, për armëpushim.

Trump tha se Shtetet e Bashkuara mund të marrin ose jo pjesë në një takim të planifikuar mes zyrtarëve të lartë ukrainas, francezë, gjermanë dhe britanikë në Evropë, më 13 dhjetor.

“Do të shohim nëse do të marrim pjesë në takim”, tha Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale.

“Do të marrim pjesë në takim të shtunën në Evropë, nëse mendojmë se ka shans të mirë. Dhe, nuk duam të humbasim shumë kohë, nëse mendojmë se është negativ”, shtoi ai.

“Presidenti është jashtëzakonisht i zemëruar me të dyja palët e kësaj lufte, dhe ai është i lodhur nga takimet vetëm sa për sy e faqe”, u tha gazetarëve sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Lidhur me zgjedhjet, që SHBA-ja po e shtyn Ukrainën t’i mbajë pavarësisht faktit se ato janë të ndaluara me ligjin ushtarak, Zelensky tha më 11 dhjetor se nevojitet armëpushim për këtë.

Trump i tha Politicos në një intervistë të botuar më 9 dhjetor se “është koha” të mbahen zgjedhjet, dhe Zelensky tha po atë ditë – për herë të parë – se do të kërkonte nga Parlamenti të hartonte legjislacion që lejon mbajtjen e zgjedhjeve gjatë ligjit ushtarak.

Ai tha se zgjedhjet mund të mbahen brenda 60 deri në 90 ditëve, me kusht që të ketë garanci të sigurisë për të siguruar që votimi të jetë i sigurt për ukrainasit.

Le Monde: Kievi është gati të pranojë një zonë të demilitarizuar në Donbas

Kievi është gati të pranojë krijimin e një zone të demilitarizuar në Donbas.

Kështu shkruan gazeta Le Monde, duke cituar burimet që raportojnë se zona e demilitarizuar do të ishte në të dyja anët e vijës së demarkacionit. Le Monde raporton se kjo është miratuar nga Evropa.

Donbasi, një rajon strategjik me një pellg mineral të lakmuar nga Rusia që nga viti 2014, mund të vihet nën mbikëqyrjen e forcave ndërkombëtare, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara, për të parandaluar agresionin e mëtejshëm rus.

“Marrëveshja e paqes s’duhet të mbjellë farat e konfliktit”, Von der Leyen: Ukraina ka nevojë për garanci të forta sigurie

Ukraina ka nevojë për një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, e cila të shoqërohet me garanci të qarta dhe të forta sigurie. Kështu deklaroi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një intervistë për Politico, duke theksuar se marrëveshja e paqes nuk duhet të mbjellë menjëherë farat e konfliktit të ardhshëm.

Von der Leyen nënvizoi se vetëm Presidenti Volodymyr Zelensky dhe populli ukrainas janë ata që mund të vendosin për të ardhmen e territorit ukrainas. Ajo përsëriti se garancitë e sigurisë për Kievin duhet të jenë “shumë të forta”, në mënyrë që të sigurohet stabilitet afatgjatë.

E pyetur se sa kohë i duhet Evropës për të qenë e aftë të mbrojë veten në një kontekst gjithnjë e më të ndërlikuar sigurie, Presidentja e Komisionit u shpreh: “Kjo është një pyetje shumë e mirë. Ne nuk kemi luksin e kohës.”

Kryeministri bullgar Rosen Zhelyazkov dha dorëheqje pasi qindra e qindra mijëra qytetarë protestuan në të gjithë vendin

Kryeministri bullgar Rosen Zhelyazkov dha dorëheqje, pasi qindra e qindra mijëra qytetarë protestuan në të gjithë vendin, duke kërkuar që qeveria të japë dorëheqje për shkak të akuzave për korrupsion.

Sipas raportimeve, protestuesit përdorën laserë për të projektuar fjalët “Dorëheqje”, “Mafia Jashtë” dhe “Për Zgjedhje të Drejta” në ndërtesën e parlamentit.

Vlerësimet bazuar në pamjet e filmuara me dron, e çojnë numrin e demonstruesve në mbi 100,000, me disa raportime që pretendojnë se deri në 150,000 njerëz ishin mbledhur në kryeqytetin bullgar.

