VOAL

VOAL

Natasha Lako: Rozmari Jorganxhi u kthye në përjetësi

September 29, 2020

Komentet

Arkivi i Voal.ch FOTO ANTOLOGJIKE – NGA FESTIMET E 28 NËNTORIT 2014 NË TETOVË ME AUTOR DRITAN ABDIJI

Arkiv i Voal.ch Dita e Flamurit 28 Nentor 2014 – Festimet në Tetovë
Voal.ch – TETOVË – Dita e Pavarësisë Kombëtare, Festa e Flamurit Shqiptar u festua dje anembanë hapësirës shqiptare dhe kudo në botë që ndodhen shqiptarët.

Py dyshim, festimet më të bukura, më madhështore ishin ato që qytetin e Tetovës, prej nga ne e shkëputëm këtë pamje për lexuesit tanë, në rubrikën ‘Foto antologjike’. Midis mijra fotove të shpërndara me këtë rast fotoja më e bukur është ajo e Dritan Abdijit, i cili ka fokusuar vajzat tetovare të veshura kuq e zi.

Fotoja e Dritan Abdijit i ngërthen të gjitha në vetvete, artin, filozofinë dhe momentumin historik dhe mesazhin!

I urojmë autorit suksese në të ardhmen!

PORTRETET E 40 FIRMËTARËVE TË PAVARËSISË – 40 SHENJTORËVE TË PAVARËSISË – VEPËR E PIKTORIT TË SHQUAR ARBEN MORINA

Arkiv i Voal.ch E Djelë, 11.25.2012, 08:19am (GMT+1)
Voal-online – 25 NËNTOR – Po sjellim portretet e 40 firmëtarëve të pavarësisë, vepër e piktorit Arben Morina. Ekspozita me portretet e shenjtorëve të pavarësisë është e hapur këto ditë në kryeqytet.

DHIMITËR EMANOIL MBORJA
FERIT VOKOPOLA
HAJREDIN CAKRANI


ILIAS VRIONI


BABË DUDË KARBUNARA


MIT’HAT FRASHËRI


MUSTAFA KRUJA MERLIKA


QAZIM KOKOSHI


QEMAL ELBASANI (KARAOSMANI)


QEMAL MULLAJ


SHEFQET DAIU


THANAS FLOQI


VEHBI DIBRA AGOLLI


YMER DELIALLISI


ABAS ÇELKUPA


ABDI TOPTANI


ARISTIDH RUCI


BEDRI PEJANI


DHIMITËR ZOGRAFI


DHIMITËR BERATI


DHIMITRAQ TUTULANI


DOM NIKOLL KAÇORRI


ELMAZ BOÇE


JANI MINGA


LEF NOSI


LUIGJ GURAKUQI


MURAT TOPTANI


MYRTEZA ALI STRUGA (DIBRA)


NEBI STEFA


NURI SOJLIU


PANDELI CALE


REXHEP MITROVICA


SALI GJUKA


SPIRIDON ILO


VELI HARXHI


XHELAL KOPRENCKA


XHEMAL DELIALLISI


ZIHNI ABASA KANINA (HAMZARAJ)


ZYHDI OHRI


Faksimile e Deklaratës


Teksti i Deklaratës


PIKTORI ARBEN MORINA NË STUDION E TIJ

https://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=INTERVIST%C3%8BPRESS&article=39752&fbclid=IwY2xjawOXjOZleHRuA2FlbQIxMABicmlkETBZdjlDZjE3eTdKUUtJQloxc3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHkFlXpvjcyQ6X8PZAjTDoaAeLTs2fb9uhoDYbevCi82u-N_wVHJRmbRNInD4_aem_7NMa6dhi18-SdvIMZAyVyw
WWW.VOAL-ONLINE.CH

PAVARËSIA NA FLAMURËRON ZEMRAT VLORËRISHT- Nga Albert Habazaj, Vlorë

 

Çfarë bëri me trimat Ismail Qemali
e di dhe gjyshi, dhe babai, dhe djali:
që ndezi zjarrin e shtëpisë shqiptare,
kur  dinakët donin ta shuanin fare.

.

Por Shkodra, dhe Lezha, dhe Kruja, Kanina,
Prizreni, dhe Shkupi, dhe Ohri, Janina,
Plaku i Bardhë dhe Luigji Mendjeqiell,
Baca Is’ e Rasih Dino na mbushën me diell.

.

Marigo Posio stafetën e Elena Gjikës,
e ngriti si kurorë të bukur të Dritës.
Dhe Qirinjve të Atdheut u falem unë,
larë me diell, qëlluar me furtunë.

.

Dhe Dibra, dhe Delvina, dhe Hasi, dhe Hoti,
Dhe labi, dhe malësori kanë frymë Kastrioti,
Dhe çami, dhe myzeqari, dhe ulqinaku qëkur
Janë firmë lirie e këngë për Flamur!

.

Se me centaurët Europa  rrufjane,
Kasandra me Pandorën europiane,
e plakur, e egër, marrëzisht e bukur
na ka dashur, na ka flakur e na ka ndukur.

.

U tkurr, u mpak, u mplak e nuk u gremis Nëna,
u trondit në flakë e nuk iu thye zemra.
Dhe deti, dhe fusha dhe maja e malit
si balli i bardhë i Ismail Qemalit.

.

Se s’është Vlora si Meka e Muhametit,
është anije e bardhë në mes të rrebeshit;
s’është Vlora as Bethlehem i Krishtit,
është vatër e mendimit dhe rrufe e gishtit.

.

Vlora është Vlorë, me dritë mes ciklonit,
është djepi ku u përkund palca e kombit;
është bërthama diellore e Flamurit,
me shqiponjën që fluturon mbi gjakun e burrit.

.
Vlora është magje e bukës kombëtare,
Është tharmi i mbrujtur në zemrat shqiptare.
Është  rrënjë e besim dhe vizion në shikim,
është  eshtër e dinjitetit  të kombit tim.
.
Urata e Plakut, si mirësi e ullirit,
u mbjelltë e shpërtheftë si lulet e prillit!
O ju zogj të Shqiponjës, po ju flas sinqerisht:
sot zemrat Pavarësia na Flamurëron Vlorërisht!

Sheshi i Flamurit, Vlorë. Vjeshtë e tretë, Njëzet e tetë, 2025

SHPATI, I BIRI I NAIMIT Nga Agim Vinca

 

Na pikëlloi pa masë ndarja e parakohshme nga jeta e këngëtarit Shpat Kasapi (1985-2025). Shpati ishte i pashëm si Xhorxh Kluni dhe i qeshur si Riçard Giri. Ishte një nga yjet e muzikës së lehtë shqiptare, që me zërin dhe interpretimin e tij pushtoi zemrat e artdashësve. Tani që ai nuk është më fizikisht, mua m’u kujtua babai i tij, Naim Kasapi, i cili po ashtu iku nga kjo botë në moshë të re. Babai i Shpatit dhe familja e tij ishin dibranë të ramë në Tetovë.

