Ajo nuk e fsheh se ka qenë një nga këngëtaret e preferuara të udhëheqjes komuniste. Ka kënduar nëpër mbledhje, takime delegacionesh, madje dhe në ditëlindjen e diktatorit.
Naile Hoxha, një nga emrat më të mëdhenj të muzikës popullore shqiptare tregon si ia nisi rrugës së muzikës, si erdhi në Tiranë me kërkesën e Enver Hoxhës, për të ndërtuar një karrierë gati 60-vjeçare.Naile Hoxha nuk ka asnjë arsye për t’u ankuar. E ka zgjedhur vetë Enver Hoxha, ka kënduar për delegacione të huaja, madje edhe në përvjetorin e 60-të të diktatorit. Ajo nuk e fsheh se edhe mbiemri i njëjtë me udhëheqësin e asaj kohe, e ka ndihmuar shumë.
Me një zë melodioz, fytyrë të qeshur, një nga këngëtaret më të suksesshme dhe më të dashura për publikun dhe udhëheqjen komuniste, interpretuese e dhjetëra këngëve tregon se si i hyri rrugës së këngës kur ishte vetëm 13 vjeç, si e solli Enveri në Tiranë, udhëtimet jashtë shtetit dhe marrëdhëniet me këngëtaret e tjera.
Sa për sot, ajo thotë se është më mirë, por nuk i pëlqen aspak që këngëtaret zhvishen në skenë. “A do të këndosh apo të tregosh trupin?!”, pyet ajo me habi, pasi gjithë jetën e vet ka kënduar e veshur me kostume popullore, e prapë se prapë ka qenë shumë e suksesshme.
Naile Hoxha thotë se nuk e kishte frikë sistemin e shkuar, por nuk e ka as nostalgji. Ajo bënte mirë atë që dinte të bënte. Ka kënduar bukur e me ndjenjë si këngët për dashurinë, si këngën e famshme “Xhamadanin kuq si gjaku”, “Moj e mir synin larush”, “Djal i dashtun”, “Seç po fryn fllad pranvere”, etj., ashtu edhe ato për Partinë.
Dhe kur e pyet se si i ka rezistuar atij regjimi ajo thotë thjesht: “Kam qenë e urtë. Nuk kam bërë asgjë tjetër, veçse kam kënduar”. Më shumë ajo rrëfen vetë në një intervistë që ia morëm në shtëpinë e saj, ku na priti me shumë dashamirësi.
A e mbani mend kur keni dalë për herë të parë në skenë? Si ka ndodhur?
Kam qenë 13 vjeçe kur kam dalë për herë të parë në skenë. Unë punoja në një shtypshkronjë. Aty këndoja për qejf dhe kur më dëgjuan, zëri im u pëlqeu. Më thanë dilja dhe të këndoja. Pata sukses që herën e parë kur dola në skenë. Më pas më ka marrë Radio Shkodra dhe që në moshë të re dhe kam bërë disa regjistrime.
Flitet se ju jeni zgjedhur nga vetë Enver Hoxha për të kënduar. A është e vërtetë?
Po, e vërtetë. Erdhi njëherë në Shkodër tek Shtëpia e Kulturës. Na thanë se duhet të këndonim me rastin e vizitës së Enverit. Ai erdhi. Kur u ngjit për shkallësh, i bukuri i dheut ishte.. Atëherë ishte 42 vjeç. Këndoi Luçije Miloti, Ibrahim Tukiçi, Xhevdet Hafizi, Bik Ndoja dhe të gjithë të tjerët. Mua më lanë për në fund. Këndova këngën: “Në pranverë që kena hi/drandofilja po lul’zon…”, një këngë që ta nxjerr mirë zërin. E këndova dhe e përshëndeta. U bëra gati të shkoj në vendin tim. Foli shkodranisht: “Po hajde, hajde njëherë ti k’tu”. Unë shkova ku ishte Enveri dhe i vendosa dy duart tek krahët. Më pyeti se a shkoj në shkollë. Jo, i thashë unë, vetëm tek shkolla e natës, sepse punoj në shtypshkronjë. “Punon dhe këndon, shumë mirë”, tha ai. “Po kush asht njaj djali atje?”, prap shkodranisht më pyeti. “Është i fejuari”, i thashë. Erdhi burri im dhe i dha dorën, e pyeti se ku punon dhe i tregoi se ishte shofer. E pyeti për moshën. Atëherë ai ishte 18 vjeç, kurse unë 15. “Shofer dhe me kurajo”, tha Enveri. Meqë i pëlqeu zëri im, tha se duhet të shkonim në Tiranë. U martuam dhe shkuam në Tiranë, pas 3 vitesh nga ajo ditë. Kur shkova, Ansambli nuk ishte hapur akoma dhe më dërguan tek Estrada.
Ju keni shumë këngë të bukura, që i këndoni dashurisë, rinisë, natyrës etj. Po për partinë, a keni kënduar?
Për partinë kam kënduar shumë. Ata kishin mbledhje, vinin edhe të huaj. Nuk e di si do duket ta them, por zëri im pëlqehej shumë. Kështu që kam kënduar shumë për Partinë. Kush e di sa herë kam kënduar “Rrofsh Enver sa malet tona”.
Dihet që kënga popullore dhe përgjithësisht arti tradicional u serviret si vlerë dhe krenari delegacioneve të huaja. A jeni ftuar gjatë kohës së komunizmit për të kënduar para delegacioneve të huaja, apo përgjithësisht para vizitorëve të huaj?
