Ka ardhë koha që të mendohet me pjekuri të lartë për fatet e vendit dhe të popullit !
Ky nuk është një konkluzion zyrtar, por është një përfundim personal i imi duke parë rrjedhën e ngjarjeve në të gjithë spektrin politiko-shoqëror në gjithë territorin shqiptar, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Luginë !
Edhe disa ditë akoma e Kosova do të përkujtojë 10 vjetorin e shpalljes së Pavarsisë. Kjo ngjarje është shumë domethënëse për shqiptarët të ndrydhur e shtypur për më shumë se 100 vjet nën thundrën serbo-sllave .
Mirëpo menjëherë shkon gjuha aty ku dhemb dhëmbi . Edhe pse kaluan 10 vjet, njohjet për shtetin e Kosovës janë pothuaj të ngecura në vend . Sigurisht këtu influencon ashpër propaganda e politkës së jashtme të Serbisë.
Mirëpo halli i Kosovës është politika në përgjithësi që drejton ose është në opozitë!
Ka kohë që veprimet e politikanëve kosovarë janë të papjekura siç themi ne shqiptarët .
Në një kohë kur sot më shumë se kurrë Kosova duhet të thyejë vargonjtë e vetmisë, kur është i vetmi shtet në Ballkan ku nuk janë liberalizuar vizat për zonën Shengen dhe ku është i vetmi shtet që vazhdon të mbikqyret nga Faktori Ndërkombëtar edhe pse kanë kaluar 10 vjet nga pavarësia.
Politikanët në Kosovë jo thjeshtë nuk gjejnë gjuhën por po bëjnë së fundmi lëvizje tejet të rrezikshme nga pikëpamja e mbijetesës që ka nevojë Kosova .
Kam parasysh këtu kur politikanët e “mëdhenj” në Kosovë kanë marrë përsipër të kenë luksin që të dalin hapur kundër SHBA-së dhe BE-së duke tentuar hapur që të zhvleftësojnë ligjin për Gjykatën Speciale.
Veprime të tilla sjellin “gurë në rrota” në ecurinë e shteti të Kosovës deri në kërcënim për rishikim njohjesh nga shumë shtete.
Ndaj sot me gojën plot duhet thënë: mjaft më zotërinj politikanë!
Qetësohuni dhe përqendrohuni në hallet që ka shteti jo në hallet që keni ju personalisht me Gjykatën Speciale !
Nuk ka rrugë të mesme !
Gjykata Speciale do të funksionojë dhe Kosova do të përparojë !
Nëse nuk e shikoni veten pjesë të kësaj dinamike, largohuni, dikush tjetër do ta çojë përpara stafetën e zhvillimit dhe të integrimit !
Komentet