MJAFTUESHËM
Nuk dorëhiqet vala nga bregu
bregu nga shkëmbinjtë
nuk dorëhiqet,
karfica e reve plasaritet
kur zbret poshtë
në mjegull
idhulli i të mëdhenjve
vranon, kërcen vetull
pa u kërcënuar nga ligjet.
Vala valën mbulon, e ledh, s’e shkel
nuk plagoset as shkuma e saj
në shkëmbenj.
Midis rrezeve rrezëllitëse
po s’u nxeha
tërhiqem…
I GJITHI
Ja, atje tej Deti … ja, atje Deti…
më poshtë se frymorët krah tyre
më lart nga të gjithë shandanët
më krenar se gjithë mbretërit.
Atje këtu deti…
FARË MOLLE
Shko e shkul…
t’u shkulshin rrënjët !
Molla s’bëhet mollë
pa hënën.
Shkul e shko…
t’u thafshin hapat !
Zë mallkimi dhe vet gjëmën,
gjëma vet çahet nga shpatullat.
Afër mbill, vadit dhe korr,
sot ta kraharosh një rit
vlim hëne, farëmollë.
Paskan sy uji, ajri ?
KLIMË
Ç’bubullima, oh, ç’bubullima
ta shurdhojnë njerin vesh,
tjetri vuan nga klima
pa asnjë
rrezë.
Frymëmarrja ngjit thëllimet,
gishtat më afrojnë
kopshtet e retë
grushtet e bubullimave.
DREJTSHKRIM
Karta të përcëlluara nga xixa e syrit
karta shurdhe nga timpan i rreshtit,
karta marramendëse prej dylli
dhe vula demokratike
nga sarajet e shtetit.
Mesdita sikur shkau, … nga ç’majë?
dhe ra, … në cilin hendek ?
si kodër e sapo vithisur
prej karte njerëzore
gjak dhe djersë.
GRACKA
O mos dil, o mos dil
era erës i thyen brinjë.
Mos dil, mos
shiun pi kjo vetëtimë
edhe qafën thyen përposhtë.
O mos dil, gracka në mes
vet marrosja nuk ka
stinë
s’qan as qesh.
SHITBLERJE
Shesim fanitje dhe tymnaja
shesim mollë të gjinjve
trazime nga belaja.
Shesim bekime t’gënjeshtërta
shesim flamuj dhe rrecka
ca nga gjymtyrët,
shesim kufinj me gjysmë gjurme
të cilët përjashta i kanë eshtrat
dhe kombajna që korrin veç fjalë
fjalës ia shkërmoqin xixat
ia mpijnë frymën.
Ç’të shesim poshtëpërpjetë tjetër?
Vezët e reja presim, qandej
do dalin njerëz
duke uluritur
a tek tuk
njerëz..
MJAFT ME TOPITJE
Mjaftueshëm me rreze
mjaftueshëm me rrasa,
mjaftueshëm
me shpresa
këqyrje të rrufeshme
ecejake të ngathëta.
Mjaftueshëm me drethkla
vrulle plot plasaritje,
mjaftueshëm me thithka
trauma urgjencash
mjaft me topitje.
Asnjëherë s’është
mjaftueshëm
të rritesh…