-Shtohet edhe një veprimtari tjetër që forcon unitetin-
Arsyeja e udhëtimit në vjeshtën e vjetme nga Tirana për në Tropojë ishte promovimi i dy librave të mia: “Rrugëtim arsimdashës i Tropojës”, zhvillime, veçori, problematika dhe “ Tranzicioni dhe shkolla “, udhëtim në 25 vite, organizuar nga Bashkia e Zyra Arsimore Tropojë, Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë dhe disa shoqata te tjera të kesaj treve.
Në atë pasdite të 29 Tetorit kur mbërrita në qytetin e Bajram Currit takohem rastësisht me shokun dhe mikun tim Zenel Çela. Për pak minuta në lokalin me emër domethënës“ Vllazërimi” (o sa nevojë kemi për vllazerim) erdhën edhe Astrit Margjeka, Lulëzim Logu, Gjon Necaj, Can Tahiri, Besim Mulosmani etj.

Pasi u çmallëm me njëri–tjetrin filluan diskutimet për veprimtarinë e nesërme. Pa dyshim se unë kisha merakun dhe shqetësimin kryesor…por realiteti tregoi të kundërtën. Gjithcka ishte përgatitur me përkujdesjen më të madhe: njoftimet publike, ftesat, fjala e rastit, përshendetjet, salla dhe arredimi i saj, përcaktimi i diskutantëve e të tjera gjëra disa prej të cilave surprizë.
Mbështetja, porositë e përkujdesja e kryetarit të Bashkisë, zotit Besnik Dusha,i cili na përshëndeti e na përgëzoi, kishin dhënë efektin e duhur.Duhet vlerësuar interesimi i drejtpërdrejtë i drejtorit të Zyrës Arsimore Petrit Zeneli, ideatorit dhe moderatorit Lulëzim Logu; Muhamet Vatocit, drejtor i gjimnazit; Kadri Bashës, mësues e drejtues për shumë vite; veteranëve etj.
Pas interesimit dhe shqetësimit të natyrshëm përgjigjia më humor ishte shumë miqësore por edhe e prerë “tije dhëndrri për nesër, shko pusho, dasmën t’a organizojmë ne”. U nisa për vendlindje (Mërtur) me mallin dhe nostalgjinë që nuk më ndahen asnjëherë; mbi 60 vite jetë e përkushtim në atë krahinë me histori të pasur e interesante. Në ditën e Festës (30 Tetor) edhe një surprizë tjetër e këndshme: kanë ardhur nga Tirana një grup tjetër mes të cilëve prof.dr Musa Kraja, personalitet i letrave Shqipe, i shquar në fushën e Arsimit (mbi 40 vepra të shkruara), ish zv.Ministër i Arsimit dhe Kulturës, rekror i një universiteti jo publik, aktualisht Kryetar i Akademisë së Shkencave të Edukimit, i palodhur e aktiv në punën e tij studimore; prof. dr Lush Susaj, ish nxënësi im në shkollë të mesme, pedagog në Universitetin Bujqësor Tiranë, Sylë Gosturani, ish mësues e drejtues me emër në atë trevë e më gjerë, Tahir Pervataj mësues e drejtor në zonën e Lekbibajve dhe një grup tjetër nga Gjakova me në krye profesorin e nderuar,Muhamet Rogova.
Veprimtaria u organizua në Muzeun Historik para të cilit lartësohet i derdhur në bronz busti i bacë Bajramit, me dorën e shikimin drejt Gjakovës (Kosovës) sikur na përshëndet e na uron mirëseardhjen. E dimë se për strehë pati Tropojën e mall për Kosovë e Shqipërinë e Bashkuar. Në emër të Bashkisë përshendeti Astrit Margjeka, pasardhësi i një familje intelektuale, ish drejtor i Zyrës Arsimore e mësues i talentuar; Petrit Zeneli, drejtor aktual i Z.A, njohës i mirë i arsimit, me studime dhe botime me vlerë në fushën e Gjuhësisë.
