Diç si koment shakalogjik, 16 Maj 2015
(poetët e ujisin trëndafilin me gjithë gjembat e tij… anise modeli francez vërtet i vështirëson “rrembat e gjembat”, mëndafshi dhe gjembat vështirë të shkojnë ndonjëherë së bashku 🙂
I dua francezët, i dua pa asnjë hile. S’ke si t’mos e duash një popull aq të mrekullueshëm, që i fali dhe i fal shumçka mbarë kulturës botërore. S’ke si t’mos i duash francezët për gjithë ato gjëra të mrekullueshme që me krenari e mbajnë vulëthatën “franceze”; duke filluar nga Asteriksat e Obeliksat simpatikë të Galisë (që i grushtonin centurionët romakë) e deri tek Brigitte Bardot dhe Laetitiat moderne që thjesht buzëqeshin, për të vazhduar nga shampanjat e lloj-llojshme e deri tek kuzhinat e gjithfarëllojshme etj. etj. Sa për veten thjesht nuk di çfarë nuk dua të francezëve, gjithçka e tyre më pëlqen… pothuaj gjithçka.
Në rrafshin kulturologjik-artistik imagjino p.sh. kontributin e francezëve në përkundjen shumëshekullore të djepit kulturor të Evropës, sikur s’do ishim askund pa gjenialitetin e aq shumë artistëve francezë, të shkrimtarëve, poetëve, filozofëve… etj.
Por nuk e mohoj, shpesh sikur më pëlqen të bëj dhe ngapak shaka me ta… p.sh. sa i përket frëngjishtes. Thjesht më pëlqen. Kuptohet shakatë do t’ishin “nonsens” sikur t’i bëja ato me secilin francez që takoj. Ndonjëri ngutulush prej tyre mbase dhe do t’më bënte “lesh” me grushtat (si Asteriksi dikur centurionët) sepse s’do t’i kuptonte.
Ndërsa dëshira më shfaqet ndoshta sepse ka pothuaj dy shekuj që francezët, pa e ditur as ata vetë, sikur vendosmërisht insistojnë: “poezia duhet të shket si një shall i mëndafshtë… prapan*** së bebeve”!
Aty-këtu ndonjëri francez (dmth. në baza individualiste) ndoshta shkon akoma më larg duke e krahasuar gjithë frëngjishten me poezinë! Pra nuk përjashtohet as kjo mundësi.
Pastaj gjithë bota e njeh rigorozitetin e francezëve sa i përket drejtshkrimit të gjuhës. Gjithë bota e njeh ndjeshmërinë franceze kur është fjala për “anglicizmat” dhe për fjalët e huaja. Por bota po ashtu e dinë që të ngratët s’kanë aspak faj në këtë drejtim, qyshkur gjysma e anglishtes në fakt është “frëngjisht” me një theks tjetër 🙂
Por krahasimi i gjithë frëngjishtes me artin poetik është çështje tjetër. Natyrisht që francezët kanë të drejtë të jenë krenarë sa i përket “tingëllimës”. Frëngjishtja vërtet tingëllon si një “shall i mëndafshtë që rrëshqet prapan***…”. Dhe, siç e thamë më lart, e qartë që kjo nuk është “mendësi kolektive” franceze, thjesht aty-këtu ndokush nga shtatëdhjetë milionë francezët mbase dhe mund të mendojë ashtu. Fare afër mendsh, fjala është për shtatëdhjetë milionë e kusur shpirtra, për panumër opinione, huje e filizash të krenarisë.
Si për ironi, shprehjen e “mëndafshit…” e pata dëgjuar pikërisht nga goja e një francezi, nga një aktor francez, dikur… më tutje se një dekadë në të kaluarën. Por nuk pati lindur në kokën e tij, nuk qe shpikur nga ai vetë. Atëbotë aktori thjesht i pati thënë fjalët siç ato figuronin në skenarin e vëllezërve Wachowski, shkruar rreth viteve 2000 (nëse s’gabohem) për trilogjinë filmike “Matrix”. Sipas meje ajo frazë se ç’kishte dhe se ç’ka akoma sot diç “shekspiriane” në vetvete. Shkurt, ishte dhe mbetet fort e qëlluar, origjinale.
Asnjë thënie tjetër ndoshta s’do ta “përshkruajë” frëngjishten më saktë dhe më poetikisht (së paku jo ndonjë frazë aq e shkurtër). Asnjë poet dhe asnjë shkrimtar francez nuk ka thënë e as shkruar diç më “poetike”, diç më të fuqishme për gjuhën frënge. Ka aq shumë poetë, panumër poetë francezë por nuk më kujtohet diç e tyre që mund të krahasohet me këtë thënie.