Shumë herë kam kënduar për ta dhe jam takuar me shumë të huaj. Ia kam harruar emrin një mbreti që ka ardhur njëherë për vizitë në Tiranë. Ai kishte ardhur në një mbrëmje me Enver Hoxhën dhe krerët e lartë të shtetit të atëhershëm. Unë u vesha si malësore dhe dola e këndova. Mbreti i tha Enverit “shumë bukur ajo që këndoi më përpara dhe shumë bukur edhe kjo që kërceu”. Enveri ia ktheu se “Është e njëjta ajo që këndoi e ajo që kërceu”. Pra, unë edhe këndoja edhe kërceja. Që e vogël vinin lodraxhinjtë dhe shkoja me ta, këndoja e kërceja me ta. Për të gjitha delegacionet e huaja më të rëndësishme kam kënduar unë. Por me të huajt nuk kam biseduar, sepse nuk dija gjuhë të huaj.
Cilët nga ish-udhëheqja e lartë, i kishte më për zemër këngët tuaja?
Nuk mund të them për këtë. Gjithsesi Enver Hoxha më ka pëlqyer shumë, por edhe Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e të tjerë funksionarë të lartë të kohës. Më kanë pëlqyer përgjithësisht të gjithë. Sidomos kur interpretoja këngët shkodrane.
A ju ka ndodhur që funksionarë të lartë të PPSH-së t’ju kenë ftuar që të këndoni në gëzimet e tyre familjare?
Po, kam shkuar kur Enveri mbushi 60 vjeç. Më çuan që të këndoj për ditëlindjen e tij. Këndova këngën: Kuvendon Marta me gra/ Burrin plak mjerë kush e ka/ Hall më të madh nuk ka moj motra/ Kur e sheh burrin ndej te votra/ 60 vjetat i ka mbush… Kur kam thënë “60 vjetat i ka mbush”, sikur më ra të fikët e më erdhi turp, sepse Enveri kishte 60- vjetorin dhe atij nuk i dukej shumë. Menjëherë e kam ndërruar dhe kam bërtitur: “E vërteta është partia/ i falsha shumë prej ditëve të mia…”. Pra të njëjtës këngë ia ndërrova dorë për dorë tekstin. Më pas, kur po zbrisja shkallët për të shkuar aty ku isha ulur, Enveri më tha: “Naile, unë nuk të njoha”. Mbeta unë dhe nuk kisha çfarë të thoja dhe nuk fola fare.. U stepa. Më pa se u frikësova dhe më tha menjëherë “Eja, eja këtu në tavolinën tone”. Shkova në tavolinën e tyre. (Gjatë mbrëmjes bëhej një lojë. Një grua shpërndante ca letra të palosura. Kujt i binte ajo me vrimë, ishte me fat). Enveri e kishte pa birë letrën edhe unë pa birë. Më tha: Naile nuk na ra gjë. I thashë: Po, po, mua po. “Jo, tha, nuk na ra”. I thashë: “Unë kam shumë fat, se jam te tavolina juaj”. Sepse kujt i binte letra me birë cilësohej me fat. Aty ishin në tavolinë Nexhmija, Mehmet Shehu dhe gjithë të tjerët. Për të tjerët s’kam kënduar në festa familjare, vetëm për Enverin.
Ju mbani mbiemrin Hoxha. A ju favorizoi gjatë komunizmit ky mbiemër, të cilin e kishte edhe ish-udhëheqësi i PPSH-së, Enver Hoxha?
Unë mbiemrin e vajzërisë e kam Tula, ndërsa nga ana e burrit e kishim Hoxhiç. Meqë Enveri e kisha Hoxha, mua më përafruan dhe ma bënë Hoxhaj. Unë i thashë: Shoku Enver, unë nuk e kam mbiemrin Hoxhaj, por Hoxha. “Po pse ta kanë ndërruar”, më tha. Nuk e di, i thashë. “Mirë, tha, se e rregulloj unë”. Unë kisha dëshirë ta bëjë si udhëheqësi dhe ashtu ndodhi. Mbiemri më favorizoi shumë.
A keni dalë jashtë shtetit për të kënduar gjatë sistemit komunist? Nëse po, a nuk ju shkoi në mendje që të arratiseshit?
Po, unë kam dalë shumë jashtë Shqipërisë për të kënduar. Kam qenë në Kinë, Vietnam, Kore, Bullgari, Rumani, Francë, Angli, Algjeri, Tunizi në Itali dhe shumë shtete të tjera. Aq shumë e doja Shqipërinë, sa në një rast, kur ishim jashtë, erdhi përgjegjësi dhe i tha Luçije Milotit. Luç, do të rrimë edhe 3 ditë më shumë. Ah sa mire, tha Luçija dhe e pyeti, a do të na japin lekë. Po, tha ai, po shkoj me i marr. E di ç’ke ti, i thashë unë, shko e merri dhe me ato lekë, unë do nisem që nesër për Shqipëri. Nuk e kam dashur vendin e huaj. Ne ishim në Egjipt kur ndodhi kjo. S’jam tunduar që të arratisem. Unë kam vajzën në Gjermani. Ndenja 3 vite atje dhe nuk munda më shumë, ika se ika. E dua Shqipërinë. Kurrë nuk mendoja të arratisesha. S’kam pasur frikë nga ai sistem, asnjëherë.
Një jetë me këngën popullore, a keni tentuar që të këndoni edhe këngën e lehtë? Jo, asnjëherë, sepse s’më ka pëlqyer. Vetëm këngën popullore. Vaçe Zelën e kisha shoqe të ngushtë. Jemi dashur fort dhe Vaçja më pëlqente shumë kur e këndonte, por ishte shumë e rëndë si muzikë. Vetëm Vaçja e këndonte, kurse unë doja populloren.
Është folur shumë që këngëtaret e muzikës së lehtë kanë pasur rivalitet dhe spiunime mes njëri-tjetrit. Po mes këngëtarëve të këngës popullore, si kanë qenë marrëdhëniet, a ndiheshin xhelozitë mes njëri-tjetrit?
