Qarkullon këto ditë në rrjetet sociale një foto (të cilën me vetëdije nuk dua ta ri-ve në faqen time) nga ceremonia për fillimin e punimeve të ndërtimit të teatrit të kombëtar. Kryesisht postohet për të fshikulluar Robert Ndrenikën.
Robert Ndrenika në këtë rast është viktima, jo fajtori. Fajtori kryesor është dy karrige më tutje dhe dallohet fare qartë. Ndihmës të fajtorit janë të gjithë, e tërë shoqëria shqiptare qe e lejon fajtorin kryesor të drejtojë shtetin me metoda dukshëm mafioze.
Deri dje, mund të argumentoje (ndonëse jo bindshëm) se Robert Ndrenika e ka mbajtur qëndrimin e tij ndaj Teatrit pasi ashtu mendon dhe se është e drejta e tij si individ të mendojë si të dojë.
Deri dje kushdo mund të mendonte se Robert Ndrenika ka përgjegjësi për atë që bën. Por jo pas kësaj fotoje. Marrja pjesë në këtë ceremoni të turpshme është dukshëm pasojë e presionit, e një presioni mafioz: bëj si të themi ne se, përndryshe. Aktori mund ta kishte mbajtur qëndrimin e tij për teatrin pa qënë i detyruar të merrte pjesë në këtë ceremoni.
Ndrenika është viktimë dhe ne duhet të na vijë keq për të, në vend që ta sulmojmë. Është burrë i vjetër, i nderuar për karrierën e tij, që është kapur diku keq nga shteti. Mund t’i ndodhë kujtdo të kapet keq nga shteti, nëse shteti operon si organizatë kriminale.
Ne nuk duhet as të zemërohemi dhe as të tallemi me viktimat. Ne duhet të revoltohemi me ata që shkaktojnë viktima. Dhe të ndjehemi keq për veten tonë që nuk jemi në gjendje të bëjmë asgjë për të luftuar viktimizimin poshtërues të njerëzve nga shteti.
Komentet