Studentë nga universitetet e Sofjes iu bashkuan tubimeve, të cilat organizatorët thanë se i tejkaluan protestat e javës së kaluar që tërhoqën më shumë se 50,000 njerëz.

Protesta të mëtejshme u zhvilluan në më shumë se 25 qytete të mëdha në të gjithë Bullgarinë, duke përfshirë Plovdivin, Varnën, Veliko Tarnovon dhe Razgradin.

Bullgarët u mblodhën edhe jashtë vendit, me protesta të mbajtura në Bruksel, Londër, Berlin, Vjenë, Cyrih dhe New York.

Kërkesat përfshinin dorëheqjen e qeverisë dhe kushte më të mira jetese dhe pune.

Ndryshe, protestat vijnë pas tubimeve të javës së kaluar të nxitura nga propozimet e qeverisë për buxhetin e vitit 2026, të cilat përfshinin taksa më të larta dhe rritje të shpenzimeve.

Qeveria më pas e tërhoqi planin e diskutueshëm të buxhetit.

 

Zbardhen prapaskenat e takimit 90 minutësh të tensionuar Meloni- Zelensky

Nëntëdhjetë minuta ballafaqim, të paraprirë nga një mbledhje e ngushtë e Melonit me ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm, Guido Crosetto dhe Antonio Tajani, e shoqëruar nga takime paralele ballë për ballë mes dy ministrave dhe homologëve ukrainas, shënuan një pasdite që në Palazzo Chigi nuk ka qenë aspak e lehtë.

 

Një histori në të cilën presionet ndaj stafit ukrainas në Romë janë shprehur në mënyrë të qartë. Dhe gjithashtu nga ana e kryeministres italiane, diskutimi ka qenë i hapur, me një mesazh që mund të përmblidhet kështu: “Merr parasysh që disa koncesione të dhimbshme ndoshta je i detyruar t’i bësh”.

Nëntëdhjetë minuta ballafaqim, të paraprirë nga një mbledhje e ngushtë e Melonit me ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm, Guido Crosetto dhe Antonio Tajani, e shoqëruar nga takime paralele ballë për ballë mes dy ministrave dhe homologëve ukrainas, shënuan një pasdite që në Palazzo Chigi nuk ka qenë aspak e lehtë. Dhe për të paktën dy ose tre arsye: Italia mbështet nxitimin që amerikanët po i japin negociatave; stafi i Melonit nuk është imun ndaj vlerësimeve që e shohin Zelenskyn të dobësuar pas hetimeve për korrupsion në qeverinë e tij; roli i ekzekutivit italian, siç vazhdon të përsërisë kryeministrja, është të arrijë një plan paqeje të drejtë dhe të qëndrueshëm, por duke marrë parasysh më shumë drejtimin amerikan se atë evropian.

Disa “spin”, copa të thashethemeve, mbërrijnë në mbrëmje nga partia Fratelli d’Italia, përhapen në Partinë Demokratike, dhe tregojnë për një kryeministre që po ushtron një lloj “bindjeje morale” ndaj Zelenskyt edhe në emër të Shtëpisë së Bardhë; dhe kjo ndërkohë që Zelensky bën të kundërtën, i kërkon kryeministres sonë të zbusë pozicionin e Trumpit, të përpiqet të zbutë vendimin që duket se ka marrë qeveria amerikane: atë të mbylljes sa më shpejt të një plani paqeje.

Në mbrëmje vjen madje edhe hapja e Zelenskyt ndaj zgjedhjeve të reja, e cila duket më shumë si një sfidë sesa si një hap prapa, dhe që shton një faktor të ri kompleksiteti në gjendjen e negociatave. Sigurisht, mbeten në fuqi fjalët e qarta, publike, që dje janë vënë bardh e zi nga ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, i cili në Palazzo Chigi ka bërë me mirësjellje një lloj liste të asaj që Kievi i kërkon Italisë dhe që deri tani nuk e ka parë: një rol aktiv dhe më të fortë në zhbllokimin e aseteve ruse të ngrira në Belgjikë; dalja nga limboja e mungesës së një vendimi mbi programin Purl; blerja e armëve amerikane që deri tani ka përfshirë më shumë se 15 shtete të BE-së por jo Romën (armë për t’ia kaluar Kievit, siç ka kërkuar vetë Trump); dhe në fund madje devijimi i disa burimeve (për Italinë 15 miliardë euro) që programi evropian Safe ua dedikon forcimit të ushtrive të shteteve anëtare. Italia është mes atyre, 4 shtete nga 19, që nuk do të përdorin një pjesë të fondeve për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës.