Njëherë na thanë se keni një mbledhje dhe na thanë se do këndonim dhe do flisnim për Partinë. Unë as nuk fola, e as nuk këndova në atë mbledhje. Kur kishim një shfaqje, Drita Papajani më tha: Ti nuk këndove e as nuk fole për Partinë. Unë i thashë: “A e di se çfarë ka thënë Partia? Atë fjalë që e flas unë, ka thënë shoku Enver, tregojeni në skenë se, njësoj ka folur për mua, kur një këngëtare është e zonja në skenë. Edhe unë në skenë jam e zonja”. Pas kësaj bisede, Papajani nuk ka folur për mua, sepse e kishte babain prift dhe nuk mundte. Spiunime nuk ka pasur mes nesh këngëtarëve të këngës popullore, sepse na “e ka mbledhur” Partia dhe nuk ka mundur kush. Nuk ka guxuar kush.
A ju ka ndodhur që ndonjë koleg/kolege të ankohet në parti apo ndokund tjetër për ju?
Jo nuk është ankuar kush, sepse kam qenë tejet e dashur me shokët e shoqet. E zonja e punës, po dhe nuk kanë pasur nevojë.
Si ka arritur Naile Hoxha t’i shpëtojë atij sistemi që ka ndëshkuar shumë artistë të tjerë?
Kam qenë e urtë. Nuk kam bërë asgjë tjetër, veçse kam kënduar.
Ngacmime a kishte për ju femrat nga udhëheqja?
Jo, jo, për mua jo. Nuk njoh as ndonjë tjetër. Nuk jam ndjerë keq asnjëherë. Edhe Nexhmija më ka dashur fort. Kur ishte puna për të shkuar jashtë shtetit, mua më vinte të parën në listë dhe pastaj vendet e tjera i linte bosh, për t’i vendosur të tjerët. Artistin e do çdo qeveri dhe artistët duan çdo qeveri, sepse mua nuk më duhet gjë si e drejton vendin dikush, sepse puna e një artisti është vetëm për të kënduar bukur.
Më mirë atëherë apo sot?
Jo, më mirë sot. Shqipëria ka ndryshuar totalisht. Nuk kam nostalgji për atë kohë. Një gjë ka pasur të mirë, shkoja për të kënduar dhe rrija deri në 2 të natës, dhe askush s’të thoshte asnjë fjalë.
Po këngëtarët ishin më të mirë atëherë apo sot?
Atëherë më të mirë ishin. Sot zhvishen femrat këngëtare lakuriq. Nuk bën. A do të këndosh apo të tregosh trupin?! Njëherë më dërgoi drejtori i Estradës të këndoj në një dasmë, sepse martohej një shok i tij. U desh ta dëgjoja, se ishte drejtori… Shkova dhe i thashë burrit tim: Do shkoj të këndoj, se më ka thënë drejtori, marton një shokun e vet. Shumë mire, më tha, dhe nuk bëri zë. Të nesërmen dola në punë dhe erdhi burri im tek drejtori dhe i tha: Dua të heq Nailen nga puna. U çudit, pse, tha, është më e mira. Jo, i tha ai, e kam futur në punë për t’i kënduar popullit e jo shokëve tuaj që martohen. Që atëherë drejtori s’më tha asnjëherë më. Enverit nuk ka mundur që t’i thoshte kështu natyrisht, se kishim frikë.
A ka sot këngëtarë si Luçije Miloti, Xhevdet Hafizi, Ibrahim Tukiçi, Bik Ndoja e të tjerë?
Jo nuk ka, nuk vijnë më. Të gjithë kanë vdekur dhe nuk i ka zëvendësuar kush. Edhe unë do vdes, sepse jam 82 vjeçe dhe nuk ka kush të më zëvendësojë.
Pas muajsh mospajtime, shumica e anëtarëve të Unionit të Transmetuesve Evropianë (EBU) u pajtuan që të ndryshojnë rregullat e votimit, që do t’i mundësojnë Izraelit të marrë pjesë në Festivalin Evropian të Këngës, Eurovision në maj.
Kjo nënkupton se të gjitha shtetet që duan të marrin pjesë në garën muzikore mund ta bëjnë një gjë të tillë.
Pas këtij vendimi, organizatat transmetuese nga Spanja, Irlanda, Holanda dhe Sllovenia njoftuan më 4 dhjetor se do ta bojkotojnë këtë ngjarje.
Transmetuesi spanjoll, RTVE është një nga pesë financuesit kryesorë të ngjarjes. Ndërsa, Avrotos nga Holanda tha se vendimi ishte “rezultat i një procesi të kujdesshëm”.
Sllovenia tha se vendimin e mori për shkak se “nuk marrin pjesë në Eurovision nëse Izraeli merr pjesë. Në emër të 20 mijë fëmijëve që vdiqën në Gazë”, tha kryetarja e bordit të transmetuesit publik slloven, Natalija Gorscak.
EBU dhe ORF e Austrisë, si transmetues mikpritës, kanë zhvilluar diskutime të shumta javëve të fundit për të parandaluar bojkotin.
Një nga mesazhet kryesore ishte se spektakli më i madh muzikor në botë është një ngjarje e organizuar nga transmetues publikë dhe kjo ngjarje nuk duhet të jetë politike.
EBU gjithashtu kishte ndryshuar rregullat për votimin në Eurovision.
Tani publiku ka më pak ndikim, ndërsa roli i jurisë në dy gjysmëfinalet dhe në finale është forcuar.
Ndryshimet erdhën si reagim ndaj rezultatit të Eurovisionit që u mbajt në Bazel, ku këngëtarja izraelite, Yuval Raphael doli e dyta falë numrit jashtëzakonisht të lartë të votave nga publiku.
Dyshohej se votimi ishte bazuar në një mobilizim strategjik të shikuesve në favor të Izraelit.
