Dikur thirrje telefonike, kur numrat nuk u regjistronin në operator dhe ishte e zorshme të zbulohej kërcënuesi, pastaj nisën kërkesat për takime, më vonë kërcënimet klasike e deri te paditë nëpër gjykata. Secila fazë më e avancuar se tjetra, me metoda nga më të ndryshmet për ta penguar fjalën e lirë.
Terror i përditshëm, shantazh, linçim, kërcënim! Normalitet, ku grupe bandash me lidhje politike, zyrtarë partish, disa të fortë financiarisht e të tjerë kapadainj e deri te kryeministri s’e kanë as më të voglin problem që të dalin përpara për të të frikësuar. Dhe jo anonime, por me emra dhe mbiemra, kërcënohen gazetarët e sidomos ata kur prekin temat e korrupsionit, të religjionit dhe të drejtësisë.
Veprimet e tyre dallojnë nga karakteret që kanë: ka prej atyre që nisin me sharje. Kryeministri, Isa Mustafa, gjatë fushatës zgjedhore e pati quajtur gazetën “Zëri” “gazetë fashiste”, por askush nuk reagoi! Nuk ishte për të mos u marrë seriozisht fyerja e një lideri të partisë më të madhe opozitare. Por askush s’e hapi gojën.
Pastaj, vijnë me radhë, shpifësit e “aferave”, qëllimi i të cilëve është linçimi publik dhe denigrimi, aso që të dërgojnë selame, duke ta përmendur edhe familjen.
Është i rrezikshëm fakti se ne i presim e i përcjellim këto kërcënime sikur asgjë. Jemi kalitur në këtë sistem të denigruar, ku me vetëdije të plotë i pranojmë pa u marrë askush seriozisht me gjendjen tonë alarmante.
Në këtë mozaik shantazhues nuk mungojnë as ata më të sofistikuarit, të cilët drejtpërdrejt nuk të shkruajnë e as të kërcënojnë, por i kanë dyert ku trokasin kundër teje. Militantë të tyre që bredhin rrjeteve sociale, dikush me emra të vërtetë e dikush me të rremë, të cilët në mënyrat më të poshtra të shajnë dhe të fyejnë pa frikën e ndëshkimit. E kanë parë qe për sa vite me radhë askush nga kërcënuesit nuk ka marrë ndëshkimin e merituar. Komoditeti i tyre në rritje ua rrit adrenalinën e shfryrjes së mllefit, kur u publikohen skandalet.
I gjithë ky presion ka një qëllim – për të na FRIKËSUAR! E frika është e tyre, s’e kanë zor ta mendojnë se do t’i humbasin privilegjet. Situata politike po ua rrezikon pozicionet, e shqetësimi se mund të humbasin edhe luksin ua humb arsyen në veprim. Por, kush po ua lehtëson punën kapadainjve?! Të sulmuar, të kërcënuar, të larguar nga puna e të vrarë… Ky terror mbi gazetarët e pavarur asnjëherë nuk është dënuar nga cilado forcë politike e as nga institucionet shtetërore, të cilat duhet të krijojnë ambient për liri të shprehjes. Këtë deklarativisht e kanë bërë vetë shoqatat e gazetarëve duke dënuar kërcënimet ndaj kolegëve.
Pavarësisht kësaj nuk ka pasur asnjë presion ndaj gjykatave, që rastet që lidhen me vrasjen apo kërcënimet e gazetarëve të trajtohen në këto institucione. Çuditërisht, ende s’kam pranuar asnjë thirrje nga AGK-ja, në gjithë këtë mori kërcënimesh, fyerjesh e denigrimesh që kam marrë nga radikalët në vazhdimësi. Ata nuk janë interesuar fare nëse të njëjtat i kam raportuar në Polici.
Kjo nuk është gjë tjetër përpos demagogji e rrjeteve sociale, në të cilën këta demagogë nuk duan t’ia prishin terezinë vetes, duke përdorur standarde të dyfishta qoftë edhe në reagimet, që synojnë t’i dënojnë sulmet ndaj gazetarëve.
Sot është kërcënuar Vehbiu nga shefi i ekzekutivit, dje unë nga një ekstremist fetar, nesër kërcënohet Linda, pasnesër Arta… Sa më shumë që rrezikohet e ardhmja e politikanëve të korruptuar, aq më shumë vështirësohet puna e gazetarëve nëse ky shtet s’e forcon rendin dhe ligjin. E shtuar kësaj gjendje, Gjykatën Speciale, raportimet për krimet e luftës dhe të pasluftës, do të shohim se në çfarë derexhe do të bëhet ambienti i punës për një numër jo të vogël të gazetarëve.
Mosndëshkimi i kërcënimit të kryeministrit, Isa Mustafa, do të rëndojë edhe më shumë gjendjen e gazetarëve.
Ne duhet të protestojmë për fyerjet e kryeministrit, Isa Mustafa, por edhe për kërcënimet e grupeve kriminale, që parakalojnë çdo ditë para nesh!
Komentet