Diskutuan:Prof.dr Musa Kraja e Lush Susaj, Zenel Çela, ish drejtor gjimnazi aktualisht drejtor departamenti për Arsim e Kulturë në Bashki; poeti dhe studiuesi Gjon Necaj; Can Tahiri, përfaqësues për Emigracionin e Diasporën, shef departamenti në Bashki etj.
U lexuan përshëndetjet dhe vlerësimet e prof.dr Kolec Topallit, të poetit Hamit Aliaj (Mjeshtër i madh), të Mujo Buçpapajt, poet e studiues, përkthyes e gazetar, drejtor i Qëndrës Kulturore “Nacional” dhe i gazetës me të njëjtin emër.
Interes të veçantë ngjalli dhe fjala e profesorit nga Gjakova, zotit Rogova.
Për mua, përveç vlerësimeve nga auditori, edhe një surprizë tjetër: m’u akorduan 2 çertifikata mirënjohjeje, për punën time mbi 40 vjeçare nga Zyra Arsimore, Bashkia e përfaqësues të Diasporës e Unionit Artistik Shqiptar.
MESAZHE QYTETARIE
E ndjeva veten të vlerësuar nga intelektualë të vlerësuar, por më së shumti u gëzova për mesazhet civilizuese që vërejta në këtë veprimtari e vizitat 3-4 ditore në pjesën më të madhe të Tropojës.
Arsimi dhe kultura, atdheu e qytetaria – pika referimi për të gjithë pa dallime partiake, fetare, krahinore, hierarkike, moshe e pasurore.
Veprimtari të shumta të organizuara në këtë qytet e shumë shkolla, qendra komunitare, me një pjesëmarrje të mirë e me arritje cilësore në shumë fusha.
Gjithëpërfshirja, unifikimi e bashkimi i aftësive intelektuale e vlerave patriotike…
Janë protagonistë, intelektualë e pushtetarë kryesisht nën moshën 50 vjeç, por edhe të tjerë të sapo dalë nga bankat e auditorëve, mësues e nxënës, pa xhelozi e mërira, pa shfaqur apo manifestuar luftë partiake në dëm të arritjeve pozitive.
Me mundësitë e kufizuara monetare e njerëzore mbështetja e këtyre veprimtarive, nga organet shtetërore, shoqata, veteranët e pasionuar e subjektet private.
Mendësitë civilizuese e qytetaria, përkushtim e vizion përparimtar për të bërë gjëra të dobishme.Përpjekja konkrete e shumicës për të ndërtuar ura komunikimi me njëri- tjetrin, me forcat politike, mes besimive fetare, kulturave e botëkuptimeve të ndryshme.
Siç mëthanë, zoti B.Dusha, i ka kërkuar ndihmë zotit Mujë Gosturani, kryetar i PS për Tropojën, për të koordinuar punët e për të përcaktuar qartë problemet e kërkesat ndaj qeverisë.
Tallazet e luftës politike kanë rënë ndjeshëm. Në zgjedhjet e pushtetit vendor nuk pati asnjë incident, ndërsa në vitet e kaluara deri dhe vrasje.Në këto ditë PS po zhvillon fushatën për zgjedhjet vendore me një frymë shumë qytetëruese për të cilën ka meritë dhe kryetari i saj.
Përvec Qytetit, në Dushaj, Cerrnicë e Bujan në lokalet e të cilave pihet kafe e raki, verë e pije të tjera organizojnë dreka e darka besimtarë katolikë e myslimanë, ç’ka e ndjejnë veten mirë edhe pakica katolike, por nuk janë plotësisht të këtij mendimi për punësimin e përfaqësimin në organet shtetërore e partiake.
Megjithëse të pakta, disa miqësi, martesa, kumbari, vëllazëri (vëllam) mes këtyre besimeve i kanë shërbyer forcimit të unitetit.
Pjesëmarrje e vizita të ndërsjellta, në gëzime e hidhërime, respektim i zakoneve e traditave të njëri – tjetrit me shumë pika bashkimi (patjetër), por fatkeqësisht nga segmente e elementë të veçantë vidhet vrer e vendosin “mina” të nëndheshme që ngajnë si ajsbergët,duke cënuar unitetin e këtë harmoni të ndërtuar në breza në të mirë të çështjeve të mëdha.
