⦁ Punët e mira duan durim e qetësi.
⦁ Ku shihni shkolla, mbillni lule — do vijë koha që do të shijoni aromën e tyre.
⦁ Të nderosh të moshuarit, do të thotë të nderosh vetveten.
⦁ Po e ngatërruat profesionin, s’do të mbeteni as farkëtar, as berber.
⦁ Kur shihni një shtëpi të bukur, mos pyesni vetëm për të zotin e saj, por edhe për mjeshtrin.
⦁ Stadiumeve dhe palestrave u rrinë mirë emrat e sportistëve, kurse shkollave e rrugëve emrat e heronjve dhe shkencëtarëve të mirëfilltë.
⦁ Dielli dhe shiu ngjallin jetë, kurse dora e njeriut të keq shuan.
⦁ Kur akumulohet bërlloku, s’e pastron dot as shiu e as dëbora , ai vetëm shtresohet para pragjeve tona.
⦁ Shëndeti mbrohet me aktivitet sportiv, andaj ndërtoni më shumë shtigje ecjeje e më pak kafene.
⦁ Dhia mbahet dhe buka e misrit hahet vetëm kur është në pyetje mbijetesa.
⦁ Qyteti pa lumë mban pluhur dhe kundërmon erë të keqe.
⦁ Pleqtë i frikon dimri, e i gëzon pranvera.
⦁ Edhe po të jesh yll, kuptoje që qielli nuk shndrit vetëm me ty.
⦁ Po nuk pate unin tënd, mos u merr me politikë se të bën prostitutë.
⦁ Nëse u mërzitet shtëpia, bëhuni analistë në televizionet tona.
⦁ Kur jeni në rregull me mendjen, shikimin e dëgjimin, pamja bëhet e parëndësishme.
⦁ Djemtë me vathë e zinxhirë, e vajzat me tatuazhe e koka të rruara ,vera në dimër e dimri në verë; janë ngatërruar gjini e stinë.
⦁ Sot, në dasma ftohen vetëm bashkëshortet, përjashtohen fëmijët, këtë marifet disa po e quajnë “konflikt interesi”.
⦁ Asnjë reflektor nuk e ka forcën e diellit, andaj luftoni për origjinalen dhe të bukurën.
⦁ Themelues të celulave të para të UÇK-së, ishin pesë–gjashtë veta; në paqe u bënë njëmijë edhe lepujt duan të bëhen ujq.
⦁ E keqja e atij që s’ka krahë bëhet bjeshkë, kurse e atij që ka klan e muskuj avullohet si vesa para diellit.
⦁ Kur të zezës i themi e bardhë, na ka ikur truri dhe na ka marrë lumi.
⦁ Kur vetë e vidhni shtëpinë, mos pritni që t’ua përtërinë të tjerët.
⦁ Ai që të kërkon shkas për konflikt preferon lojën e ujkut me qengjin.
⦁ Murgjit serbë thirren në Zot, e në emër të tij i bëjnë njëmijë e njëqind të zeza. Ata mendojnë se ato i mbulojnë me leshin deri në kërthizë.
⦁ Hajduti e trajton njësoj kishën, xhaminë, tempullin dhe sinagogën.
⦁ Dreqi thuhet se rri vetëm në mezhda. Aty e ka ngushtë. Ai rri në kokat dhe zemrat e lakmitarëve.
⦁ Gjelave këngën ua prish dhelpra, kurse minjve vallen macja.
⦁ Së pari bëni fermë, pastaj mendoni për fabrikë bulmeti.
⦁ Femrat kur hyjnë në pubertet hallakaten sikurse lumenjtë pas reshjeve.
⦁ Fytyra e buzëqeshur e mjekut shëron vetëm atëherë kur s’keni probleme serioze me shëndetin.
⦁ Me thika e revole shkojnë në shkollë vetëm ata që kërkojnë bela.
⦁ Po i dhatë shkrepësen fëmijës, mos u çuditni nëse i shkon tym e flakë shtëpisë.
⦁ Kujdes në rrugë, se mund të haseni në kuaj e gomarë.
⦁ Derisa t’u bëhet strehë qenve endacakë, mos u çuditeni nëse njerëzve nga trupi u rrjedh gjak.
Shënim autorial
Të gjitha aforizmat dhe sarkazmat në këtë përmbledhje janë krijime origjinale të Arif Ejupit dhe burojnë nga përvoja, vëzhgimi dhe reflektimi i tij i thellë mbi jetën, shoqërinë dhe njeriun.