EMISIONI VETTING
Artistët kanë ngritur për Vetting shqetësimin pasi e drejta e autorit për shumë kompozime dhe tekste nuk po ju mbrohet.
Zef Çoba, kompozitor dhe Mjeshtër i madh tregon se i është përdorur materiali, duke ju mohuar e drejta e autorësisë në vitin 2004 në Miss Glob që është zhvilluar në Durrës. Por kjo nuk është hera e vetme që artistit i janë përdorur krijimet pa lejen e tij dhe pa marrë vlerësimin financiar.
Një nga rastet më flagrante për abuzim lidhet me këngën “Xhamadani Vija-Vija” të kompozitorit Zef Çoba.
“Tre vite më parë në kohën që zhvillohej kampionati botëror, kënga ime “Xhamadani vija-vija”, ishte përdorur nga Megatek, një sipërmarrës kaq i fuqishëm, duke zëvendësuar fjalët në lidhje me interesat e biznesit. “Xhamadani vija-vija, Megatek mbushim shtëpiat”.
Unë u ankova por me përjashtim që kënga u hoq nga përdorimi si reklamë. Nuk përfitova ndonjë ç’dëmtim ose ndonjë të ardhur nga kjo”, shprehet i zhgënjyer kompozitori Çoba.
Albautor mbledh para, por nuk ua shpërndan artistëve
Në Shqipëri, SUADA është pika qendrore që bën lidhjen mes të gjitha organizatave kolektive të të drejtës së autorit, si Albautor, AKDIE, FMAA dhe FABER. Ndryshe nga këto agjenci që përfaqësojnë secila grupime të ndryshme krijuesish, autorë, kompozitorë, interpretues, producentë, SUADA nuk përfaqëson autorët direkt, por funksionon si një mekanizëm koordinimi dhe mbledhjeje të të drejtash. SUADA mbledh tarifat nga përdoruesit në emër të të gjitha agjencive të licencuara dhe më pas i shpërndan ato tek organizatat përkatëse, të cilat i transferojnë më pas tek krijuesit dhe interpretuesit.
Sipas avokatit Evien Dako, Suada nëpërmjet rregullimeve ligjore, shpërndan këto të ardhura drejt agjencive të administrimit kolektiv.
“Këto agjenci, me të ardhurat që marrin, nëse mund të them që kanë mungesë monitorimi, mundet ose kanë detyrimin për të krijuar kushte për monitorimin e këtij tregu, pra të monitorojnë vetë se si është përdorur vepra”, tha për “Vetting” avokati Dako.
Sipas informacioneve të siguruara nga “Vetting”, të dhënat financiare të kompanisë “Albautor” përsa i përket të ardhurave që ka marrë nga sporteli unik SUADA rezultojnë me probleme dhe mungese transparence.
Artistët pretendojnë se nuk vlerësohen sa duhet dhe nuk është e qartë mënyra se si realizohet ky vlerësim financiar nga organizata. Madje njëri nga anëtarët e Komisionit të Posacëm për Informim te Albautor, kompozitori Redon Makashi ka ngritur pikëpyetje përsa i përket shpërndarjes së të ardhurave te autorët.
“Nuk e kuptoj se si ato të ardhura financiare të mbledhura nga të ashtuquajtura nga e drejta e autorit, nuk e di si përfundojnë. Dhe ne, në fund të vitit marrim një pagë qesharake, është për të qeshur dhe për të qarë.
Më vjen keq në radhë të parë sepse janë miqtë tanë, shokët tanë, që unë arrita të flas deri këtu sepse jam shumë i indinjuar deri në këtë pikë”, thotë për “Vetting” kompozitori Redon Makashi.
Të njëjtin qendrim ka edhe Mjeshtri i Madh Zef Çoba, i cili shprehet i habitur për mënyrën se si bëhet vlerësimi dhe si shpërndahen të ardhurat.
“Gjatë gjithë këtyre praktikave që kemi patur me të drejtën e autorit, ne nuk jemi njohur ndonjëherë me kriteret, ligjet ose të paktën një formular ë atë cilën kanë buruar të ardhurat e mia”, shprehet kompozitori Çoba.