Vizita në Valbonë e Gash.
Agron Bajraktari, i biri i Bardhës dhe Hamdiut, ish mësues të mi na fton me këmbëngulje në shtëpi. Kemi rënë mes “dy zjarresh”: një vizitë në Valbonë dhe një ftesë për Babinë. Edhe grupi i ardhur nga Tirana, me objektiv kthimin për arsye pune, është në të njëjtat pozita, të alternativave tunduesee të vështira për t’u refuzuar: qëndrimi në qytet, vizita në Valbonë e ftesa tjetër për në Gash.Me një lloj zhdërvjelltësie e organizimi disa prej tyre i realizuam…
Prof.dr Musa Kraja “je i zënë peng” mos fol… për Valbonë i them shoferit Tahir Përvataj që ka ardhur për të mbështetur këtë veprimtari në Tropojë. Edhe pse vonë, rruga ishte ndërtuar e asfaltuar si s’ka më bukur dhe udhëtimi qe shumë i këndshëm e magjepsës, jo vetëm për ata që vijnë për herë të parë.
Kalojmë në ish komunën Margegaj, një qytezë e transformuar, ku ka lënë gjurmë të dukshme edhe puna e përkushtuar për 3-4 mandate e ish kryetarit Rexhë Biberaj. Në vazhdim para nesh bukuri përrallore: vende-vende kanione të thella mes brigjeve të ngushta që kalohen me lehtësi nga njëri breg në tjetrin, uji më i pastër se kristali mbi gurëzit e bardhë, ato ngjyra fantastike të florës, mes bronzit e jeshiles, kanë pudrosur pyllin e pa anë; gjethet e rëna kanë filluar të zënë shtresë në lëndinat e bukura e grykat interesante të Këlcyrës, Dragobisë e Valbonës qëhere-herë ngushtohen, por edhe zgjerohen, të rrethuara në lartësitë e mëdha nga kreshtat e larta të Kollatës, Grykave të Hapta, Zhaborës etj. Lugina e Valbonës si një vashë bukuroshe, pret më qindra e mijëra dhëndurrë, por përsëri e virgjër dhe shumë joshëse. Prej vitesh nuk kam qënë këtu, por janë bërë shumë ndryshime: ndërtime të bukura tradicionale me gurë e lëndë drusore, kampingje, stane, terrene sportive, vendpushime, rrugë me kalldrëm, fusha të gjelbëruara e të sistemuara… interesante, estetike e funksionale. Edhe pse disi ftohtë në këtë fillim nëntori vizitorët nuk mungojnë. Në kreshtat e larta ka rënë dëborë e një ortek goxha i madh, në një luginëborëmbledhëse, na ngjalli shumë diskutime:“Ortek i vitit të kaluar apo i kësaj vjeshte?”. Në dritën e oxhakut me dru ahu dallojmë juristin Eduart Mrishaj me ish shokët e shkollës, Naimin e Bledin me të fejuarën (Xheni me origjinë nga Përmeti). Shtimi i numrit të madh të turistëve e vizitorëve duhet të rritë cilësinë e shërbimit dhe ushqimeve bio, por jo çmimet. Grupi ynë, me gjithë ndjesitë dhe emocionet e papërsëritshme, duhet të kthehemi për Babinë e dikush për Tiranë.Rruga e Kombit e zgjerimi i rrjetit automobilistik ndjeshëm i ka shkurtuar distancat.
Vizita në Gash – e bukur dhe interesante.Në familjen e Agron Hamdi Bajraktarit nuk u ngopëm së biseduari deri pas mesit të natës. I ftuar për të na bërë shoqëri edhe Avni Lusha. Ajo pritje e thjeshtë e bujare, e çiltër e pa asnjë interes, e kësaj familje me tradita të hershme e të vona, tregon shumë e duhet vlerësuar. Mora vesh se në hapësira të konsiderueshme të pronave të kësaj familjejeështë ngritur shkolla e Babinës dhe mjediset rrethuese, për të cilat akoma nuk është kompensuar.