Një Wolfgang Amadeus Mozart 4-vjeçar ulet në një tavolinë, zhyt me ngathtësi stilolapsin në bojën e shkrimit dhe kompozon një koncert për piano. Babai i tij shqyrton kompozimin dhe shpërthen në lot për shkak të aftësisë së djalit të tij.
Kjo skenë përshkruhet në një letër nga një mik i familjes Mozart, një nga 12 letrat që “Fondacioni Ndërkombëtar Mozarteum” në Salzburg i mori si dhuratë nga një familje koleksionistësh në Këln t[ë Gjermanisë.
“Nuk do të kishim mundur ta blinim këtë koleksion”, tha Ulrich Leisinger, drejtor akademik i “Fondacionit Mozarteum”.
Dokumentet nga familja Mozart, nga koleksioni i Hans Joachim Eggers, përbëjnë shtesën më të rëndësishme për “Mozarteum” në 100 vitet e fundit. Eggers, një virolog që vdiq në vitin 2016, kishte kaluar 30 vite duke ndërtuar koleksionin më të rëndësishëm privat të Mozartit në Gjermani.
Trashëgimtarët e tij tani kanë përmbushur dëshirën e tij për t’i kaluar këto vepra tek fondacioni.
Fondacioni zotëron koleksionin më të madh në botë të dokumenteve origjinale të Mozartit. Ai përbëhet nga më shumë se gjysma e të gjitha dokumenteve të njohura të familjes Mozart, duke përfshirë rreth 200 letra origjinale nga vetë Mozarti.
Dokumentet e reja do të jenë në ekspozitë në shtëpinë e kompozitorit të madh në qytetin austriak deri më 1 shkurt.
I lindur në Salzburg në vitin 1756, Mozart konsiderohet si një nga kompozitorët më të rëndësishëm të periudhës klasike. bw
Të nderuar kryeministra, ministra, drejtorë institucionesh, federacione futbollesh, media audio-vizive, organizatorë koncertesh, eventesh, banketesh, regjistrimesh, artistë që luani në rrugë, apo në kisha dhe salla të tjera etj., etj., etj.,
Kur përdorni në të gjithë botën muzikën e Feim Ibrahimit, jeni të lutur t’i drejtoheni fondacionit kulturor “Feim Ibrahimi”, për të marrë lejen e përdorimit të saj!
Nuk është pronë e juaja, por është pronë e këtij fondacioni!
Nuk keni asnjë të drejtë përdorimi, pa lejen e shkruar të fondacionit dhe pa paguar tarifën përkatëse për përdorimin e kësaj muzike!
E vetmja organizatë që mund të japë leje për përdorimin e saj (me, ose pa pagesë, si ta shikojë të arsyeshme drejtuesi i kësaj organizate), është pikërisht fondacioni “Feim Ibrahimi” dhe vetëm ai ka të drejtë t’ju autorizojë, si drejtpërdrejt, ashtu edhe nëpërmjet agjencisë së administrimit kolektiv “Albautor”, për ta interpretuar atë, duke specifikuar në çdo publikim tuajin, autorësinë e saj!
Edhe në rastet kur muzika e Feim Ibrahimit është pjesë e koncerteve me vepra të autorëve të ndryshëm, jeni të detyruar, përveç se të merrni autorizimin e fondacionit, të plotësoni gjithashtu formularët e posaçëm dhe të paguani detyrimin ekonomik, për t’u pajisur nga SUADA me autorizimin për përdorimin e muzikës në koncerte, apo evente të çdo lloji.
Jeni të lutur të zbatoni ligjin shekullor të së drejtës së autorit!
Me zërin që i dridhej dhe lotët që nuk i pushonin, këngëtarja Big Mama ka mbajtur një fjalim lamtumire në ceremoninë mortore për Shpat Kasapin, i cili u nda nga jeta papritur në moshën 40-vjeçare.
Në mesazhin e saj, artistja nga Tetova tha se “Shpat Kasapi nuk ka vdekur”, pasi ajo që ka lënë pas do të jetojë përgjithmonë.
“Kjo nuk është lamtumirë miku, por kjo është një shihemi përsëri”, tha Big Mama mes lotësh.
Ajo kujtoi edhe fillimet e jetës artistike me Shpat Kasapin, që kur ishin fëmijë. “Sot jam këtu në këtë skenë që për ne të dy nuk qenë vetëm, skenë, ka qenë vendi ku kemi marrë frymë për herë të parë si fëmijë, si artistë. Kemi ndarë ëndrra, frikë dhe gëzim. Këtu kemi rritur, talentin, shpresat dhe miqësinë tonë. Sot jam këtu në këtë skenë që për ne të dy nuk ka qenë thjesht skenë, por vendi ku kemi marrë frymë për herë të parë si fëmijë”, deklaroi Big Mama.
Më tej ajo u shpreh: “Sot nuk kam fjalë për ta përshkruar boshllëkun që na ka lënë. Na ike shumë herët, shumë padrejtësisht, por kujtimi i tij do të rrojë në zemrat tona në cdo melodi që ai këndoi, në cdo buzëqeshje që na dhuroi dhe në cdo skenë, emri i tij do të përmendet gjithmonë. Shpat, miku im, kemi nisur bashkë prej këtu dhe sot prej këtu po të them lamtumirë. Do të na mungosh në cdo hap, në çdo moment e kujtim. Por ti nuk ke vdekur kurrë, zëri yt, shpirti yt, e gjithë dashuria që ke lënë pas do të jetojë përgjithmonë. Sot nga kjo skenë ku nisëm si fëmijë, po të lëshoj me lot, por të mbaj me shpirt. Kjo nuk është lamtumirë miku, por kjo është një shihemi përsëri”.
