Ke qef ta mposhtësh Zonjën, por ngaqë Zonja nuk të përfill, e pyet Zonjën për moshën. Ça dreqin ke që e pyet Zonjën për moshën. Pse të gërryen meraku për moshën e Saj. Është e vërtetë që Zonja ka një mardhënie lozonjare me peshoren dhe pasqyrën. Por problemet me ato sende Zonja i zgjidh si di vetë, me dieta dhe të tjera masa. Nuk i pushton dot kështjellat e Zonjës, nuk e lëpin dot mjaltin e koshereve të Zonjës me pyetje dinake për moshën. Merru me të tjera mosha. Me moshën e të pa edukuarit, të paqytetëruarit, të korruptuarit, hajdutit, mafjozit, vrasësit, por s’ke pun me Moshën e Zonjës. Merru po deshe edhe me moshën që e ke lënë pas dore, moshën e Zojushës, që pavarsisht nga pasqyra rrenacake dhe peshorja hilanjose, nuk është dhe kurrë s’ka për të qënë më atraktive se Zonja. U bo surrati jot me pyt për moshën e Zonjës. Nuk e mposht dot Zonjën duke e pyetur për moshën. Mos u hakmerr me Zonjën duke e pyetur për moshën. Sado të lodhesh, nuk e fiton dot luftën me të vetmen fitimtare kundër tiranisë së kohës. Mos u lodh kot ta transferosh përgjegjësinë për pamundësinë e përballimit të jetës mbi Zonjën duke e pyetur për moshën. Mosha e Zonjës është shpikje e mashkullit frikacak që Zonjën nuk e njeh si njeri që ndjen, pranon, refuzon, dashuron, urren. Mosha e Zonjës nuk është kronologjike. Mosha e Zonjës është një mister që ti banali, ti materiali, ti aestetiku, nuk e zbërthen dot kurrën e kurrës. Mosha e Zonjës është diçka që ikën e vjen, duket e zhduket, ngjitet e zbret, ndizet e tërbohet, rrjedh e derdhet. Por kurrë nuk kapet, kurrë nuk matet. Prandaj, eja në vete. Merre në dorë situatën. Komplimentoje, ledhatoje, puthe, gjunjëzohu para Zonjës, por kurrë mos e pyet për Moshën. Sa kohë nuk i numuron dot yjtë në qiell, s’ke pun me moshën e Zonjës.
Komentet