Në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar Naim Kasapi, si shumë të rinj të tjerë nga viset shqiptare në Maqedoni, studionte në Universitetin e Prishtinës, që në atë kohë ishte i vetmi universitet për shqiptarët këndej kufirit. Ishte student me korrespondencë i letërsisë dhe gjuhës shqipe. Pasi i dha të gjitha provimet u përcaktua për temën e diplomës në lëndën të cilën e ligjëroja unë: Poezi e sotme shqipe. Duhet të ketë qenë viti 1977/78. Unë atëbotë isha pedagog i ri, ende magjistër. Naimi diplomoi me temën “Poezia e sotme arbëreshe”, duke e trajtuar atë si pjesë të letërsisë shqipe në përgjithësi dhe si vazhduese e traditës së De Radës dhe korifenjve të tjerë të këtij krahu të letërsisë shqipe. Babai i Shpatit, Naimi, njeri i kulturuar e plot edukatë, punonte në Bibliotekën e Qytetit në Tetovë dhe ishte i gatshëm të të gjente në çdo kohë libra, revista e gazeta që mund të të hynin në punë. Mirëpo, fatkeqësisht, jo shumë kohë pas diplomimit, u nda nga jeta, afërsisht në moshën e të birit, duke lënë pas bashkëshorten, Gjylymseren, pedagoge e aktiviste e zellshme dhe fëmijët e vegjël, Shpatin dhe vëllain e tij.

Shpati u rrit, u bë burrë dhe njeri e artist i dashur për të gjithë shqiptarët, duke vazhduar kështu pak a shumë traditën familjare.

Pasi e dëgjova lajmin për ikjen e Shpatit dhe po shihja reagimet e shumta që vërshuan nga të gjitha anët, m’u kujtua babai i tij i ndjerë, Naimi dhe diplomimi i tij në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës me temën për poetët arbëreshë, fakt ky për të cilin pakkush di.

Duke i shprehur ngushëllime familjes, të afërmve, miqve, shokëve dhe artdashësve të Shpat (Naim) Kasapit, po e mbylli këtë fjalë të përzishme me dy vargje të poetit Vorea Ujko, bardit të poezisë bashkëkohore arbëreshe, të cilat duken si të ishin shkruar për Shpatin:

​​​“Kënga që dikur këndoja

​​​Tashti fle në buzët e mia…”.

U prehsh i qetë, i dashur Shpat, me këngë në buzë si gjithmonë!

 

Rrëfen shqiptaro-amerikani Rifat Tahir Prençi, ish i dënuar politik

Interviste e 2020

Shqiptaro-amerikani Rifat Prençi endet mes Shqipërisë dhe SHBA dhe tani në moshën 83 vjeçare, kur kujtesa e të kaluarës tek ai po bëhet më aktive se kurrë, ndjek gjurmët e të ndodhurave të jetës së tij, përgjatë një kalvari të pashembullt në rrugën e Golgotës. Në këtë rrugë vuajtje e privimi unik, me 23 vjet burg politik dhe me gjithë barrën e “mëkatave” të pa kryera mbi shpinë, jeta e tij ka pasur vetëm pak vezullime lumturie e kjo ka ndodhur vetëm pas hapjes së Shqipërisë me botën, kur mund të themi se ndriti dhe ylli i fatit të tij. Njohjen me familjen e shquar të Bushëve, me Bushin e Vjetër dhe të Riun, dy presidentët e shquar të SHBA-ve, Rifati e konsideron si kryefatin e jetës së tij, mbushur me plagë e dhimbje.

Pas disa dekadave, hapja e Shqipërisë mundësoi që për Rifat Prençin të intersoheshin njerëz me ndikim të fuqishëm politik në Amerikë dhe konkretisht George H. W Bush, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili në kohën kur i ati, Tahir Prençi, stërvitej në kompaninë 4000, e kishte njohur nga afër, pasi ishte nën komandën e drejtpërdrejtë të tij, si ish shef i CIA-s.

-Kush është Rifat Prençi?

-Jam me origjinë nga Dibra, i biri i Tahir Prençit, radistit të famshëm, stërvitur nga CIA amerikanë në kompaninë 4000, në Mynyh të Gjermanisë, ardhur si desantë në Shqipëri në mesin e viteve ’50 dhe kapur me dredhi nga Sigurimi i shtetit, ekzekutuar në mënyrë barbare nga klika e Diktaturës. Jeta ime ka rrjedhë në hullinj të trazuar, për shkak të tim eti, që konsiderohej “armik” nga Diktatura dhe mbi mua, si i biri i tij, ra me egërësi tehu i përgjakur i shpatës së një regjimi të egër e diabolik, që e kishte ndërtuar jetëgjatësinë e pushtetit të vet mbi vuajtjet dhe privimet e atyre që i quante “klasa të përmbysura”. Im atë nuk kishte bërë asnjë krim, përveçse nuk e donte komunizmin dhe për ta përmbysur këtë klikë gjakatare, që kishte ardhur nga stepat ruse, si pushtuese nga brenda e nga jashtë vendit, bashkëpunoi me aleatët historikë më të mëdhenj të popullit shqiptar, aleatët amerikanë.

Në kompaninë stërvitore 4000, në Mynyh të Gjermanisë, im atë dhe bashkëqëndrestarët antikomunistë shqiptarë, që përgatiteshin për të rrëzuar qeverinë komuniste të Tiranës, instruktoheshin drejtpërdrejt nga CIA. Babai im kishte lidhje të drejtpërdrejta dhe për më tepër kishte miqësi personale me ish shefin e CIA-s së atyre viteve, George H. W Bush, pra me Xhorxh Bushin e Vjetër.

Por, në kohën që ndodhnin këto, unë isha fëmijë dhe nuk e ndieja ende me gjithë egërsinë dhe brutalitetin e vet, peshën dërrmuese të luftës së klasave, që do të më rëndonte për rreth tre dekada si një makth…

Arrita të rregjistrohem “inkonjito” në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, kam pasur pasion shkencat matematike dhe inxhinierike, pasi edhe në shkollë të mesme, të cilën gjithashtu arrita ta marrë pa dhënë gjeneralitetet e sakta të përkatësisë nga ana e babait, dola me rezultate të shkëlqyera. Duke u ulur në auditoret e Universitetit, mendova se po më hapej një mundësi për t’i ikur rrethit të fatit të trishtë, që më ndiqte si një mallkim për shkak të qëndresës antikomuniste të babait, por në mes të studimeve, kur e zbuluan se i biri i kujt isha, jo vetëm më përjashtuan në mënyrën më flagrante të mundshme nga Universiteti, por më tej do të nisnin ndaj meje sprovat e kalvarit të burgjeve politike, burgjeve ferr të një regjimi burg. Me prova të sajuara e të montuara keq, pa asnjë hetim rreth fajësisë sime, e cila ishte sureale, më përplasën në dhomat e izlomit, në hetuesitë e një kohe të pa kohë, ku iu nënshtrova torturave nga më të egrat e sadiste, që do t’ua kishin zili dhe inkuiziotorët më fanatikë të Mesjetës.