Ka mjaftueshëm “mish në zjarr” për të besuar se jo çdo gjë ka shkuar vaj, se disa dallime janë shprehur për herë të parë, nga të dyja palët, në mënyrë të qartë. Në fund të fundit, Meloni, të paktën për PD-në dhe pjesën tjetër të opozitës, vazhdon të qëndrojë me njërën këmbë në dy fronte: e lidhur me përpjekjet evropiane në mbrojtje të Kievit – madje edhe kundër sulmeve diplomatike të Shteteve të Bashkuara – por njëkohësisht ngurruese për të marrë qoftë edhe një distancë minimale nga qasja shumë e ashpër që Donald Trump po i jep negociatave aktuale. dosja

Zelensky i hapur për zgjedhje gjatë luftës nëse SHBA-ja dhe aleatët ofrojnë siguri

Radio Evropa e Lirë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se është i gatshëm të mbajë zgjedhje në vendin e shkatërruar nga lufta, nëse Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ofrojnë sigurinë e nevojshme në mënyrë që votimet të mund të mbahen në mënyrë të sigurt.

Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Ukrainës që të mbajë zgjedhje – presidenti amerikan, Donald Trump, i tha Politico-s në një intervistë të publikuar më 9 dhjetor se “tani është koha” për mbajtjen e zgjedhjeve – edhe pse Kushtetuta e Ukrainës nuk lejon organizimin e votimeve në kohë lufte.

Në një ndryshim nga deklaratat e mëparshme, Zelensky tha se do të kërkojë nga Parlamenti që të hartojë një ligj që do të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve edhe në kohën kur ende është në fuqi gjendja e luftës.

Një votim do të mund të pasonte brenda 60 deri në 90 ditë, nëse arrihet një armëpushim për të ndalur luftën me Rusinë që po vazhdon pothuajse për katër vjet dhe nëse garantohet siguria për procesin zgjedhor.

“Po kërkoj tani, dhe po e them hapur, që SHBA-ja, ndoshta së bashku me partnerët tanë evropianë, të më ndihmojnë për të ofruar sigurinë e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve”, tha Zelensky për gazetarët më 9 dhjetor, duke theksuar se këtë çështje ende nuk e ka diskutuar me Trumpin.

“Unë personalisht kam vullnet dhe gatishmëri për këtë gjë”, tha ai.

Mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve në Ukrainë është refuzuar rregullisht, me zyrtarët që thonë se një proces i tillë do të ishte i pamundur për shkak të sulmeve të përditshme ajrore ruse në mbarë Ukrainën, mijëra ushtarëve që luftojnë në vijën e frontit dhe miliona ukrainasve që janë zhvendosur për shkak të luftës.

Sondazhet në Ukrainë thonë se shumica e ukrainasve janë kundër mbajtjes së zgjedhjeve gjatë luftës, megjithëse me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 2019, disa dëshirojnë ndryshime në Qeveri në mënyrë që të ketë ide të reja.

Deklaratat e Zelenskyt vijnë në kohën kur po mbahen negociata intensive që synojnë dhënien fund të luftës, që nisi më 2022.

Udhëheqësi ukrainas ishte në Itali më 9 dhjetor në kuadër të një turneu në Evropë për të siguruar që propozimi i SHBA-së për ndaljen e luftës të mos rezultojë në një marrëveshje të njëanshme që do të shpërblente Moskën për agresionin ndaj fqinjit dhe do ta linte të cenueshëm Kievin ndaj sulmeve në të ardhmen.

Ai tha përmes një postimi në rrjetet sociale se Ukraina dhe partnerët e saj evropianë së shpejti do t’i paraqesin SHBA-së “dokumente të përpunuara” mbi planin e paqes.

