Avokati Tomë Gashi, nëpërmjet një lidhje direkt nga Prishtina për News24, u shpreh se moszgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, nuk përbën problem kushtetues, pasi ai nuk emërohet, por zgjidhet me votë, të cilat nuk arrin të marrë 61 që i duhen.
Sipas Gashit, i takon presidentes Vjosa Osmani për të mandatuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar qeverinë e re. Nëse këtë nuk do ta bëjë Osmani, atëherë i takon sërish Gjykatës Kushtetuese për të vendosur nëse Kuvendi i Kosovës quhet i konstituar plotësisht dhe pastaj presidentja është e detyruar të mandatojë Kurtin për formimin e qeverisë.
Tomë Gashi: “Pas shumë tentativave, pas ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese, u vendos që një kandidat për kryetar Kuvendi nuk mund të propozohej më shumë se tri herë. Dhe kështu i erdhi momentit që Dimal Basha, që më në fund arriti të zgjidhet në krye të Parlamentit të Kosovës.
Partitë politike nuk votojnë nënkryetarin nga Lista Serbe sepse opozitarët mendojnë se kjo rrit popullaritetin e kryeministrit Kurti. Përsëri jemi në një vakuum juridik, pavarësisht se Dimal Basha tha se kuvendi është konstituar. Basha këtë ia ka thënë presidentes Osmani, e cila pritet të ndërhyjë në këtë rast, për t’i hapur rrugës krijimit të qeverisë së re, nëse ajo do të marrë miratimin në Kuvend.
Edhe një kandidat tjetër nga minoritetet, pikërisht një i pakicës gorane, kohët e fundit ka kaluar në Listën Serbe. Kështu, duhet të presim sërish vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ose mirë do të ishte, shpresoj në këtë, që Vjosa Osmani të mandatojë Kurtin për krijimin e qeverisë së re.
Moszgjedhja e një nënkryetari nga Lista Serbe nuk përbën shkelje të Kushtetutës, pasi ai nuk votohet nga 61 deputetë në Kuvend. Nënkryetari nuk emërohet, por zgjidhet, gjë që nuk përbën problem kushtetues, sepse ai nuk merr dot votat, kushdoqoftë ky.
Serbia pastaj e përdor këtë në favorin e vet, duke e keqinterpretuar sipas oreksit të vet. bw