-Ç’do të thotë të jeshë në moshën më të bukur të jetës dhe befas…të të ndahet koha në mes, falë një fataliteti?…

-Është një makth, që duket sikur të kafshon përbrenda si një përbindësh i fshehtë, cinik dhe agresiv. Gjithçka që kisha thurur në mendje dhe shpirt si një ëndërr për jetën rinore qe zhbërë brenda një çasti dhe pati nisur koha e privimeve të skajshme nga gjithçka. Sot është e lehtë të flasësh, por kur e ke vuajtur në lëkurë, sa herë që i rikthehesh, qoftë dhe shkarazi asaj kohe, atyre gjurmëve prej dhimbjeje, ndihesh keq dhe nuk dëshirë të vazhdosh të tregosh…Rrëfimi nuk të çliron, siç thonë, por duhet rrëfyer, duhen treguar krimet e përbindëshme të Diktaturës, që brezat të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në atë epokë gjakatare, që e keqja të mos përsëritet më kurrë.

-Çfarë ndodhi me ju pas hapjes së Shqipërisë, si përfunduat në Amerikë?

-Hapja e Shqipërisë erdhi si një ogur shprese për shtresën e përndjekjes politike, por shumë shpejt ish të dënuarit politikë do të ndesheshin me vështirësi e pengesa të shumta për t’u integruar në shoqërinë shqiptare. Vujatja e tejaskajshme dhe privimi i gjatë nga të drejtat dhe liritë themelore njerëzore na kishte lënë prapa dhe do të duhej shumë kohë që fëmijët tanë të shkolloheshin e të kapnin kohën e humbur. Nga ana ekonomike ishim të dërrmuar dhe të pashpresë. Gjithë zhurmënaja e integrimit dhe dëmshpërblimit të vuajtjeve tona në burgjet ferr të komunizmit rezultoi një retorikë boshe dhe propogandë elektorale e partive, që zëvëndësonin njëra tjetrën gjatë rrotacionit politik.

Por le të kthehemi tek pyetja juaj. Për fat të mirë, për mua si person u interesua një njeri shumë i fuqishëm, një lider me përmasa botërore, falë të cilit shkova në vendin e bekuar të lirisë dhe të drejtave qytetare, në simbolin e botës së lirë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjeta vetveten, atë që s’e kisha gjetur në vendin tim…Ai ishte ish Presidenti amerikan George H. Ë Bush, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga viti 1989 deri më 1993, në një periudhë të rëndësishme të shekullit të 20-të, ku ishte dëshmitar dhe protagonist në rënien e Perdes së Hekurt dhe mitit ideologjik të Bashkimit Sovjetik. Xhorxh Bushi i Vjetër, nëpërmjet ambasadës amerikane në Tiranë, më kërkoi dhe përgatiti gjithçka që unë të shkoja në SHBA, ku do të niste për mua dhe familjen time një jetë tjetër.

-Më pas u lidhët dhe me presidentin tjetër, Xhorxh Ë. Bush, Bushin e Ri, çfarë të ka bërë përshtypje tek ai dhe tek plaku, tek at e bir dhe familja Bush?

– Vajtja në Amerikë hapi për mua një faqe të re të jetës sime, e cila deri atëhere kishte qenë gri, për të mos thënë e zezë. Bushët u intersuan për mua, sikur të isha pjesë e familjes së tyre. Kam hyrje dalje familjare me familjen e shquar Bush, me te cilën ruaj lidhje dhe kontakte të vazhueshme dhe ju kam qenë për vizitë në raste gëzimesh e hidhërimesh, në ditë festash e ngjarjesh përkujtimore, të cilat ata i ndjekin në mënyrë rigoroze. Kam qenë në shtëpinë e Xhorxh  Bushit të Ri kur i vdiq e ëma dhe tani së fundi kur ndërroi jetë i ati, që ishte një lider karizamtik, me një madhështi rrëzëllitëse të përmasave botërore. Më kanë pritur me ngrohtësi e dashuri dhe gjithmonë më kanë pyetur se çfarë mund të bënin për mua dhe familjen time. Të dy, baba e bir, kanë qenë për mua një derë e hapur, edhe pse unë falë shtetit amerikan, për ndërtimin e së cilit ata kanë një peshë dhe kontribut të konsiderueshëm, m’i ka plotësuar të gjitha nevojat dhe kushtet.

Xhorxh W Bush (mua më pëlqen ta quaj Bushi i Ri) është njeri me shumë humor, të dëgjon me vëmendje dhe bëhet pjesë e kujtesës dhe emocioneve të tua, pjesë shqetësimeve të tua, në mënyrë krejt të natyrshme. Nuk është fare formal dhe protokollar, është mjaft i ngrohtë në komunikim, i çiltër dhe veprues, me të ndihesh mirë dhe mjaft komod.

Jam tepër falenderues për çfarë kanë bërë për mua, duke më dhënë një mundësi të madhe që, pas asaj traume të rëndë që kam përjetuar në ferrin komunist, të shijojë Edenin e lirisë dhe vlerave njerëzore në tokën e bekuar amerikane.

Portreti i super-radistit Tahir Prençi, që bashkëpunoi me CIA-n Rrëfen Mexhit Prençi

 

Ne foto Rifat Prençi qe nuk rreshti se kerkuari eshtrat e te jatit vrare nga diktatura komuniste

Urrejtja për fashizmin dhe bashkimi me nacionalistët kundër pushtuesve Italian. Arratisja në 1945 dhe si u tradhëtua nga Kim Filbi. Thirrja për Komitetin “Shqipëria e Lirë”: Vëllezër! Ejani të luftojmë kundër pushtimit komunist, nesër do jetë vonë. Enigma e zhdukjes së varrit, familja që la në Shqipëri, Burgosja e djalit të tij në Spaç dhe takimi pas viteve 1990 me ish-presidentin e SHBA-ve, Xhorxh Bush

PORTRET I SUPER-RADISTIT TAHIR PRENÇI, BASHKËPUNUES ME CIA-N DHE KOMITETIN KOMBËTAR “SHQIPËRIA E LIRË”

“Vëllezër! Ejani të luftojmë kundër pushtimit komunist, nesër do të jetë vonë”

Mexhit Prençi

Tahiri lindi më 1921 në Bardhaj-Reçin e pjerrët të Dibrës me këmbët në Drinin e Zi & kryet e katundit që ngjitet lart në Malin e Mëllezës, që duket sikur shpon qiellin…

Ishte fëmija i tretë i Sulejmanit, që njihej për trimëri & besnikëri në këto anë. Ashtu si i ati, Tahiri i binte çiftelisë dhe këndonte këngë trimërie, kërcente në vallet me shpata; fyellit i binte kur kulloste bagëtinë në fusha e male. Nëpër brimat e tij jehonin këngët për historitë e bëmat e luftëtarëve Maleve të Dibrës në luftrat e përgjakura kundër shkjaut, të udhëhequra nga Prijsi legjendar Elez Isufi.