Këngëtari Shpat Kasapi u përcoll me duartrokitje nga Pallati i Kulturës në Tetovë, ndërsa arkivoli me trupin e pa jete ishte i mbuluar me flamurin shqiptar. gsh
TETOVË- Në Pallatin e Kulturës në Tetovë u zhvillua sot ceremonia mortore për këngëtarin e ndjerë Shpat Kasapi, i cili u nda papritur nga jeta në moshën 40-vjeçare. Qysh në orët e para të mëngjesit, familjarë, miq, bashkëpunëtorë të afërt dhe adhurues të muzikës së tij u mblodhën për t’i bërë nderimet e fundit artistit.
Atmosfera ishte e rënduar, ndërsa dhjetëra persona u panë me lot në sy teksa kalonin pranë arkivolit për të përshëndetur për herë të fundit këngëtarin që shoqëroi me muzikën e tij një brez të tërë shqiptarësh.
Në ceremoninë mortore morën pjesë edhe emra të njohur të skenës, si Blero, Adelina Tahiri, Big Mama dhe Dafina Zeqiri, të cilët u bashkuan me familjen e Kasapit për të nderuar karrierën dhe kontributin e tij në muzikën moderne shqiptare.
Pas homazheve në Pallatin e Kulturës, trupi i Shpat Kasapit pritet të përcillet për në banesën e fundit, ndërsa qyteti i Tetovës është mbuluar nga një atmosferë zie për humbjen e artistit të dashur.
Këngëtari i njohur nga Maqedonia e Veriut, Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta më 26 nëntor 2025, do të përcillet sot për në banesën e fundit.
Lajmi i dhimbshëm është konfirmuar nga familja e tij, që me pikëllim kanë shpërndarë detajet e ceremonisë mortore. Homazhet për artistin do të zhvillohen sot, duke filluar nga ora 12:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ndërsa ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 14:00 në varrezat e qytetit.
“Me hidhërim të thellë kumtojmë ndarjen nga jeta të birit, bashkëshortit, babait, vëllait dhe mikut tonë të dashur, Shpati ishte një zemër e pastër, një shpirt i gëzueshëm që jetonte me këngë në buzë dhe me dritë në sy. Ai përhapte vetëm dashuri e mirësi, dhe kushdo që e njihte, e ndiente ngrohtësinë e tij. Largimi i tij i papritur na ka thyer zemrat. Do të na mungojë zëri i tij i butë, buzëqeshja e sinqertë dhe prania e tij qetësuese. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar për ne,” thuhet në njoftimin e familjes.
Familja ka ftuar të gjithë ata që dëshirojnë të nderojnë kujtimin e Shpatit dhe t’i japin lamtumirën e fundit artistit të dashur, të marrin pjesë në ceremoninë mortore. bw
Melania Trump njoftoi se ka themeluar kompaninë e saj prodhuese, Muse Films, një lajm që vjen pak para publikimit të dokumentarit të gjatë të Amazon MGM Studios për të.
Dokumentari, me titull Melania, do të jetë debutimi i kompanisë së re dhe është regjistruar nga Brett Ratner. Ai do të shfaqet në kinema më 30 janar në SHBA dhe në disa vende të tjera të përzgjedhura, për t’u ndjekur më pas ekskluzivisht në Prime Video të Amazon.
Muse Films u prezantua për publikun përmes kanaleve zyrtare të rrjeteve sociale të Trump, ku u publikua edhe një video me logon e kompanisë. “Prezantojmë: Muse Films. Kompania ime e re prodhuese,” shkroi Melania Trump. “Melania – filmi, ekskluzivisht në kinema në mbarë botën më 30 janar 2026.” Amazon kishte siguruar të drejtat për dokumentarin që në janar.
Filmi fokusohet tek 20 ditët para inaugurimit të Donald Trump në vitin 2025, të shikuara përmes perspektivës së Zonjës së Parë.
Dokumentari pasqyron organizimin e planit të inaugurimit, sfidat e tranzicionit në Shtëpinë e Bardhë dhe rikthimin e saj në jetën publike me familjen, duke përfshirë pamje ekskluzive nga takime kyçe, biseda private dhe vende që nuk janë shfaqur më parë.
Melania Trump është producente ekzekutive e filmit, së bashku me Fernando Suliczin nga New Element Media. Prodhimi i dokumentarit filloi në dhjetor të 2024-ës. bw
Këngëtari Shpat Kasapi do të varroset ditën e nesërme në orën 14:00 në Tetovë, kanë njoftuar familjarët e tij në rrjetet sociale.
Këngëtari shqiptar vdiq më 26 nëntor pas një sulmi në zemër, në moshën 40-vjeçare. Sipas njoftimit, homazhet për të do të mbahen nesër nga ora 12:00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë e më pas do të kryhet ceremonia e varrimit.
Shpat Kasapi hyri në tregun e muzikës qysh në fillim të viteve 2000. Prej atëherë, u bë një prej yjeve të estradës.
Njoftimi i familjes:
Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të birit, babait, bashkëshortit, vëllait dhe shokut tonë të dashur, SHPAT KASAPI
(1 Maj 1985 – 26 Nëntor 2025)
Shpati ishte një zemër e bardhë, një shpirt i gëzuar që jetonte me këngë në buzë dhe me dritë në sy. Ai falte vetëm dashuri e mirësi, dhe kush e njohu, e ndjeu ngrohtësinë e tij.
Ikja e tij e papritur ka thyer zemrat tona. Do të na mungojë zëri i butë, buzëqeshja e tij e sinqertë dhe prania që na jepte qetësi. Kujtimi i tij do të mbetet i paharrueshëm për ne.
Të gjithë ata që dëshirojnë t’i japin lamtumirën e fundit Shpatit tonë të dashur janë të mirëpritur të marrin pjesë në ceremoninë e tij.
Homazhet do të mbahen të Dielen, 30.11.2025, në orën 12:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë.