E pata pyetur dhe një gazetar francez (të cilin e pata takuar në Vjenë para 2-3 viteve) nëse i kujtohej ndonjë shembull si gjenialitet francez prej thënie të qëlluar. Por vetëm i pati rrudhur supet duke qeshur. Pati qeshur tërë kohën, “poetikën Wachowski” lidhur me frëngjishten nuk e dinte, e pati “mësuar” nga unë. Respektivisht, i tregova që personazhi (i botës distopike të Matrix, nga imagjinata “Wachowski”) me emrin Merovingian (pas një sharje të ndyrë në frëngjisht, si shembull gjoja i “fluiditetit” të frëngjishtes) shprehet – “frëngjishtja… është si kur e përshkon prapan*** me mëndafsh”!
Këtu pati qenë strukur dhe zanafilla e frymëzimit për shakanë time, duke e adaptuar idenë “wachowski” të mëndafshit gjuhësor.
Tani sa herë më kujtohet “poetikja hollivudiane” e vëllezërve Wachowski, më shkon buza në gaz. Njëherë më pati vajtur mendja mos vallë francezët e dikurshëm i ngatërronin paksa androgjenizmin poetik me frëngjishten e salloneve… me atë butësinë e “burrërisë” aristokratike. Fare lehtë mund të ketë qenë e mundur, s’ka asnjë garanci për “jo-në” 🙂 Ishte thjesht trend, ishte modë që burrat të përshfaqeshin dhe të silleshin sa më “femëror”, sa më të butë, sa më të mëndafshtë. Ky pohim na dëshmohet me historinë kulturore dhe avancimet, duke filluar që nga veshjet e deri tek etiquettes, sjelljet e mirësjelljet nëpër gostitë mbretërore e koncertet. Të gjitha sallonet e Rusisë së madhe, pastaj të Francës së paskajshme “imperiale”… dhe mjaft sosh të shteteve e të provincave të Evropës vallë a nuk e praktikonin “moden e frëngjisht-foljes” si kulturë e lartë moderne (e kohës).
Andaj si mund të përjashtohet sot “influenca” e frëngjishtes në poetikat e botës? Ndoshta njëjtë mund të kenë menduar dhe vëllezërit Wachowski dikur, një dekadë më herët, dhe hooop pati lindur fraza e tyre poetike aq e qëlluar. Shakalogji por dhe vërtetësi e poezi, të gjitha së bashku në një varg të vetëm.
Mund të ironizojmë tani, megjithate dorën në zemër, ky “ngatërrim” i aristokracisë së dikurshme dhe nuk është aq larg mendsh. Influenca dhe “marrëdhëniet” me qarqet poetike ishin të dyanëshme… apo si duhet thënë, gjithçka ishte reciproke. Pa le që shumë nga poetët dhe vetë e pëlqenin “shoqërinë e lartë”, gjërat ishin të lidhura. Pastaj tjetra, as dikur por dhe as sot e kësaj dite s’ka si injorohet fakti që poezia vetë është pjesë e kulturës së lartë… 🙂
Dhe e saktë që poezia është mjaft e “sofistikuar”, e ndieshme, e butë si një shall mëndafshi. Pothuaj s’ka poetë që nuk është influencuar sadopak nga “mentaliteti” i butësisë poetike franceze. Tekefundit, veç e thamë, që “influenca franceze” vlen për gjithë universiadën poetike, s’ka asgjë të jashtëzakonshme në këtë rrafsh.
Por, bie fjala, t’mos preferohen akoma aq masovisht (as si lexim, as si shkrim) disa forma të poezisë post-moderne (të cilat ndoshta dhe duken si “gjemba” poetikë)… do ta konsideroja këtu në kuadër të shakasë si një lloj faktori qesharak në vetvete – ndoshta sepse është ngjashëm sikur të injorohen gjembat e trëndafilit. Sipas meje poetët e ujisin trëndafilin me gjithë gjembat e tij, pavarësisht stileve dhe formave, herë eksperimentale e herë formash (klasike) të konsoliduara poetike. Anise, natyrisht, këto janë dy gjëra të ndryshme që duhen “veçuar” nga njëra-tjetra. “Gjembat” me gjithë trëndafilin janë kategori në vete, dhe ndoshta pikërisht kjo qasje ose jo harrimi i “gjembave” do duhej të ishte dallimi, dmth. pa rënë ndesh aq shumë me “shallin e mëndafshtë… të francezëve”, por duke i konsideruar të gjitha detajet.
Edhe pse, ç’është e vërteta, modeli francez vërtet i vështirëson “rrembat e gjembat”, mëndafshi dhe gjembat vështirë të shkojnë ndonjëherë së bashku 🙂 Në anën tjetër sikur të ngeleshim përgjithmonë nën influencën poetike të “mëndafshit” mbase s’do bëhej asnjë hap tutje, as post-modernizmi gjembatik as cilado “frymë” tjetër poetike nuk do t’ishin të mundura.
Komentet