Super-radisti Tahir Prençi sfidoi trysninë e Sigurimit të Shtetit, për ta detyruar të bënte lojë të dyfishtë që të vihej në shërbim të komunistëve, për të shtënë në grackë shokët e tij nacionalistë & për ta poshtëruar e zhveshur nga morali i lartë i atdhetarit dhe luftëtarit të lirisë, që ishte bashkëpunues me CIAN dhe Komitetin e Kombëtar “Shqipëria e Lirë .

Rifati, djali i Tahir Prencit

Gjer më 1939

Gjer më 1939, kur Shqipërinë e pushtoi Italia fashiste, Tahiri punonte në bujqësi. Ishte i zoti i punës. S’ia hante qeni shkopin thoshin për te. Trupmadh si i ati. i bëshëm, i fortë: në lojra me moshatarët, një nga një i hithte përtokë… Ishte njeri i guximshëm, i durueshëm dhe mentar, dinte të zgjidhte shokë e miq, me virtyte dhe besnikë…

Pas ditës së Zezë të 7 Prillit kur fashistët pushtues rekrutonin të rinjtë për t’i shkolluar e vënë në shërbim të tyre, që në kontigjentin e parë pikasën edhe Tahirin. Oficeri italian sapo e pa, foli në gjuhën e tij, pastaj tundi kokën… Përkthyesi e shqipëroi: “Do shkosh në Itali të bësh shkollë për officer”. Kështu malësori i Reçit u nis për studime ushtarake trevjeçare për në Romë. Atje u specializua për radio-ndërlidhje. Ishte ndër studentët më të shkëlqyer, unik, në alfabetin mors. mjeshtër si mundës. Me vullnet dhe guxim të paparë.

Kur mbaron shkollën kthehet në Shqipëri si oficer….

Për pak kohë shërben në Maqedoni… Fashizmin e urrente. Lidhet me nacionalistët për të luftuar kundër pushtuesve italianë. Fillimisht me Ramadan Kaloshin…Pastaj radhitet në brigadat partizane duke menduar se ato luftonin për liri e për atdhe. U tmerrua kur pa sesi eleminoheshin djemtë e rinj të familjeve të ballistëve, zogistëve dhe të klasave të pasura. Komandantët partizanë bënin ligjin. Shkonte pika e djalit për dhjam qeni. Para syve të tij ishte pushkatuar 15 vjeçari Salë Bodi. U arrestuan heronjtë e luftës Hasan e Halit Prifti….Shpirti i Tahirit u lëndua. Brenda tij u rebeluan ndjenjat e drejtësisë, idealit të lirisë dhe demokracisë…. ….

Në këto rrethana dramatike & tragjike, Tahiri takoi dhe kuvendoi me burrat e mendjes dhe të pushkës, Hasan Spata dhe Ymer Doda, (dy burra të nderuar dhe mentar të Çidhnës dhe Reçit… Në një moment ai u drejtohet atyre: “Vëllezër, kjo nuk është Shqipëria e Lirë. Ejani, të largohemi e të organizohemi të luftojmë për çlirimin e saj nga pushtimi komunist.… Nesër do të jetë vonë!…”.

Më 1945 arratiset me një grup zogistësh për në Greqi.

Prej andej në Gjermani. Në Mynih. U njoh me gjeneral Abaz Kupin, kolonel Xhemal Laçin etj. Xhemali ka dëshmuar se Tahiri shërbeu në Gjermaninë Perëndimorë gjer më 1950,. Ai thotë se ishte i zgjuar, profesionist i klasit të parë si radist. Aftësia e tij vlerësohej e jashtëzakonshme. “Maturia e gjakftohtësia si virtyte të dibranit, bënin që mos t’i fliste kurrë goja para mendjes. Emri i tij si super-radist do hynte në faqet e shtypit në vitet e Luftës së Ftohtë. Në zyrat sekrete kundërshtarët do ta thërrisnin “Tigri dibran”.

Tashmë Tahiri ishte më i pjekur dhe i përgaditur për t’u hedhur në luftë kundër terroristëve të Sigurimit të Shtetit. Me thirrjen që i bëri Abaz Kupi më 1950, bëhet më aktiv, punon më shumë, merr zemër e guxim më të madh, për të nisur betejën për mobilizimin e popullit në luftën më të vështirë për çlirim nga pushtimi komunist.

Më 1952 vjen në Shqipëri bashkë me një grup nacionalistësh antikomunistë. Vendosen në zonën e Bulqizës. Ishte bashkë me Zenel Shehun si kryetar…Në këtë zonë vepronin, të mobilizonin nacionalistët e bashkë me ta të kryenin misionin e tyre, sipas detyrave te caktuara. Tahiri jepte informacione si supër-radist. Askush nuk mund ta imitonte…. Megjithatë ëndrra të këqija e të frikshme i shfaqeshin në gjumë Në një bisedë me Zenelin, në shtëpinë ku ishin strehuar një natë i tregon se i faniteshin skena të tmerrshme të kurdisura nga dora e tradhëtisë. Ai i besonte ato, se besonte te Zoti….

Ëndra u bë zhgjëndër. Me sinjalet e KGB, – Sigurimi famëkeq i Shtetit të tiranit Enver Hoxha, kishte ngritur kurthe për t’i kapur nacionalistët, që vepronin në këtë zonë….

Koloneli anglez Kim Filbi i kishte tradhëtuar. Ishte lidhur edhe me Moskën. Bënte lojë të dyfishtë… I vënë në shërbim të zbulimit sovjetik jepte informacione për të gjitha vendet e Lindjes për të neutralizuar, kapur dhe asgjësuar, nacionalistët që përpiqeshin, në forma të ndryshme të organizoheshin në luftë kundër komunizmit dhe pushtetit të tyre.

Nga libri “ Fronti i heshtur” shkëpusim: “Sipas planit Kim Filbi ky kolonel anglez në shërbim të sovjetikëve, u dha atyre me saktësi vendndodhjen e nacionalistëve shqiptarë, të cilët filluan të binin një nga një në grackat e Sigurimit të Shtetit”. Në duart e zeza gjakatare dhe të pista të tyre ra edhe supër-radisti Tahir Prençi.

Gjatë qëndrimit në burg mbi të janë përdorur tortura nga më të rëndat dhe forma të ndryshme dhune për ta detyruar ta bënin për vete, që me tërë aftësitë e tij si super-radist, ta vinin në shërbim të Sigurimit të Shtetit që të bënte lojën e tyre; por Tahiri nuk tradhëtoi kurrë, as shokët, as veten, as atdheun, as idealet. Përballoi të gjitha llojet e torturave.

Nuk u ligështua.