Varrimi: në orën 14:00, në varrezat e qytetit të Tetovës.
-Ndjehem si peshku pa ujë! -ma ktheu ai. -Ishte njeriu im më i afërt. 42 vjet bashkë. U njohëm te revista “Hosteni”. Unë djalë. Ai humorist i madh. Vazhduam bashkë në koncerte. Hartuam bashkë skenare dhe skeçe. Bashkë te “Fiks Fare”, bashkë me pushime në Sarandë. Ai ishte pjesa ime e dytë ose isha unë pjesa e dytë e Koços.
-A mund të qajë Filip Çakuli?
-Kam ndjerë dhimbje të madhe, por nuk kam derdhur lotë as për humbjen e mamasë e as për vdekjen e babait. Si ndodhi që më rrodhën lotët? U futa në zyrën e Koços… Bosh… Gazetarët kishin vendosur mbi tavolinën e punës së tij një tufë me lule. Pashë dy palë syze(njëra e dëmtuar),kompjuterin,një cigare të lënë përgjysmë,letra,disa karikatura… Ngriva. U ula në karrige. Ndenja ca minuta, fshiva sytë dhe pa i folur askujt u futa në zyrën time.
-Të ngushëlluan? -vazhdova të këmbëngul me pyetje unë.
-Si asnjëherë. Mbi 1000 telefonata. Mesazhepa fund.
-Koço Devole në skenë ishte aktor i madh, por jashtë skene ishte i heshtur, i mbyllur,dukej si i bezdisur nga njerëzit.
-E ke gabim, -ma ktheu Filipi. -Ai ishte shumë popullor, në skenë dhe jashtë saj. Ishte humoristi më i madh i Shqipërisë. Qe aktor,regjizor,bënte karikatura me ide. Qe skenarist. Ai, si humorist, mund të krahasohet me Qamil Buxhelin.Kur ecnim rrugës me Koçon, gjenim belanë. E ndalonin qytetarët: “Bëjmë një foto? Dua një foto tjetër me djalin”. Kishte të tjerë që kërkonin autograf. Mua më kërkonin të ndërhyja te Koço që të shkonte të luante në estradat e Shkodrës, Fierit, Vlorës, Tiranës. Me Koçon donte të dilte në skenë Skënder Sollaku, Zef Deda, parodistët e Vlorës, Aleko Prodani, Fadil Hasa. Nuk gjen regjizor që nuk donte ta kishte aktor në filmat e Kinostudios ose në telenovelat e televizioneve. Po koncertet në Pallatin e Sportit, në estradën e Tiranës, në Pallatin e Kongresit a mund të më gjesh njeri që mund t’i bënte si Koçoja? Jo dhe jo. Po pse? Sepse ai ishte si magjistar. I mblidheshin aktorët ekëngëtarët, që nga Vaçe Zela, Tonin Tërshana, Liljana Kondakçi, Luan Zhegu, Parashqevi Simaku, Aleksandër Gjoka e të tjerë. Nuk mund të gjesh mes aktorëve njeri puntor, iniciator, fantazist si ai. I palodhur dhe i rreptë në punë, por i dashur dhe i respektuar pas punës. Unë bëhem kurioz dhe e pyes: -Koçon e mbaje për vete apo ishte edhe pjesë e familjes?
-Kur jetonim në Lushnje, Koço hynte dhe dilte te ne si në shtëpinë e tij. Bënte humor me Vasilikën,luante me dy djemtë e mi, Zhanin dhe Orestin. Ata qeshnin me lot, sepse ai ishte aktor jo vetëm në skenë, por edhe mes fëmijëve.
-A ka ardhur Koço në Dërmisht?
-Sa herë që shkonim në Sarandë, ngjiteshim në fshat, -thotë Filipi.-Dhe çdo herë që shkonim babai bënte festë. Mamaja gatuante pulën që therte babai. Bënte pita. Mbi tavolinë shtrohej raki e verë. Ndërkohë hapej fjala në fshat.Shkonim në klub, tavolinat plot. Dikush qeraste me një gotë verë, dikush me raki,një tjetër me kafe. Koço bënte humor: tregonte barcaleta. Njerëzit qeshnin me lot. Bënin shaka. Largoheshin të lumtur. Babai mburrej dhe krekosej se kishte mik shtëpije të madhin Koço Devole! Pa ikur mirë nga fshati më pyeste se kur do vinim përsëri… Për dy-tre vjet nuk vimë, ia ktheja unë. U harxhojmë ju dhe fshatin. “Lëri këto! Koçoja bie në shtëpi dhe në fshat humor. Nuk i sheh sa të gëzuar janë njerëzit?!”- më thoshte babai.
-Kam mendimin se humori i madh bëhet vetëm në vatan,-them unë përsëri.-Pse mori arratinë Koçoja përtej oqeanit?!
-Ai iku në Amerikë me familjen në vitin 1998. Kishte arsye. Vendi ishte sketerrë. Bandat qeverisnin vendin. Estradat u mbyllën.Humoristët luani tavëll ose me letra. Bisnesi u tha. Nuk kishte para për sposorizime. Arti nuk bëhet nga shtëpija. Një ditë më mori në telefon dhe më tha: “Filip! Po të ra rruga nga Amerika, të pres në shtëpi.”Pas disa muajsh një biszesmen më pagoi biletat. Na dha edhe ca para xhepie bashkë me gazetarin Genc Tirana hipëm në avion.Vizitën e parë në Nju Jork e bëmë në shtëpinë e Koços. Jetonte në mes të pyllit. Shtëpi e bukur. Pronar ishte dhëndri,djalë i zoti, nga Kosova. Ishte bizesmen. Kishin dy vajza. E pyeta një
ditë Koçon: “Çfarë bën në Amerikë?”
