Pas xhiros paradeske përmes Monakos,
Në sheshet e hoteleve pesyjesh, ndalin
Lamborghini, Ferrari dhe
Rolls Royce…
Trendit e modës së automobilave,
Me të cilët krenohen
Tek ndihen të plotësuar…
Dhe ja, prej tyre
Seks modelet zbresin,
Me t’ua hapur derën
Dhe me t’ua zgjatur dorën kavalierisht
Djelmoshat shik mazhordomë.
Oh,mezi dilet prej këtyre makinave sportive,
Të rrafshta me truallin dhe,
Me forma ekstravagante aerospaciale,
Aqsa femrave të ndritshme,
Elegante dhe fisnikërisht të gjata
Mbi takat e larta
U duhet të çaplehen…
Ky ngërç, veç
Më intrigues e bën
Shkëputjen nga makina…
Spërdridhen sensualisht të bukurat
Tek ngrejnë sakaq valë – valë
Fustanin farfuritës
Gjersa zbulojnë brekët
Si te danci dalldisës can can !
Por vetëm kaq,
Sa për të përndezur fantazinë dhe adrenalinën
E mazhordomëve, me të cilët flërtojnë,
Ah, por ca më shumë edhe për spektatorët
E pandarshëm, të mbledhur më tej ;
S’reshtin ata së bëri foto e video me celularët,
Tek ëndërrojnë përvuajtshëm
Të pasurohen mrekullisht një ditë…
Por ç’po them ?
Mizanskena e përsëritshme
E veturave në shesh,
Buzëqeshja institucionale e modeleve
Dhe, ai detaji nga danci can can
Video virale bëhen në moment ;
Ato n’internet
Kushdo mund t’i ndjek’…
I ndjek dhe unë, live
Dhe,tek relaksohem,
Gjithë miksazhi xixëllues,
I shfaqjes, në Monakon përrallore,
Në monedha të njëmendta ari,
Që bien e bien nga qielli,
Më shndërrohet në përfytyrim !
O, e di,e di mirëfilli ;
Mos u ngutni të ma thoni,
Se, s’qenkësh gjë tjetër e gjitha kjo,
Përveçse një kitsch komercial masiv.
Epo kitsch –i sot,
Më shumë se kurrë më parë
Eshtë në modë…
.
2018