Nuk u nënshtrua. Nuk u dorëzua. Përkundrazi gjithnjë mendonte si të delte nga kjo skëterrë e zezë dhe të fluturonte drejt lirisë. Askush s’e di mirëfilli si u arratis prej dhomave të izolimit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, por dihet se më 26 tetor 1952 ai nuk ishte më në atë Ferr. Thuhet që pas disa ditësh vritet nga Forcat e Ndjekjes. Po enigma mbetet enigmë. Edhe sot e kësaj dite, askush nuk përgjigjet, \askush nuk flet se ku gjendet varri i tij.

I biri, Rifati,.. (25 vjet në burgun e tmerrshëm të Burrelit ) –pas përmbysjes së diktaturës komuniste bëri çmos të mësojë të vërtetën. S’la gur pa lëvizur, s’la zyrë pa trokitur për të mësuar se ku gjendet varri i babait të tij të dashur. As Sigurimi i Shtetit, as PS, as PD nuk i dhanë asnjë informacion. Asnjë një sinjal, asnjë fjalë, për enigmën e zhdukjes së të jatit. Por siç thotë kënga, dëgjohet veç fishkëllima e erës dhe zëri i qyqes ku-ku, ku-ku….

Ka dhimbje i biri të dijë varrin e të jatit!…Ka dhimbje dhe trishtim e bija…E shkreta grua vdiq me brengë në shpirt pa e mësuar të vërtetën. Është një e drejtë njerëzore që të birit t’ia tregojnë vendin ku e kanë masakruar dhe groposur, që t’i zhvarrosë eshtrat e të jatit, për t’i rivarrosur me ndere si supër-radisti me famë botërore Tahir Prençi që sakrifikoi veten që Shqipëria të ishte e lirë dhe demokratike, e çliruar nga pushtimi i komunistëve enversitë.

Apel

Shteti shqiptar e ka për detyrë të zbulojë se ku gjenden eshtrat e Tahir Prençit dhe t’i rivarrosë me ndere ashtu siç nderohen figurat e shquara të kombit.

SHËNIM:

(Shkrimi është mbështetur në materialet e Arkivit të Sigurimit të Shtetit, (hulumtuar kur ish drejtor Kastriot Dervishi) dhe nga dëshmitë: Elez Prençi, Liman Prençi, Hasan Prençi, Shaban Kazia, Xhelil Prençi, Elez Rasha, Hamit Prençi, Rifat Prençi & nga Nanëmadhja ime, Vasha e Met Hasanit.)

U nda nga jeta mitikja Ornella Vanoni Përgatiti: Elida Buçpapaj

Vdekja ishte si një shaka për të. Dhe kështu i ndodhi. Si një shaka pa kthim. Ajo ka pak orë që e la këtë jetë që e jetoi vrullshëm sa një shumësi jetësh bashkë.

Gjithshka ndodhi tak-fak. Këngëtarja u rrëzua të premten në shtëpinë e saj në Milano pak para orës 23:00 . Ndërhyrja e 118 ndihmësve të urgjencës ishte e pasuksesshme. Ornella Vanoni dha frymën e fundit të premten, më 21 nëntor 2025, në shtëpinë e saj në Milano, në moshën 91 vjeç, nga arresti kardiak.

Një lamtumirë e papritur, edhe pse shpesh bënte shaka për vdekjen. Kështu ndërroi jetë një nga zërat më të bukur të muzikës italiane.

“Unë jam një grua e lirë. Nuk e kam lënë kurrë veten të më lidhin me asgjë nga askush. Dhe e kam paguar për gjithçka dopjo”, tha ajo më 22 shtator, në ditëlindjen e saj të 91-të. Dhe dy javë më parë, ajo bëri shaka në shfaqjen e Fabio Fazio-s. Pati jetën e një luaneshe të pazbukur kurrë. Zëri i bukur i “Tomorrow Is Another Day” dhe “The Music Is Over”, nuk këndon më.

Ornella Vanoni lindi në Milano më 22 shtator 1934, në një familje të pasur. Identitetin e saj milanez nuk e braktisi kurrë, për mirë a për keq. Ajo shihej shpesh duke shëtitur nëpër Brera me elegancë dhe klas. Në vitin 1953, ajo u regjistrua në Akademinë e Arteve Dramatike në Piccolo Teatro të Giorgio Strehler: aty mori edukimin e saj artistik. Ishte falë teatrit që ajo filloi të fitonte njohje jo vetëm si aktore, por edhe për performancat e saj muzikore. Ajo nuk kishte vetëm një zë brilant. Ajo ishte e bukur, arrogante, elegante dhe magjepsëse. Giorgio Strehler e donte në teatër dhe u dashurua çmendurisht me të. Ai ishte Pigmalioni i saj; ajo e ndoqi atë në pasion dhe erotizëm, por jo në drogë. Ajo e la atë. Muzika ishte pjesë e jetës së saj: këngë bandash, pjesë poetike-dramatike të lidhura me botën e krimit milanez, të cilat e bënë të famshme.

Por horizontet e saj ishin të destinuara të zgjeroheshin. Në vitin 1960, ajo takoi Gino Paolin: lindi një dashuri e madhe dhe një bashkëpunim intensiv artistik. Ai mbeti dashuria më e famshme dhe më e munduar e jetës së saj. Një marrëdhënie që, edhe pasi mbaroi, ia la vendin një miqësie të thellë.  Ata bënë turne së bashku me shumë sukses, dhe madje edhe në vitet e saj të mëvonshme, ajo do të kishte kënduar me kënaqësi me të: por “ai është si një ari që nuk del nga shtëpia”, tha ajo. Gjëja e habitshme për Ornelën është se pavarësisht pasionit të saj të madh për Ginon, në vitin 1960 ajo u martua me impresarion e njohur të teatrit dhe ish-këngëtarin Lucio Ardenzi: “Ajo martesë ishte një gabim”, përsëriste ajo shpesh. “Unë ende e doja Ginon, dhe ai më këshilloi të mos e bëja deri në fund.” Dhe me të vërtetë, martesa nuk zgjati, dhe kur lindi Cristiano në vitin 1962, të dy u ndanë. “Isha ende e dashuruar me Paolin,” rrëfeu ajo. “Ditën e dasmës sonë, duhej ta kisha braktisur altarin,  duhej të kisha thënë të vërtetën; do të kishte qenë më e ndershme.”

Dashuri të drejta dhe të gabuara, por Ornella nuk ndalet të mendojë shumë, ajo po fluturon. Ajo tani është tepër e famshme, duke marrë pjesë në shumë Festivale Muzikore të Sanremos, duke performuar në teatër dhe duke u shfaqur në televizion. Sukseset vijojnë me “Tristezza,” “Una ragione di più,” “L’appuntamento” (tani edhe kënga kryesore për “Belve”); dhe “La voglia la pazzia l’incoscienza l’allegria,” plot gëzim dhe sensualitet.