Gashi ështëi përmendur dhe i njohur ndër shekuj. Janë skalitur në historinë e Tropojës dhe më gjerë burra në zë, me dritë–hijet e tyre (shumë më shumë dritë se hije) Haxhi Brahimi, Rrustem Bajrami, Mujë Hoxha, Tahir Hoxha, Isuf Groshi, Rustem Sadrija, Man Arifi, Zenel Sejda, Musë Zeneli, Ramë Muja, Hazir Coli etj. Intelektualë e veprimtarë të shquar, shkencëtarë, pushtetarë e mësues që kanë dhënë për vendlindjen e Shqipërinë: Xheladin Gosturani, Arif Gashi, Elez Gashi, Ali Gosturani, Mustaf Botusha, Januz Baliaj, Man Kërrnaja, Idriz Ahmeti, Rexhep Buburreci, Haki Uka, Muharrem Meta, Murat Gosturani, Ramë Kërtoci, Ali Bajraktari, Sherif Dizdari, Shaqir Aga, Meleqe Baliaj, Zenel Çela, Ahmet Imeri, Bislim Hoxha, Xhemile Memia, Sadri Memia, Timë Dizdari, Rushë Kukaj, Sokol Smajli etj.
Një bisedë e ngrohtë e nostalgjike në shtëpinë e mësuesit dhe drejtorit të talentuar, Ali Bajraktari, i shquar për kontributin e tij për arsimimin dhe edukimin e brezit të ri. Edhe pse në pension është pasionant e po punon për ngritjen e një muzeu në një nga mjediset e shtëpisë së tij.
Ngjitja deri rrëzë Shkëlzenit, shoqëruar nga Sylë Gosturani e Agron Bajraktari, në ditën e fundit të tetorit, do të mbetet gjatë në memorien time. Ai reliev i shumëllojshëm me livadhe e pyje të gjelbëruara, bahçet me pemëgjithfarësh e kopshtet pranë çdo shtëpie, mëtej në Kërrnajë, Begaj e gjetkë, masivet me gështenja akoma të pasosura që nuk shteren deri në pranverë; miniera e heshtur e kuarcit që prodhonte me qindra tonelata mineral për industrinë metalurgjike e të qelqit, arrat e kumbullat me nam, pa harruar bukuritë natyrore, prezente pothuajse kudo, janë disa nga treguesit e pasurisë së kësaj treve.Bjeshkët e larta, kullotat alpine, shkëmbinjtë interesantë e të shumëllojshëm, liqenet e shumtë, luginat e bukura përrallore, bimësia e pasur e me veti kuruese ku duhet veçuar boronica, mjedrrat, çaji e luleshtrydhet.Bukuri të fjetura, perla të vërteta, janë Radeshet, Herushta, Tringëllima, Pribuej, Korita, Livadhi i Çillës, Kërshi i Kocajve, Koshutica, Dobërdoli, Trokuzi, Mollafci, Lugu i Vocit, Rupa, Markofqe, Bjeshkët e Gjarpnit etj, që nuk kanë të mbaruar. Megjithëse nuk mungojnë përpjekjet, shteti e shoqëria duhet të bëjnëshumë më shumë për zbulimin, njohjen, promovimin e shfrytëzimin e këtyre vlerave, për investime dobiprurëse, veçanarisht për lidhjen me rrugë makine.
Domosdoshmëri për refleksion.
Populli thotë: “Kur vret veten nuk ke kujt t’i ankohesh”.
Bujqësia në pikëtë hallit, sepse prishëm sistemin ujitës. Kanali i Krasniqes dhe i Begajve pothuajse nuk funksionojnë fare, ato kanale që ngopnin me ujë gjithë malësinë e Gjakovës edhe në verën më të nxehtë; i pari shtrihej që nga Margegaj, Kolgecaj, Dojan e deri në Gri e i dyti mbulonte zonën e Gashit, Tropojës, Lugun e Zi, Mejdanin, ndërsa arteri tjetër Sopot, Cërrnicë, Rrogam, Llugaj, Luzhë e Dunishë. Këto kanale e të tjera ishin një ndër faktorët kryesor për një prodhimtari të bollshme në drithërat e bukës, në pemtari, perimekulturë, vreshtari etj, që i bënin këto lugina pjellore e çlodhëse për njerëzit.
