Në politikën rajonale të viteve të fundit është krijuar një paradoks që nuk mund të kalojë pa u vënë re. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shfaqet shpesh si një nga mbështetësit më të zëshëm të Kosovës në deklaratat publike.
Rama paralelisht me këtë retorikë, ka ndërtuar marrëdhënie të afërta politike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ka përkrahur iniciativa rajonale bashkëpunimi që kanë ngjallur debate të shumta në opinionin shqiptar.
Pikërisht ky kontrast mes fjalëve dhe veprimeve ka hapur një dilemë të rëndësishme: a kemi të bëjmë me një strategji të menduar diplomatike apo me një politikë që shpesh lë përshtypjen e asaj që populli e quan “ngre e mos këput”.
Një nga shembujt më të diskutuar të kësaj qasjeje është edhe këmbëngulja e vazhdueshme e Ramës dhe Vuçiqit për iniciativën rajonale të njohur si Open Balkan.
Kjo nismë është paraqitur nga përkrahësit e saj si një projekt bashkëpunimi ekonomik dhe lëvizjeje të lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitaleve në rajon. Megjithatë, që nga fillimi ajo ka ngjallur skepticizëm të madh në Kosovë dhe në një pjesë të opinionit publik shqiptar, i cili e ka parë këtë projekt si të nxituar dhe të pabarabartë, sidomos në kushtet kur Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Kosova ende bart plagë të hapura nga lufta. Akoma nuk është zbardhur plotësisht fati i shumë personave të zhdukur dhe shumë familje vazhdojnë të jetojnë me ankthin dhe dhimbjen e mungesës së më të dashurve të tyre. Në të njëjtën kohë, plagët e rënda të krimeve të luftës, përfshirë dhunimet ndaj grave dhe vajzave shqiptare, mbeten një kujtesë e dhimbshme e asaj periudhe tragjike.
Pikërisht për këto arsye, shumë qytetarë mendojnë se marrëdhëniet me Serbinë duhej të trajtoheshin me më shumë kujdes dhe përmbajtje. Në vend të kësaj, vitet e fundit janë parë përpjekje për afrime politike dhe iniciativa rajonale bashkëpunimi.
Përkrahësit e kësaj politike argumentojnë se stabiliteti i rajonit kërkon dialog dhe bashkëpunim ekonomik. Megjithatë, kritikët e shohin këtë qasje si të nxituar, për aq kohë sa Serbia nuk ka dhënë ende përgjigje të qarta për shumë çështje që lidhen me krimet e së kaluarës.
Një dimension tjetër i këtij debati është edhe sporti. Në teori, sporti duhet të jetë një urë bashkëpunimi mes popujve, por në Ballkanin e trazuar ai shpesh bart edhe simbolikë politike.
Mjafton të kujtojmë ndeshjen e zhvilluar më 14 tetor 2014 në Beograd mes përfaqësueseve të Shqipërisë dhe Serbisë, e cila përfundoi me incidente të rënda dhe me sulme ndaj lojtarëve shqiptarë në fushë.
Andaj, çdo organizim i përbashkët sportiv mes Shqipërisë dhe Serbisë shihet nga një pjesë e opinionit publik shqiptar jo vetëm si aktivitet sportiv, por edhe si një mesazh politik.
Ky mesazh shpesh ngjall dyshime dhe pakënaqësi, sidomos kur shumë çështje të së kaluarës mbeten ende të pazgjidhura.
Në këto rrethana, politika rajonale e Shqipërisë kërkon qartësi dhe ndjeshmëri. Mbështetja për Kosovën nuk duhet të mbetet vetëm në deklarata të forta, por duhet të shoqërohet edhe me një qëndrim të matur dhe parimor në raport me Serbinë.
Përndryshe, çdo përpjekje për afrime të shpejta rrezikon të perceptohet si një politikë që ngrihet mbi fjalë të mëdha, por që mbetet pa përfundim të qartë.
Historia ka dëshmuar se marrëdhëniet mes popujve nuk ndërtohen mbi harresë, por mbi drejtësi. Pa u zbardhur plagët e së kaluarës, çdo afrim i nxituar me Serbinë rrezikon të mbetet vetëm një politikë “ngre e mos këput”.
Kosova nuk ka nevojë për deklarata që u ngjajnë bubullimave pa shi, por për qëndrime të qarta e të qëndrueshme që i japin kuptim solidaritetit kombëtar.
ARIF EJUPI