Në fund të viteve 1970, ajo pranon propozimin e Playboy dhe pozon nudo për revistën. Asnjëherë vulgare, gjithmonë tërheqëse joshëse. Ajo këndon dhe performon. Nuk ndalet. Në vitin 1985, Vanoni ribashkohet me Gino Paolin për turneun VanoniPaoli Insieme, një turne me bileta të shitura që prodhon një album të dyfishtë të paharrueshëm. Albumi i dyfishtë live “Insieme” do të regjistrohet. Ornella nuk e ul kurrë ritmin: albume të reja vazhdojnë të publikohen, ajo udhëton jashtë vendit për turne dhe koncerte, bashkëpunon me autorë dhe muzikantë të ndryshëm, përfshirë Paolo Fresu, dhe kthehet në Festivalin e Sanremos herë pas here.

Në vitin 2008 mori “Çmimin Milano Donna – gratë që e bënë Milanon të madh”, Çmimin Special Marisa Bellisario për Arritje Jetësore.

Një ikonë e sofistikuar, me një zë të pagabueshëm dhe një mënyrë elegante dhe sensuale të kënduarit që nuk është zbehur me kalimin e viteve. Deri dje. Ose më saktë deri disa orë më parë.

Në vitet e fundit, ajo ishte edhe më e dashur se në të kaluarën, për sinqeritetin dhe ironinë e saj. Vetëm vitin që shkoi, ajo dha një koncert magjik në Banjat e Caracalla-s, dhe kishte planifikuar të tjerë. Fabio Fazio e kishte të ftuar speciale të rregullt në “Che tempo che fa”, mbrëmjet e së dielës në programin Nove. Shumë e vlerësuar, ajo foli lirshëm për gjithçka. Ajo nuk kishte frikë nga vdekja, por nga vuajtja. Dhe bëri shaka për këtë deri në fund.

Nga batutat më të fundit tha se nuk besonte se do t’i priste dot Krishtlindjet.

Dhe nuk i priti dot. Iku e na la, por zëri dhe ironia e saj për jetën mbeti.

Dëshira e fundit e Binjakeve të famshme Kessler- Përgatiti Elida Buçpapaj

 

****

Carolin Reiber ishte mikja që mori  Paketën e Lamtumirës nga Binjaket Kessler.

Pak para vdekjes së tyre, Alice dhe Ellen Kessler i dërguan mikeshës së tyre Carolin Reiber një pako lamtumire. Siç tregon prezantuesja, ajo e mori paketën të shtunën, por nuk iu lejua ta hapte deri të martën. Të hënën binjaket e famshme Kessler kryen vdekje të asistuar.

Fotoja e fundit e Motrave Kessler në publik mban datën 24 tetor. Ato ndrisin të dyja, në mes kanë venë Prezantuesen televizive, Carolin Reiber. Fotoja është shkrepur posa kanë dalë nga premiera e Cirkut Roncalli ARTistART. Shfaqja u dha në Münich më 24 e 25 tetor.

Me Carolin Reiber ishin mikesha të ngushta, kishin jo vetëm lidhje profesionale, por ishin edhe shoqe e fqinje. Sikur u tha edhe mediave, Carolin Reiber e gjeti paketën  të shtunën në kutinë e postës. Dërgueset ishin Motrat Kessler. Sipër paketës shkruhejt që të hapej më 18, pra një ditë pas 17 nëntorit kur ata u larguan nga kjo botë, përmes vdekjes së asistuar.

Paketa përmbante “bizhuteri të bukura” dhe një letër lamtumire. Siç raportoi gazeta “Abendzeitung” e Münich-ut, Carolin Reiber nuk e priti të martën ta hapte paketën, por sapo mësoi të hënën për vdekjen e binjakeve.

Carolin Reiber  mahnitej nga bizhuteritë e Motrave Kessler dhe ato ia dhuruan. Reiber i tregoi gjithashtu mediave se të treja kishin planifikuar të shkonin së bashku në Deutsches Theater, si zakonisht, për premierën muzikore të ‘Pretty Woman’. Por Kessler-at e anuluan në minutën e fundit. Reiber tregoi gjithashtu se paketa përmbante edhe një letër lamtumire. Reiber kujtoi takimet e fundit të saj me Ellen dhe Alice. Në një intervistë me “AZ”, Reiber tha se binjaket Kessler “kishin patur një jetë ëndrrash, se ato arritën gjithçka në jetë, morën Urdhrin Bavarez të Meritës në verë dhe ishin pothuajse 90 vjeç”. Megjithatë, pas një goditjeje në tru, Ellen Kessler “nuk ishte më në gjendje të mirë shëndetësore”. Ellen dhe Alice Kessler, të cilat performuan si këngëtare dhe kërcimtare në kryeqytetet e gjithë Evropës për dekada të tëra kishin planifikuar vdekjet e tyre së bashku.

Siç konfirmoi Shoqata Gjermane për Vdekje Humane (DGHS) të hënën se ishte një vetëvrasje e asistuar. Sipas raportimeve, Motrat Kessler kishin qenë anëtare të shoqatës për njëfarë kohe dhe ishin të njohura me temën. Ato kishin caktuar datën e tyre të vdekjes, 17 nëntorin, dhe kishin pasur diskutime paraprake me një avokat dhe një mjek, të cilët më pas i shoqëruan ato deri kur dhanë frymën e fundit në shtëpinë e tyre në Grünwald.

 

Pak para se të binte sipari i jetës së tyre

 

Perdja e fundit ka rënë tashmë për Alice dhe Ellen Kessler; dy artistet kanë vdekur në moshën 89 vjeç. Ato u bënë të famshme ndërkombëtarisht si këngëtare dhe kërcimtare. Binjaket Kessler vdiqën së bashku në Grünwald më 17 nëntor 2025. Nuk kishte kaluar shumë kohë që kur ato kishin festuar ditëlindjen e një kolegeje të tyre të dashur në një takim miqësor. “Është mirë të largohesh nga Grünwald për një ndryshim,” thanë ata pasi mbërritën me taksi. Askush nuk kuptoi se për çfarë largimi bëhej fjalë. Ata pinë shampanjë, kuvenduan me shoqërinë këndshëm, por nuk qëndruan gjatë. Rreth 90 minuta, kohëzgjatja e një show apo filmave të tyre artistikë ku ato ishin protagoniste.

Ellen dhe Alice Kessler kishin folur edhe herë të tjera nëse do të kishin probleme me shëndetin. Tek Domenica In, njëra prej tyre i tha Mara Veiner se nëse ndonjëra do të vuante nga demenca, ato do të largoheshin së bashku. Fatmirësisht ato ishin të kthjellta deri në minutën e fundit. Ndërsa tek Bruno Vespa kishin treguar se trashëgiminë e tyre ia kishin lënë organizatës Medicine sans Frontiere.

