Arkivat Kombëtare të SHBA-ve publikuan një sërë dokumentesh të lidhura me zhdukjen e aviatores së famshme Amelia Earhart mbi Oqeanin Paqësor në vitin 1937, pas urdhrit të fundit të presidentit Donald Trump për të deklasifikuar dhe bërë publik të gjithë materialin që disponon qeveria.
Publikimi i 4.624 faqeve dokumentesh, mes të cilave ditarë të anijeve ushtarake amerikane që morën pjesë në kërkimet ajrore dhe detare për gjetjen e Earhart, u njoftua nga drejtoresha e shërbimeve të inteligjencës së SHBA-ve, Tulsi Gabbard.
Përveç raporteve të Marinës dhe Rojes Bregdetare të SHBA-ve lidhur me kërkimet për Earhart, dosja përfshin edhe një sërë memo-sh, artikuj gazetash, letra dhe telegrame.
Korespondenca përfshin një letër nga një grua që pretendonte se, përmes “telepatisë mendore”, kishte përfunduar se Earhart ishte ende gjallë; një tjetër nga një burrë që këmbëngulte se ajo ishte varrosur në Spanjë; si dhe një seri telegramesh dhe memo-sh qeveritare që hidhnin poshtë thashethemet se aviatorja ishte kapur nga forcat japoneze dhe ekzekutuar.
Earhart dhe navigatori i saj, Fred Noonan, u panë për herë të fundit më 2 korrik 1937, teksa u ngritën në fluturim me avionin me dy motorë Lockheed Electra nga Papua Guinea e Re, me destinacion ishullin Howland, rreth 4.000 km larg, gjatë përpjekjes së tyre për të bërë xhiron e botës.
Kontakti me radio u humb disa orë më vonë, pasi 39-vjeçarja Earhart raportoi se karburanti i ishte mbaruar.
Një operacion masiv kërkim-shpëtimi detar, më i madhi i asaj kohe, rezultoi i pasuksesshëm. Fati i Earhart mbetet një mister i pazgjidhur prej 88 vitesh.
Interesi i papritur i administratës Trump për Earhart dhe urdhri i presidentit më 26 shtator për deklasifikimin dhe publikimin e dokumenteve që lidhen me të, erdhën në një kohë kur ai po përballej me kritika të shtuara për mbajtjen pezull të dosjeve që lidhen me filantropin e ndjerë dhe të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Publikimi i kësaj serie të re dokumentesh mbi Earhart erdhi dy ditë pasi një komision i Kongresit publikoi mijëra dokumente që ngritën pyetje të reja mbi lidhjen e Trump me Epstein.
Arkivat Kombëtare të SHBA-ve bënë të ditur se edhe më shumë dokumente do të digjitalizohen dhe do të publikohen gradualisht.
Fati i Earhart dhe Noonan mbetet ende i paqartë. Megjithatë, studiues nga Grupi Ndërkombëtar për Rimëkëmbjen e Aeroplanëve Historikë (TIGHAR) kanë mbledhur prova që sugjerojnë se ata mund të kenë vdekur si të mbijetuar të braktisur në atolin koralor Nikumaroro, në Kiribati, në Paqësorin perëndimor.
Një seri ekspeditash në ishull ka zbuluar një kavanoz kremi kundër njollave të fytyrës nga vitet 1930, copëza rrobash, fragmente kockash njerëzore dhe një thikë xhepi e ngjashme me atë që mbante Earhart. Gjithashtu është gjetur një pjesë alumini që besohet të ketë qenë pjesë e avionit të tyre.
Për më tepër, grupi TIGHAR deklaroi se një imazh sonar i marrë pak larg bregut të atolës së izoluar ka zbuluar një objekt që mund të jetë një krah ose një pjesë e trupit të avionit të Earhart.