Berlin, vjeshtë e vonë 2017
Vladimir Lazareviq, gjenerali namzi serb, ligjëron sërish në Akademinë ushtarake në Belgrad.
Vuajti dënimin për krime lufte kundër shqiptarëve të Kosovës, në fundvitet e përgjakura 90-të, e tani pikërisht aktakuzën që dëshmoi vërtetësinë e tyre, do ta riformulojë në doktrinë triumfi luftarak. Ndaj dhe, më tepër se vendi, e veçantë është tema e leksonit të tij: heroizmi e njerëzishmëria, e kjo dmth. humaniteti i ushtarëve serbë në Kosovë.
Një përmbysje e tillë e koncepteve të së Mirës dhe të Keqes, nuk është parë në botën e qytetnisë. Vrasja e atyre që mbronin pragun e shtëpisë tash 100 vjet cilësohet heroizëm, kurse masakrimi i fëmijëve e nënave, shnjerëzimi i femrave, dëbimi biblik i mijëra civilëve – quhet humanizëm!
Rrjedhimisht, nuk bëhet fjalë për rehabilitim, sepse ai nuk u dënua në Serbi nga një kohë e fismëruar politike që pastaj, tjetra, e mëpasmja, e errtë sërish, ta rikthente në krye të punës për edukimin e brezave. Jo, jo. Ai dhe eshaloni i tij, urdhërnarë e ekzekutorë, s’do t’merrnin asnjëherë ndëshkimin e një gjykate apo mallkimin e shpirtit qytetar serb, si pjesë e pendesës, reflektimit, këndelljes dhe katarsisit kolektiv për krimet barbare.
Gjermanët do t’a sanksiononin ligjërisht denacistifikimin në messhekullin e ikur. Dhe kje një investurë, program e introspektim i thellë në qenien e vet të ç’ekulibruar. Ndërkaq, reintegrimi i gjeneralit demoniak në jetën publike, është gjithnjë brënda pritmërisë së natyrshme: sepse është shkronjë e testamentit serb të popullvrasjes, shndërruar qyshmoti në alfabet politik dhe kulturë kombëtare.
“Mirë shumë, le t’i shohë e njohë bota kush janë serbët”! Ky është refreni që, sigurisht, përseritet pasdarkave prehëse në Kosovë, ashtu si kurdoherë.
Po athua nuk ishte në dijeni Europa, e vjetra dhe e reja, për traditën serbe të gjenocidit? “Ne i përkasim perëndimit. A nuk u zgjëruam tri herë territorialisht me uratën, madje ndihmën e fuqive të tij?”, thotë shpesh Vuk Drashkoviq tek kundërshton hezitimin e politikës së re serbe për të hyrë në Shtëpinë komunitare! Në fakt, ndërdyshja ngjan e shpifur, gjithësesi. Serbia pikësynon Brukselin, veçse, e para, përpiqet ta shantazhojë atë me Rusinë e t’i ngrejë çmimin Kosovës dhe e dyta, rreket ta paraqesë vullnetin e mirë si një sakrificë të thellë, gati flijim për Europën..!
Është, prandaj, e gjithënjohur doktrina e trashëguar e terrorizmit shtetëror serbian, por janë interesat e mëdhenj që përthyhen dhe: ose i lëvizin kanceleritë ose i heshtin ato ftohtësisht para tragjedisë së popujve.
Kur e drejta përplaset me interesin, aherë është e drejta që rrëzohet përdhé! Kështu ishte e kështu do t’mbetet prorë!
R. K.
Komentet