Vënia në punë e rrjetit ujitës është garanci për punësim e për mirëqënie të tropojanëve.
Blegtoria po shtohet, por mbështetja e subvensionet duhet të jetë më konkrete. Në një lagje të vogël në Tetaj (Markaj me 4-5 shtëpi) do të dimërohen mbi 500 krerë të imta, më informon fermeri Gjok Prend Markaj. Shërbimi veterinar lëpër të dëshiruar.
Komuniteti duhet të shtojë seriozisht kërkesën e llogarisë, përgjegjësinë dhe interesimin për shkollën. Për kuadrin, më së shumti,është gjykuar duke u mbështetur në arsimimin e tij, kualifikimin, aftësitë profesionale e përformancën në punë e jo në përkatësitë partiake, ky një mesazh i ri qytetërues.
Na qau zemra kur pamë 4 vocërrakë të ciklit fillor të fshatit Curraj që vazhdonin me shumë dëshirë dhe vështërsi të mëdha shkollën në Dushaj. Fshati i tyre, aq arsimdashës në dekada, gjithçka do të merrte mbi shpatulla, por janë zhgënjyer e nuk gjejnë dot një mësues për të qënë, prandaj u mbyll shkolla në qendër të fshatit (një ironi e hidhur).
Pak ndryshime pozitive në këto 25 vite në zonën e Nikaj–Mërturit; vetëm ajo rruge makine e ndërtuar para 2-3 vitesh për në qendër tëish komunës, shoqërohet me një ironi tjetër të hidhur: mosinteresimi e padrejtësia për 5-6 fshatra të zonës Shëngjergj-Curraj, pothuajse fare pa rrugë. Së paku të investohet për 4-5 km rrugë për të zbutur sadopak vështërsitë e krijuara.
Nikaj – Mërturi, më shumë pa dritë elektrike se me dritë. Po afrohet gjysma e shekullit qysh se u ngrit linja elektrike nga Qafa e Kolqit, problematike në dimër e verë. Në raste defektesh, hidrocentrali i zonës që funksionon me ujin e lumit Curraj nuk vihet në punë për të përcjell rrymë…
Ç’ironi e padrejtësi?! Pasuria shekullore e kësaj zone bëhet pazar, shitet e blihet, shtrati i lumit dhe brigjet e tij, thahen e shkrumbohen, prishet flora e fauna e populli vuan për dritë. Shkojnë e vijnë qeveritë e pushtetarët, por terri mbetet, nuk ka investim për një zgjidhje të qëndrueshme, ndërtimin e një linje elektrike nga Shkëmbi i Rajës.
Rrugë të prishura të qytetit janë një akuzë tjetër e një qeverisjeje jo efektive gjatë tranzicionit.
Vërehen shumë halle e mangësi të trashëguara, por ka edhe reflektim, vetëvlerësim e vetëpërgjegjësi për fajet që kemi bërë për të ndryshuar gjendjen.
E gjithë Tropoja në një bashki ka më shumë mundësi për të siguruar fonde e për të bërë investime të ngutshme aty ku problemet janë më serioze. Tropojanët po përpiqen të vlerësojnë arritjet e deritanishme, por edhe të shërojnë pasojatnegative të sistemit të kaluar e të tranzicionit. Po bëhen përpjekje e studime për fronte pune e vepra të reja dobiprurëse. Për këtë lipset angazhim total e investime të shpejta nga shoqëria e shteti. Sot është koha e misionarëve…
-Tropojë-Tiranë, me 05.11.2015-
Helⅼo, і feel thazt i saw you viѕited my wеbsire thus i came to go back the desire?.I’m attempting to in finding tһings alternatives to payday loans
improve myy ᴡeb site!I suppose its good enough to usе some of your
ideas!!