Është ndarë nga jeta sot (11 korrik 2023) në moshën 70-vjeçare skulptori i njohur Agim Rada, pas një beteje të gjatë me një sëmundje e rëndë që i kishte prekur mushkritë. Autor i një sërë veprash publike ku kish skalitur personazhe me peshë si ‘Marin Barleti’, ‘Gjergj Elez Alia’, ‘Onufri’ apo ‘Petro Marko’ apo statuja e riprodhuar e Skënderbeut për Bashkinë e Budapestit.
Në vilën e tij në ish Bllokun e Ambasadave Rada kishte çelur së fundmi një “Shtëpinë e artistit”, një mini muze të memories, për të kujtuar të gjithë kolegët e tij që vuajtën gjatë regjimit komunist edhe përmes pikturave të tij plot mesazhe të forta… E njihte mirë, persekutimin e totalitarizmit artisti, pasi e vuajti në lëkurë me burgosjen e babait.
Agim Rada realizoi statujën e heroit tonë kombëtar, Gjergji Kastrioti Skënderbeu që ësjtë vendosur në parkun qendror të Budapestit.
Skulptori lindi më 24 maj 1953 në Tiranë.
“Krijimtaria ime nuk ka qenë kurrë e politizuar, figurat kanë qenë përherë figura të ndritura të kombit, që nuk i kanë shërbyer politikës së ditës, që sot janë në maj të Olimpit nesër gremisen në fund.
Unë kam bërë figura që i kanë rezistuar kohës, ndriçimit që ata vetprodhuan. Për këtë jemi shumë borxhli vendit tonë. Prandaj, derisa të jap frymë, unë jam në shërbim të kombit edhe të këtyre figurave”, shprehej ai.