 

Lidhja e ngushtë me Gazetën e Mbrëmjes të Münich-ut – Abenzeitung

 

Ato mbanin po ashtu lidhje të forta me Abendzeitung  – Gazetën e Mbrëmje së Münich-ut. Shtatë vjet më parë, në galanë e 70-vjetorit të Abendzeitung, ato kishin performuar; Alice madje kishte dhënë shfaqje në skenën Deutsches Theatre, ku biletat ishin shitur plotësisht. Në moshën 81 vjeç!

Vitet që pasuan kishin lënë gjurmën e tyre. Elen iu desh t’i nënshtrohej operacioneve dhe të dyja vuajtën nga dhimbjet – pavarësisht ushtrimeve fizike deri në pleqëri.

Tema e plakjes nuk ishte kurrë tabu për to. Por jeta në një azil pleqsh – nuk ishte një mundësi për Motrat Kessler. Ishte thjesht një perspektivë e tmerrshme që duhej shmangur me çdo kusht.

Binjaket Kessler kishin jetuar gjithmonë së bashku. Ato preferonin t’i jepnin fund jetës së tyre me dëshirën e tyre, në kohën e duhur; ato gjithashtu flisnin hapur për këtë me miqtë dhe të njohurit. Kur të vdisnin ? gurisht, së bashku. Ashtu siç bënin gjithçka së bashku. Alice pa Elenën, Elen pa Alicën: Kjo ishte thjesht e paimagjinueshme. Ato kanë jetuar gjithmonë së bashku, që nga viti 1986 në një vilë me dy pjesë  në Grünwald, njëra majtas, tjetra djathtas, me një derë lidhëse.

Prej kohësh ato i kishin kohë prerë lidhjet me partnerë romantikë, dmth burrat nuk kanë hyrë në shtëpinë e tyre prej një kohe të gjatë. Ata kishin krijuar një marrëdhënie kaq të bukur, midis motrash: “Ne e kemi njëra-tjetrën, nuk jemi kurrë vetëm – përveç kur duam të jemi. Kemi bashkimin e përsosur, pa xhelozi apo debate, siç e gjen shpesh midis çifteve”, i thanë ato AZ vitin e kaluar kur festuan ditëlindjen e tyre të 88-të. Edhe atëherë, ato nuk i fshehën problemet e tyre shëndetësore. Ellen tha: “Më vendosën një stimulues kardiak dhe pastaj fillova infeksione të traktit urinar. Pilulat pothuajse më bëjnë të depresionohem. Nuk kam përjetuar kurrë ndryshime të tilla humori më parë.” Kjo intervistë ishte në gusht 2024.

Që atëherë, kanë pasur shumë kohë për reflektime deri në lamtumirën e fundit.

Dhe e kanë planifikuar me kujdes deri në sekondën e fundit.

 

Pak para vdekjes së saj: Alice Kessler anulon abonimin e saj me Abendzeitung (Gazeta e Mbrëmjes) Të hënën në mëngjes (17 nëntor), postieri i dorëzoi një letër gazetës Abendzeitung.  Alice kishte bërë anullimin pas dekatash të  abonimit të përbashkët të binjakeve në gazetë. Fillimisht e kishte shtypur në kompjuterin e saj, dhe data e anullimit ishte më 30 nëntor, dhe më pas e kishte korrigjuar datën me dorë me një stilolaps – “17.11.2025”. Duket ka patur një ndryshim të datave. Aty shihet edhe autografi i Alice Kessler, që duhet të jetë i fundit.

Motrat legjendare Kessler e patën edhe një dëshirë të fundit, që edhe hirin e tyre ta përziejnë së bashku dhe urnat të vendosen pranë asaj të nënës së tyre.

 

 

Më 8 nëntor 1924, në qytetin e Vlorës, u hap Shkolla Tregtare

Më 8 nëntor 1924, në qytetin e Vlorës, u hap Shkolla Tregtare, një nga institucionet më të rëndësishme arsimore të periudhës së mbretërisë shqiptare. Krijimi i saj kishte për qëllim arsimimin dhe përgatitjen profesionale të të rinjve shqiptarë në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, me synimin për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe modernizimin e vendit.

Shkolla Tregtare e Vlorës u dallua shpejt për programet bashkëkohore të mësimdhënies, për cilësinë e formimit profesional dhe për rolin e saj në përgatitjen e specialistëve të aftë që do të shërbenin si në administratën publike, ashtu edhe në sektorin privat. Ajo u shndërrua në një qendër të rëndësishme të arsimit profesional ekonomik, duke kontribuar në formimin e një elite të re tregtare dhe intelektuale shqiptare, e cila do të luante një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike e shoqërore të Shqipërisë së kohës./Çlirim Duro/LinkedIn

 

Thuhet se ka thënë Petro Marko:

Shkollën Tregtare të Vlorës farkëtoheshin nacionalistë, në Korce propagandistë komunistë, në Shkodër fashistë, te Fultzi spiunë, Gjimnazi i Tiranës burokrate, tek Normalja e Elbasanit mesues.

In Memoriam – Dy lot’ m’pikuen N’nji sy Drini N’tjetrin Buna- Poezi nga Albi Çela –

I vetmuem
Dy lot’ m’pikuen
N’nji sy Drini
N’tjetrin Buna
Damart’ e thamun
Porsi Kiri n’djegaguer
Shpirti i trazuem
Si liqen’ i tërbuem
Taraboshi tuj’ gjëmue
Maranaj’ tuj’ ushtue
Britma, klithma
N’egzil t’dënuem
T’dëbuem
Si zogjt e qyqes
T’mallkuem
Aleman, Ingliz
Taljan, Parizjen
N’dhe t’huej
T’tjetêrsuem
Për gjî t’nans
Përmalluem.
Poezinë e Albi Çela e solli në rrjetin social mjekja Shqipe Saraçi, të cilën Voal.ch e falenderon.
Avokati 30 vjeçar Albi Çela, është njëri nga dy të rinjtë shqiptarë i fejuar me Samira Xhaferi qe humbën jetën në një aksident automobilistik në Cleveland, Ohio.

Arkivi i Voal.ch 11.11.2012 DEKORIME QË NGACMOJNË PLAGË TË PAMBYLLURA – Dekorimi i Diana Çulit prej presidentit italian pati jehonë negative Nga LEKË TASI

E Djelë, 11.11.2012, 05:07pm (GMT+1)

Dekorimi i Diana Çulit prej presidentit italian pati jehonë negative ndër të përndjekurit nga komunizmi dhe më gjerë.

Ky gjest i Zotit Napolitano, sigurisht i bërë nën sugjerimin e këshilltarëve të tij njohës të vendit tonë, hyn në serinë e veprimeve perëndimore të pakuptueshme për shumicën e shqiptarëve, qofshin të kënaqur ose jo prej tyre. Gjeste që ndofta Europa dhe Amerika ia bashkojnë ndihmës bujare që na japin , me qëllim të na mësojnë me një tolerancë dhe harresë të cilat ato vetë, si vende me ligjshmëri normale nuk i praktikojnë.

Sido që të jënë motivuar, në Shqipëri mbetet e gjallë trauma mbi fatin e papërfunduar të viktimave të Komunizmit, ngaqë nderimi që u takon nuk është përmbushur ende.