“Komponentët ukrainas dhe evropianë tani janë më të zhvilluar dhe jemi gati t’ia paraqesim partnerëve tanë në SHBA”, shkroi ai.

“Së bashku me amerikanët, ne presim që së shpejti të bëjmë hapa konkretë”.

Thuhet se disa pika mbeten ende për finalizimin e një plani të paqes, përfshirë formulimin e një dokumenti që do të pranohej nga Kievi dhe Moska.

Zelensky i tha Bloomberg News më 8 dhjetor se bisedimet e udhëhequra nga SHBA-ja për një marrëveshje të mundshme paqeje ende nuk kanë prodhuar një ujdi mbi kontrollin territorial në rajonin lindor, të njohur si Donbas, ku Rusia kërkon që Ukraina t’i dorëzojë territoret që ajo vazhdon t’i mbajë.

Më 8 dhjetor, Zelensky zhvilloi bisedime në Londër dhe Bruksel mbi propozimin e paqes. Këto diskutime u zhvilluan pas tre ditësh takime mes zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë në Majami, teksa negociatorët po përpiqen që të arrijnë një marrëveshje, pasi muajin e kaluar SHBA-ja publikoi një draft-propozim për paqe.

Gjatë fjalimit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 9 dhjetor, ambasadori i Ukrainës në OKB, Andriy Melnyk, deklaroi se Ukraina nuk është “në shitje”.

“Territori dhe sovraniteti ynë nuk janë për shitje. Nuk jemi në tregun e Krishtlindjeve”, tha ai gjatë një mbledhjeje për Ukrainën.

“Rusia dëshiron që Ukraina të dorëzohet, siç sapo dëgjuam. Rusia dëshiron që ne të kapitullojmë. Por, përgjigja ime për ju do të ishte: ‘Nuk do ta merrni Ukrainën’”, tha Melnyk, duke iu përgjigjur deklaratës së mëparshme të ambasadorit rus në OKB, Vasily Nebenzya, i cili insistoi se Rusia do të arrijë qëllimet e saj në Ukrainë me çdo mjet të nevojshëm, qoftë ushtarak apo diplomatik.

Ndërkaq, komandanti më i lartë ushtarak i Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrskiy, deklaroi se trupat ukrainase po vazhdojnë të kontrollojnë pjesë të Pokrovskut, qytet strategjik në Donbas që Rusia pretendon se e ka pushtuar.

“Mbrojtja e Pokrovskut po vazhdon, forcat tona kontrollojnë gati 13 kilometra katrorë në pjesën veriore të qytetit. Mirnohradi nuk është i rrethuar. Në Kupjansk, operacioni ynë i suksesshëm kundër sabotimit po vazhdon”, shkroi ai në Facebook.

Kështu protestohet: Përshkallëzim i protestave në Greqi: Thirrje për mobilizim dhe bllokada të reja

Pas incidenteve të paprecedentë në Kretë dhe ndërhyrjes së prokurorit të Gjykatës së Lartë, i cili kërkoi hetime të menjëhershme për vepra si pengimi i transportit, dhuna ndaj punonjësve dhe shkaktimi i dëmeve, protestat e fermerëve në Greqi vijojnë të ashpërsohen.

Mëngjesin e sotëm, fermerët nga bllokadat e Thesalisë nisën pushtimin e porteve të Volosit atij të mallrave dhe atij tregtar si dhe të zyrës doganore duke hyrë me traktorë nga toka. Paralelisht, peshkatarët e zonës po bllokojnë portin edhe nga deti. Ndërkohë, raportohet se fermerët në Maqedoni po shqyrtojnë një veprim të ngjashëm në portin e Selanikut.

Fermerët dhe blegtorët e Greqisë Perëndimore po vijojnë qëndrimin në bllokadat e ngritura në Aitoloakarnania, Akai dhe Ilia.
Në Aitoloakarnania, autostrada Antirrio–Janinë mbetet e bllokuar në pikën e pagesës Angelokastro pranë Agrinios, ndërsa është bërë thirrje për mobilizim sot në orën 11:00 në urën Rio–Antirio.