-“Dy vjet më parë jepja koncerte për emigrantë. Qytet më qytet. Bashkë me Pëllumb Kullën, Agim Krajkën, Xhevahir Zenelin, Anita Bitrin etj. Por u lodha. U mërzita,u bezdisa. Tani nuk bëj asgjë. Jetoj si i vdekur. Dal për peshk. Rrallë për gjah. Fle. Ëndërroj për humorin.
-Pse nuk vjen në Tiranë?
-Të tund derën apo të mas rrugët?
-Jo. Hajde të punojmë bashkë në Top Channel!
-Por te Top Channel-i ka zot hauri. Pa ftesën e Tanit, nuk e lë Amerikën”…
-U ktheva në Tiranë. I thashë Tanit: “Sikur të marrim në punë Koço Devolen?!”
-Bën shaka! Ai jeton në Amerikë? Vjen të punojë me ne? Unë e kam adhuruar Koçon që fëmijë. Mes shokëve tregonim batutat e tij. Në çdo kohë derën e Topit e ka të hapur.”
-Pas disa ditëve Koço mbërriti në Tiranë.Biletën e avionit ia preu Tani. Pimë kafe të tre. Më i lumturi ishte Tani.
E pyes Filipin: -“Fiks Fare” në vitet 2000 ishte një risi në televizion dhe në humor. U përshtat Koçoja?
-Ai kishte lindur për të bërë çdo gjë. Bënte skenare. Dilte në skenë. Imitonte, shkruante. Solli në jetë shumë personazhe. Bënte monitorimet me Doktorin, Palomën, Fonin. Improvizonte. Shumë miq e shokë më thoshnin se jam me fat që punoj me Koçon. Kur mungonte ndonjë ditë në ekran, kërciste telefoni:”Ku është Koçoja?!”
-Për arsye të mos arsyes Koço u arrestua në Itali. Politikanët bënë sehir?- e pyes unë dhe Filipi më thotë:
-Përkundrazi. Sali Berisha më thirri në Parlament. Më tha se në Itali kishte mik një avokat të njohur. “Zoti Biondi ka qenë edhe ministër i drejtësisë në qeverinë e Berluskonit. Do flas me avokatin. Ai do bëjë të pamundurën për ta nxjerrë të pafajshëm. Nuk ka mundësi që një humorist kaq i madh si Koço Devole të merret me drogë.” Më thirri edhe Ilir Meta. Në atë mot ishte ministër i Jashtëm. Më tha se do bënin të pamundurën në rrugë diplomatike për Koçon. “Do bëjmë disa shkresa zyrtare ku do të tregojmë se cili është për shqiptarët Koçoja.” Ndërkohë Gjergj Luca dhe Agron Duka u treguan të gatshëm për të ndihmuar Koçon nga ana finaciare.
-Shkove në Itali?
-Po. Dy herë. Së pari me Gjergj Lucën. Koçoja ishte i burgosur në Rimini. Takuam avokatin. Dorëzuan dokumentat. Herën e dytë shkova me një përkthyese. E takuam Koçon në burg. Ishte me humor. “Kam trajtim ekstra,” -tha Koço.-“Biruca ime është si një dhomë në hotel me pesë yje. Bëja humor me karabinierët, por nuk kuptonin. I detyrova të mësojnë shqip. Tani u tregoj dhe qesh vetë. Por unë jam i pafajshëm. Më zunë në një makinë. Unë mbaja në duar, si lodër, një vegël. Nuk e dija çfarë ishte. Na kapën karabinierët. Shtypën një sumbull nga vegla që mbaja unë në dorë, diçka kërciti dhe u hap një kuti me drogë. Por unë isha pasagjer. Nuk
dija gjë. Isha viktimë. Por do dali e vërteta.”U bë gjyqi. U mbyll gjyqi. Koço doli i pastër!Por u trishtova me politikën ditën që Koço Devole u nda nga jeta. Ministria e Kulturës duhet të organizonte homazhe. Po kështu qeveria duhet të hapte sallën e “Pallatit të Kongreseve” për t’i dhënë lamtumirën humoristit të madh. Atë që la mangunt qeveria, e bëra bashkë me Agron Llakën. Folëm me drejtorin e Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe ai dërgoi dy motoçiklistë që shoqëruan kortezhin.
-Të la ndonjë amanet Koçoja?
-Po… Një ditë, si shumë herë të tjera, u ulëm për drekë. Ishim vetëm të dy. Ai më tha se kishte merak djalin dhe mbesën. Djali kishte ardhur nga Italia dhe jetonte bashkë me të. A kishte zanat? Vetëm shofer. Ndërsa mbesa, Sindi,ishte studente në Itali. Çdo muaj i dërgonte 300 euro. I duhej edhe një vit që të mbaronte masterin. Pasi Koçoja u largua nga kjo jetë, e rregulluam djalin shofer në spitalin Gjerman. Më pas takova Sindin. E pyeta se kur e mbaronte masterin. I duheshin edhe katër muaj…E plotësova edhe amanetin e dytë të Koços…
Në fund e pyes Filipin: -E ka pasuruar biografinë tënde Koçoja?
-Kam punuar 42 vjet si gazetar. Kam botuar 10 libra. Kam shkruar qindra artikuj. Le të harrohen të gjitha. Mjafton të mbetet në biografinë time fakti që kam punuar, kam jetuar, kam bashkëpunuar dhe kam bërë humor me Koço Devolen.
Festivali i Këngës në RTSH ka bërë publike datat e edicionit të sivjetshëm. Sipas organizatorëve, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, festivali do të zhvillohet më 17, 18, 19 dhe 20 dhjetor.
Edicioni i këtij viti do të mbledhë në skenë emra të njohur të muzikës shqiptare. Prej disa javësh është bërë publike edhe lista e këngëtarëve që këtë vit, ku interesi është i lartë, për shkak edhe të Eurovision, ku shkon kënga fituese. Por ndryshe nga vitet e shkuara, këtë herë problem duket se është shndërruar emri i moderatorëve që do ta drejtojnë këtë spektakël përgjatë 4 netëve. Shkak për këtë duket se janë bërë edhe financat e këtij institucioni.