Ndryshe nga ajo që ndodh tek vendet perëndimore (qoftë dhe ato ish fashiste, si Spanja , ku nderimi solemn qysh nën regjim frankist u bë i barabartë për të rënët e të dyja palëve), tek ne nuk është zbatuar drejtësi as me persekutorët ( krimet e tyre janë edhe sot të padënuara zyrtarisht), as me të rënët, mbasi shumë prej tyre quhen ende sot tradhtarë prej së vetmes histori që sheh dritën e diellit tek ne, dhe pa varr në daç të mirëfilltë ose virtual.

Këtu qëndron pakënaqësia e opinionit , e përqëndruar në rastin konkret te kjo shkrimtare me borxh të pashlyer ndaj një poeti të ri, Genc Leka, të pushkatuar në Librazhd thjesht si pinjoll i një familje kundërshtare.

Borxhi : ekspertiza e saj mbi vjershat e tij, që e hartuar sipas pëlqimit të hetuesve, ofroi në gjyqin e Librazhdit në 1976 bazën “profesionale”për atë krim të pushtetit nbi një të pafajshëm.

Duke mos kërkuar falje publike për ndihmën që u dha ekzekutorëve , ajo prej shumë vitesh tërheq indinjatën e familjeve të viktimave dhe të një sektori të gjerë opinionit që priret të mos harrojë krimet më flagrante.

Ka mendime se në atë kohë dëshmi të tilla shkëputeshin me dhunë ose frikësim, ndaj nuk ka kuptim të insistosh në to. Eshtë e vërtetë, por pjesërisht. Kur për 20 vjet të tëra, ky tension mes familjeve të viktimave dhe shkrimtares vazhdon i acaruar, duhet kërkuar më thellë shkaku.

Një gabim i bërë nën detyrim, thjesht deklarohet, dhe tensioni bie.

Këmbëngulja për të mos i bërë një koncesion human kategegorisë së masakruar, mendojmë se ka të bëjë me një pozicion politik që vullneti i “vazhdimësisë” e mban të gjallë, pa asnjë lëkundje ,pavarësisht nga propaganda demokratike që përdor për të mbledhur vota. Ai personifikohet tek partia SD ku militon shkrimtarja, e vetmja forcë që në gjithë spektrin postkomunist , humbjen e pushtetit e ndien më thellë , dhe këtu qëndron shkaku i kokëfortësisë saj.

Ajo përfaqëson një vijë politike të bazuar tek teza: “mos na bezdisni fort se ne bëmë luftën, na takon të udhëheqim dhe sot”. Dhe kultivojnë në maksimum lobingun; sëkëndejmi dhe premiot për meritë … Ambasadat perëndimore` e njohin mirë gjendjen në vend, ndaj bëhet shqetësuese përzgjedhja që ato bëjnë në sferën tonë letrare me dhënien e çmimeve.

Eshtë kontribut paqtues ky?

Kur konsultojmë librin e Bedri Blloshmit ” Fabrikimi i Vdekjes” (një volum që duhet të jetë një pistë alternative për ambasadat krahas kontakteve që kanë me intelektualët e veshur mirë që bëjnë lobing në pritjet që japin ato) , gjejmë në grupin e vogël të dëshmitarëve intelektualë që ndihmuan “teknikisht” gjykatën e Librazhdit drejt vendimit të nderuar me çmime, nga Franca dhe Greqia, pa shqiptuar asnjë fjalë pendese .

Një dëndësi e tillë dekorimesh në këtë kategori flet për një preferencë ndaj pjesës më të papenduar të së kaluarës diktatoriale, gjë që e bën edhe më të pakuptueshme politikën perëndimore ndaj nesh, kur prej vitesh Parlamenti Europian kërkon nga parlamenti ynë të dënojë zyrtarisht krimet e Komunizmit.

 

LEKË TASI

Marie Lasgush Poradeci kujton të jatin në ditën e largimit me një letër të tij shkruar vajzës

Babai im i dashur. Ti e nise fluturimin per ne parajse me 12 nentor 1987, mbasi e kishe kryer destinin tend, e nise nga shtepia jote dhe ne krahet e vajzave te tua. Ashtu siç kish urdheruar i madhi Zot qe te ka ne krahet e tij.

Merr. Kostandina Lasgush Poradeci

Lagja e Mburimave, rruga Çeta e Mokrës nr 56

Pogradec.

Tiranë e Mërkurë 17 tetor 1979,

Kostandinë bijë e dashur edhe trimëreshë e babajt, dola të Hënën më 15 Tetor prej spitalit, Pavjoni XIV ku më suall pas operacionit të kataraktit të syrit t’im të djathtë prej Doktor Ylli Shtyllës. Nata e parë pas operacionit ishte e tmerëshme për mua 24 orë pa gjumë sepse me dhembje të mëdha të syrit, ndjenja pështirosje për të vjellë nga 4 injekcionet rreth syrit dhe medikamentet në sy, e të tjerat, e të tjerat. Si nuk vdiqa natën e parë përveç netëve të tjera, 10 net me rradhë të tjera, që më s’thosha në vehten time do vdes, jo nga frika e vdekjes, meqë gjithë gjëja e gjallë ka frikë prej vdekjes, po nga torturat në trup. Nuk thesha më nga torturat do vdes, po edhe në natën e parë kur nga torturimi thesha me vete do vdes, nuk më vinte frikë të vdes, siç ka gjithë njerëzimi frikë, s’e ndjenja frikën si gjithë njerëzimi atë natë – sepse, bijë e babait, atë natë të kisha ty pranë, vdisja në duart e tua. Kur vdes njeriu edhe kafsha kur vdes, do që të ketë një qënie pranë, ose një njeri të dashur pranë, ose një njeri pranë, edhe kur s’ka as të dashur njeri pranë, as një njeri sidokodo pranë, prek me dorë, me dorën që vdes, atë qënien, atë sendin që ka pranë, atë gurin, atë bluashkën edhe atë fijen bar që ka pranë, kaq keq isha, Kostandinë e babajt, atë natë kur si e dërguar nga engjëlli ti më ardhe bijkë e babait papritur pa kujtuar prej aq larg, prej Poradeci, më ardhe pa të thënë njeri, me inisiativën tënde të guximshme, aq vendimtare aq guximtare. Dhe si më rrinje ti ashtu pranë e lodhur e kapitur ditë e natë, unë të falem nderit tashi babkë dhe t’i puth ëmbël, ëmbël fort syçkat e bukura edhe të mënçme. Kaq po të shkruaj, dua të vi në Poradec çdo ditë, po s’ka kush më gjen maqinë se unë vetë jam pa fuqira prej spitalit.

Të kisha lekë, mirja një takximetër angazhé, isha për tre orë aty, po ku të gjesh lekët. Të përqafon dhe të puth me shumë mall babaj tënd.

Lasgush

 


Send this to a friend