Nga Vushtrri në brigjet e Mesdheut, nga auditorët e Matematikës në zyrën e kryetarit të bashkisë – jeta e Myhedin Maxhunit është dëshmi e rrallë e fuqisë së dijes, integrimit dhe vlerave njerëzore që nuk kanë kufi kombëtar.

Në zemër të Porticellos, një emër shqiptari
Në Porticello, një qytezë peshkatarësh e njohur për traditat detare në komunën e Santa Flavias, buzë qytetit të Palermos, ndodhet një shesh me një emër që shkakton kuriozitet tek të huajt dhe krenari tek vendasit:
Largo Dott. Maxhuni Myedin.
Në mes të shtëpive me ngjyrat e Mesdheut dhe voditjes së varkave që kthehen nga deti, ky shesh ruan kujtimin e një burri që, edhe pse i lindur larg, u bë pjesë e identifikuese e kësaj toke.

Nga Kosova në Kavajë e në Palermo
Myhedin Maxhuni lindi më 8 gusht 1919 në Vushtrri, në zemër të Kosovës. Ishte djali i Abdullah Maxhunit dhe Naxhije Boletinit, vajza e Isa Boletinit, heroit të shquar të kombit shqiptar. Në damarët e tij rridhte trashëgimia e qëndresës, përkushtimit dhe dijes. Fêmijêrinë e kaloi në qytetin e Kavajës bashkë me familjen.
Në vitet ’40 mbërriti në Itali si student i shkencës, i regjistruar në Fakultetin e Matematikës të Universitetit të Palermos.
Por ndërsa ai studionte, Kosova e Shqipëria ra nën sundim të huaj. Rrugët për t’u kthyer u mbyllën dhe ai u detyrua të qëndrojë në Itali, në qytezën Porticello i ndarë nga familja dhe vendlindja.

Porticello – Një vendlindje e dytë
Në Porticello, një komunitet i vogël, por diniamik i Sicilisë. Myhedin Maxhuni gjeti mikpritjen e familjes La Barbera-Sanfilippo dhe dashurinë e jetës së tij: Francesca Cefalù, vajzë siciliane, me të cilën krijoi familje.
Pas mbarimit të studimeve, Myhedin Maxhuni u bë pjesë aktive e komunitetit, duke fituar besimin e banorëve përmes përkushtimit të tij, ndihmës ndaj komunitetot dhe respektit për traditat vendase.
Në një periudhë kur politika lokale në Itali ishte e dominuar nga familje dhe figura tradicionale, Myhedin Maxhuni arriti një nga gjërat më të rralla për një i huaj në atë kohë:
u zgjodh kryetar bashkie i Santa Flavias, jo një herë, por dy herë:
Mandati i parë: 1956–1957
Mandati i dytë: 1964–1965
Në këto vite, ai la gjurmë të forta, duke u kujdesur për:
përmirësimin e kushteve të komunitetit të peshkatarëve,
luftimin e abuzimeve me tokat dhe ambientin,
promovimin e arsimit.
Një nga aktet më të vlerësuara të tij ishte dhurimi i një sipërfaqe toke për ndërtimin e një shkolle fillore në Porticello, tokë që i ishte lënë në dispozicion nga familja aristokrate Mistretta. Sot, kjo shkollë mbetet një simbol konkret i angazhimit të tij për edukimin.
Pas përfundimit të mandatit të dytë si kryetar bashkie, Maxhuni vazhdoi të kontribuojë në jetën publike të Sicilisë:
u emërua në pozita drejtuese në administratën e Rajonit të Sicilisë,
shërbeu si komisioner i spitalit “Santo Spirito” në Carini, ku la gjurmë për menaxhimin efektiv dhe human të institucionit shëndetësor.

Një trashëgimi historike
Në vitin 2018, për nder të jetës dhe veprës së tij, Komuna e Santa Flavias vendosi t’i japë emrin e tij një sheshi publik në Porticello – Largo Dott. Maxhuni Myedin.

E nuk është vetëm një vlerësim formal, êshtë një shenjë mirënjohjeje e një komuniteti që gjetën tek ai një mik, një lider dhe përkatësi të komunitetit.
Sot, i biri, Luan Maxhuni, mban gjallë kujtimin dhe lidhjet shqiptaro-italiane që ndërtoi i ati, si një urë mes dy kulturave, që ndërtoi një jetë mbi themele të qëndrueshme: dija, ndershmëria dhe shërbimi ndaj të tjerëve.

Një emër shqiptar që u bë histori në Itali
Historia e Myhedin Maxhunit është një shembull i rrallë, që tregon se integrimi nuk është asimilim, por një bashkëjetesë me vlera, ku një shqiptar i ri, me rrënjë të thella kombëtare, arriti të bëhet një figurë publike e nderuar në një vend të huaj – pa harruar kurrë prej nga vinte.
Në kohët e sotme, kur emigracioni shpesh shihet si sfidë, historia e tij mbetet një model i suksesit të ndërtuar mbi dije dhe përkushtim.
Nga Kosova në Sicili, nga auditorët e shkencës në zyrën e bashkisë – jeta e Myedin Maxhunit është historia e një njeriu që nuk kërkoi të jetë dikush tjetër, por u bë më shumë se ç’e kishte ëndërruar: një ndërtues urash mes popujve.