Nga organizatorët është kërkuar që drejtues të ishte Salsano Rrapi, përkrah natyrisht edhe me një moderatore tjetër. Por duket se drejtuesit e RTSH kanë kërkuar që në krye të jenë moderator ekzistues në RTSH, Fjodora Fjora dhe Flori Gjini, duke qenë se këta të fundit nuk do të marrin pagesa të mëdha. Për moderimin krah tij, fillimisht u mendua Jonida Shehu, por duke qenë se festivali synon një “erë rinie”, u propozua Arilena Ara.
Sipas burimeve, bukuroshja mund të kërkojë një shumë të lartë, që mund të jetë e vështirë për televizionin publik, i cili ka hasur vështirësi ekonomike kohët e fundit. Deri më tani ende nuk është vendosur për emrin e moderatorit, por ajo që dihet më siguri, është se emri, cilido që të jetë, nuk do të zgjidhet edhe kaq lehtë. Edhe këtë vit drejtoreshë e Festivalit është Elhaida Dani, e cila ka kërkuar që të ketë në skenë si moderator Salsano Rrapin.
Kujtojmë që më herët, Arbana Osmani dhe Luana Vjollca kishin dorëzuar një projekt për të qenë në krye të këtij programi. Deri më tani emri i asnjërës nuk është përfolur si prezantuese të mundshme. Problemet ekonomike duket se po prekin edhe spektaklit më të rëndësishëm të muzikës, duke bërë që kur mungojnë më pak sesa një muaj nga nisja e Festivalit, ende nuk është vendosur emri i moderatorëve që do të jenë në skenë.
Ajo që është e sigurt, është fakti se këtë vit, në Pallatin e Kongreseve nuk do të shohim as Arbanën e as Luanën, të cilat janë refuzuar si moderatore, pikërisht për shkak të pagesave të larta që kanë kërkuar. Mbetet për t’u parë nëse do të jetë Arilena, apo Fjodora ajo që do të jetë mikpritësja e netëve të muzikës live. Panorama
Ndarja nga jeta e këngëtarit Shpat Kasapi ka prekur publikun dhe artistët shqiptarë kudo në botë. Mes tyre reagoi edhe Bebe Rexha, e cila publikoi në Instastory një video të Shpatit duke kënduar, shoqëruar me një pëllumb dhe flamurin shqiptar.
Edhe pse me karrierë ndërkombëtare, Bebe Rexha mbetet e lidhur me rrënjët shqiptare. Ashtu si Shpat Kasapi, të dy janë me origjinë nga Maqedonia e Veriut.
Shpat Kasapi u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare pas një ataku kardiak në Itali. I lindur në Tetovë, ai ishte një nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare që nga fillimi i viteve 2000, me hite të shumta dhe një karrierë të dashur për publikun.
Kompozitori dhe producenti Gent Myftaraj ka ndarë emocionet dhe dhimbjen e tij pas ndarjes së papritur nga jeta të këngëtarit dhe mikut të tij të afërt, Shpat Kasapi, i cili u shua një ditë më parë në moshën 40-vjeçare pas një ataku kardiak.
I ftuar në studion e News24, Myftaraj rrëfeu kujtime të forta dhe momente të veçanta nga miqësia dhe bashkëpunimi i tyre shumëvjeçar.
“Shpati u ka dhënë shqiptarëve buzëqeshje në dasma e koncerte me muzikën e tij. Dje, sapo hapja rrjetet sociale, pashë vetëm dashuri për të. Të gjithë kishin një foto me Shpatin. Ai duhet ta shikonte vetë këtë dashuri,” u shpreh Myftaraj. Ai vuri në dukje se këngëtari njihej jo vetëm për hitet e tij, por edhe për thjeshtësinë dhe sjelljet e tij prej njeriu të mirë.
Kompozitori kujtoi edhe fillimet e bashkëpunimit të tyre: “Bashkëpunimi im i parë me Shpatin ishte në Festivalin e Këngës, të dy ishim për herë të parë. Ai e bëri hit këngën time dhe më hapi një dritare të madhe në botën e artistëve. Disa artistë e shikonin me skepticizëm për shkak të stilit të tij të gëzuar, por Shpati këndoi më mirë se 80% e këngëtarëve që ishin aty.”
Myftaraj foli edhe për marrëdhënien e veçantë të Shpatit me nënën e tij, që e shoqëronte kudo: “Nëna e tij është një shembull krenarie për shqiptarët e Maqedonisë. Më vjen shumë keq për të. Ai e kishte gjithmonë pranë.”
Ai rrëfeu se lajmin tragjik e mori teksa ishte në gjumë, nga bashkëshortja që e zgjoi e tronditur. “Më pyesnin nëse ishte e vërtetë. Të shtunën kisha folur me të për një spektakël. Ishte i qetë, flisnim për dietën, për sheqerin që donte ta hiqte. Nuk pati asnjë ankesë shëndetësore.”
Myftaraj tregoi se Shpati e kishte humbur të atin nga i njëjti problem shëndetësor dhe se kjo e kishte ndjekur gjatë gjithë jetës: “I ati i atij ka ndërruar jetë nga e njëjta gjë. Shpati ishte djalë i shëndetshëm, por ndoshta mbante gjëra brenda vetes. Kishte një buzëqeshje të madhe, por mund të ketë pasur shqetësime që nuk i shprehte.”
Në fund, kompozitori përmendi edhe kujdesin e veçantë që bashkëshortja e Shpatit kishte për të: “Ajo e merrte gjithmonë në telefon, kujdesej për të.”
Komentet