Ngjarjet e ditëve të fundit duhet të shërbejnë si një thirrje për reflektim dhe veprim të përbashkët: heshtja selektive dhe reagimi i ngushtë personal janë më të dëmshme se çdo sulm politik ndaj medias.
Vetëm një komunitet gazetarësh profesionistë dhe i përgjegjshëm mund të mbrojë lirinë e shprehjes, integritetin editorial dhe interesin e publikut.
Ngjarjet e fundit — përfshirë bllokimin e një media dhe largimin e dy gazetarëve nga puna — evidentojnë një problem të thellë në ekosistemin mediatik: reagimi selektiv i aktorëve të medias.
Reagimet që ndodhin vetëm kur preket pozicioni profesional apo emisioni yt, ndërsa heshtet kur preken të tjerët, dëmtojnë besueshmërinë e gazetarisë dhe dobësojnë rolin e saj në shoqëri.
Në një shoqëri të trazuara dhe me sisteme të dobëta institucionale si Shqipëria, ku korrupsioni dhe presionet politike janë realitete që e vënë nën kërcënim lirinë e medias, gazetaria profesionale merr një rëndësi të jashtëzakonshme. Ajo është jo vetëm një mjet informimi, por edhe një shtyllë thelbësore e transparencës dhe llogaridhënies, duke luajtur një rol kyç në mbrojtjen e demokracisë.
Gazetaria nuk është arenë për heronj të rrallë. Të bësh një emision të drejtë dhe të informosh publikun me integritet nuk është një akt heroik, por një detyrim profesional dhe deontologjik. Prandaj, reagimi i komunitetit mediatik nuk duhet të kufizohet në mbrojtje të “oborrit” të vet, të postit apo emisionit personal, por duhet të jetë universal dhe i pandërprerë.
Fakt i hidhur që duhet të kujtojmë është se shumë nga mediat dhe gazetarët që sot përballen me këto sulme e presione, më parë heshtën apo qëndruan indiferentë kur kolegët e tyre, apo media të tjera, përjetuan të njëjtat situata. Pyetja që lind është: ku ishin atëherë? Reagimi i selektivizuar dhe i vonuar është një tradhti ndaj solidaritetit profesional dhe një rrezik për dobësimin e medias në tërësi.
Çdo sulm ndaj një gazetari, çdo mediaje të mbyllur, çdo censurë apo presion ndaj profesionistëve të medias duhet të ngrejë alarmin dhe të nxjerrë reagim të menjëhershëm e të bashkuar. Vetëm në këtë mënyrë ruhet integriteti i gazetarisë dhe sigurohet që publiku të ketë akses në informacion të paanshëm dhe të lirë.
Ngjarjet e ditëve të fundit duhet të shërbejnë si një leksion i qartë: mbrojtja e profesionit tonë është detyrë kolektive dhe nuk mund të jetë selektive. Heshtja ose indiferenca ndaj padrejtësive që ndodhin jashtë “oborrit tonë” është një rrezik i madh për lirinë e medias dhe demokracinë.