Edhe kjo me “na ishte…” fillon si çdo prrallë
E ka si subjekt historinë me nji Patë
E cila e plagosun e veç shpirtin gjallë
Te tufa e saj ia mbërriti nji natë.
“Nana Patë” e thirrni jo veç për shkak moshe,
Por se shumë prej tyne i kishte çilë e rritë,
Ndërsa tash, n’atë hall, s’iu gjet kund nji qoshe,
S’iu gjet pak ushqim, s’iu gjet nji rreze dritë!
“Unë po ngroh vezët”, “Unë po mbledh ushqime”,
“Unë për zogjtë e vegjël jam tu’ u kujdesë”,…
Të gjithë iu shmangën me kto justifikime
E ajo deri dje shpresa, u ndi e pashpresë.
Me krahë të varun, me kamë tu’ çalue,
Me lotët për faqe e në pikëllim të thellë,
U sorollat rrugëve deri sa u strehue
Diku mbas diellit, larg në nji shpellë.
Kaloi shumë kohë pa marrë asnji haber
Nëse nana Patë ishte gjallë a vdekë,
Der’ nji ditë që erdhi nji Pëllumb postier
E u tha se ajo tashmâ e kishte lanë kyt jetë.
Lanë vezë e zogj, lanë ushqim e punë
E nganë të gjithë n’varrimin e nanës Patë
E ashtu n’mes lotësh Kumrinë ndigjuen
Ndërkohë që po e vajtonte atë krahthatë:
“Ku-ku baj për ty, moj e mjera mike,
Ku-ku dhe për kta që s’erdhën kurrë me t’pa,
Ku-ku që pa kënd afër prej ksaj bote ike,
Ku-ku, sot t’i shohësh sa shumë janë tu’ kja!”