Fermerët e Nafpaktisë, Doridës, Mesolongjisë dhe Vonitës mbajnë të bllokuara urat e Mornos dhe Evinos, si dhe qarkullimin në Rrugën Amvrakia.

Bllokada në Akrainë dhe Ilia: trafiku devijohet

Në Akai, bllokadat janë vendosur në autostradën Patra–Pirgus (në kryqëzimin e Kato Akai), në autostradën Patra–Korinth (në urën e Selinountas), në zonën e Aigios dhe në rrugën perimetrale të Patras (kryqëzimi Eglykada).
Për pasojë, trafiku i mjeteve devijohet nga porti K1 i Patras dhe nga kryqëzimet e Ovrisë drejt rrugëve lokale.

Edhe në Ilia situata mbetet e tensionuar, me bllokada në kryqëzimin e Pirgos dhe zonën e Lechaina.

Gjatë asamblesë së përgjithshme në Nikaia, përfaqësuesit e fermerëve reaguan ndaj ndërhyrjes së Gjykatës së Lartë, duke e cilësuar si “një lëvizje komunikimi nga qeveria që ndodhet nën presion”. Ata ngritën pyetjen pse drejtësia nuk veproi me të njëjtin zell ndaj skandalit të OPEKEPE.

 

Image

Fermerët njoftuan se këtë të premte do të zgjerohen protestat në Larisa, përpara zyrave politike të Zëvendësministrit të Zhvillimit Rural Christos Kellas, Sekretarit të Përgjithshëm të grupit parlamentar të ND-së Maximos Harakopoulos, dhe deputetit të ND-së Christos Kapetanos.

Ndërkohë, Komiteti Panhelenik i Blloqeve do të mblidhet të shtunën në Nikaia të Larisës për të vlerësuar rrjedhën e protestave dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm.

Qeveria përgatit paketën e masave

Burime qeveritare bëjnë të ditur se është drejt finalizimit një paketë masash që lidhen me uljen e kostove të prodhimit, një nga kërkesat kryesore të fermerëve. Nuk përjashtohet që një takim mes përfaqësuesve të qeverisë dhe fermerëve të zhvillohet javën e ardhshme, me synimin që protestat me traktorë të shmangen gjatë festave.

Papa pret Zelenskyn në Castel Gandolfo: të vazhdohet dialogu për një paqe të drejtë

Presidenti ukrainas u prit nga Leoni XIV në Castel Gandolfo. Ky ishte takimi i dytë privat midis të dyve. Në qendër të bisedës shpresa që iniciativat diplomatike të vazhdueshme do të çojnë në paqe, si dhe çështja e të burgosurve të luftës dhe kthimi i fëmijëve. Kreu i shtetit i dhuroi Papës një skenë lindjeje të Jezusit ukrainase të punuar me dorë.

R.SH. – Vatikan

Londra, Brukseli dhe tani Roma, duke filluar nga Castel Gandolfo me takimin me Papën. Ashtu si verën e kaluar, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky fillon vizitën e tij në Itali në rezidencën papnore në qytetin e Lazios, Castel Gandolfo. Audienca private – e cila i paraprin një takimi pasdite me kryeministren italiane Giorgia Meloni – u zhvillua ditën kur Kievi pritet të bashkëndajë një plan të rishikuar paqeje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas bisedimeve në kryeqytetin britanik midis vetë Zelensky dhe udhëheqësve të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Dialogu dhe Çështja e të Burgosurve dhe Fëmijëve

“Nevoja për të vazhduar dialogun”, së bashku me “shpresën e madhe që iniciativat e vazhdueshme diplomatike mund të çojnë në një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, ishin në qendër të bisedës gjysmëorëshe midis Leonit XIV dhe kreut të shtetit ukrainas, të ulur në një tavolinë në dhomën e ndenjes në rezidencën papnore në Castel Gandolfo. Siç thuhet në një deklaratë të zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, gjatë takimit “u përmend edhe çështja e të burgosurve të luftës dhe nevoja për të siguruar kthimin e fëmijëve ukrainas në familjet e tyre”. Kjo çështje doli në pah edhe gjatë takimit të Papës më 21 nëntor në Pallatin Apostolik të Vatikanit me një grup nënash dhe grash të të burgosurve dhe adoleshentëve të marrë me forcë në Rusi dhe që tani janë kthyer në atdheun e tyre.

Dhuratat

“Faleminderit”, tha Zelenski duke shtrënguar dorën Papës. “Jam i lumtur që ju shoh përsëri”, u përgjigj Leoni. “Ishte një takim i bukur, shumë i sinqertë dhe i qetë”, komenton ambasadori i Ukrainës pranë Sheshit të Shenjtë, Andrii Yurash, i pranishëm në audiencë me delegacionin pesë anëtarësh. Në momentin e shkëmbimit të dhuratave, Zelenski i dhuroi Papës një shpellë Betlehemi të lindjes së Jezusit ukrainase, një punim artizanal në stilin ukrainas. Papa i kthye dhuratën me një pllakë bronzi që përshkruan disa fëmijë të bashkuar në përpjekjen për të rindërtuar një glob të përbërë nga pjesë të ndryshme. Nën të shfaqet shkrimi Vëllezër të gjithë, një kujtesë për “ëndrrën e vëllazërimit universal” të propozuar në enciklikën e Papës Françesku.

 

Polonia ndaloi zyrtarisht Partinë Komuniste: Glorifikon krimet e regjimeve komuniste

Polonia ka shpallur zyrtarisht të ndaluar Partinë Komuniste të Republikës së Polonisë, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që konfirmon se programi dhe ideologjia e saj janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën polake.

Ky vendim shënon fundin juridik të një force politike të vogël, por simbolikisht të rëndësishme, që prej vitesh konsiderohej problematike nga institucionet shtetërore.

Në vendimin e publikuar, Gjykata Kushtetuese theksoi se ideologjia e Partisë Komuniste shkel parimet kushtetuese të shtetit demokratik, duke argumentuar se promovimi i komunizmit bie ndesh me sistemin ligjor të Polonisë dhe me kujtesën historike të vendit.

Sipas trupës gjykuese, “nuk ka vend në rendin juridik polak për një parti që glorifikon krimet e regjimeve komuniste”.

Ky qëndrim reflekton linjën e fortë antikomuniste të shtetit polak, e cila është intensifikuar sidomos në vitet e fundit.

Një proces që nisi vite më parë

Edhe pse vendimi u mor tani, procesi për ndalimin e partisë ka nisur që në vitin 2020, kur Prokurori i Përgjithshëm paraqiti kërkesën e parë për likuidim.

Çështja u rikthye në qendër të vëmendjes në nëntor të këtij viti, kur presidenti polak Karol Nawrocki paraqiti sërish një kërkesë të re në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas ekspertëve, ritmi i ngadaltë procedural ishte rezultat i kompleksitetit ligjor, por edhe i debatit të brendshëm mbi kufijtë e lirisë politike.

Një parti e vogël, por simbolike

E themeluar në vitin 2002, Partia Komuniste e Polonisë kishte një bazë të kufizuar anëtarësh, nga disa qindra deri në rreth një mijë sipas vlerësimeve të ndryshme.

Megjithatë, pavarësisht peshës së vogël elektorale, partia mbante një simbolikë të fortë historike, e lidhur me trashëgiminë e regjimit komunist që udhëhoqi Poloninë për gati gjysmë shekulli.

Kjo e ka bërë objekt debatesh të vazhdueshme: nga njëra anë mbrojtësit e lirisë së shprehjes politike, dhe nga ana tjetër forcat konservatore e kombëtariste që kërkonin ndalimin e çdo forme të apologjisë së komunizmit.

Një epilog politik në një klimë të polarizuar

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të forcojë debatin mbi kufijtë e lirisë politike në Poloni. Për mbështetësit e tij, është një hap i domosdoshëm drejt pastrimit të hapësirës publike nga ideologjitë totalitare.

Për kritikët, është një precedent që mund të përdoret për të zgjeruar kontrollin e shtetit ndaj partive të vogla apo të pakëndshme politikisht.

Megjithatë, në aspekt praktik, vendimi mbyll një kapitull politik të së kaluarës – ndërsa Polonia përqendrohet te sfidat më të gjera gjeopolitike dhe të sigurisë që po përballon sot.


Send this to a friend