I kisha lënë të vegjël kur ika nga Shqipëria për në Itali. Në pesë vite adoleshentët bëhen gati burra. Të tillë ishin bërë edhe dy nipërit e mi, Arnisi e Irgisi. Po t’i kisha takuar rastësisht në rrugë nuk do i kisha njohur. Pesë vite pa i parë. Ndaj edhe nuk i përmbaja dot emocionet kur i pritëm bashkë me Nduen në aeroportin e Veronës. Janë të parët nga njerëzit e mi që erdhën të na bëjnë vizitë në shtëpinë ku banojmë në Trentino. Dhe lumturia ime merrte krahë e dukej sikur fluturonte deri tej në majat e Alpeve. E kjo lumturi dyfishohej kur shikoja gëzimin e Ndues tek i përqafonte me dashuri, duke iu uruar mirëseardhjen.
Bashkë me Nduen kishim bërë edhe një program të detajuar shetitjesh për t’i kënaqur dy nipërit e dashur. Ditën e ardhjes në Itali, Arnisi mbushte 18 vjet. Dhe hyrjen e tij në pragun e magioreneve i takoi ta bënte me vulën e parë në pashaportë si turist në Italinë e bukur. Befasia e tij ishte më e madhe, kur i thamë se si dhuratë për ditëlindjen kishim menduar një udhëtim fundjave në Mynih të Gjermanisë e në Austri. Unë kisha menduar që do i kënaqnim duke i çuar të shetisnin nëpër parqet e Mynihut, që janë të shumtë e të bukur. Kurse Ndue më thoshte që duhet të mbajmë parasysh moshën e tyre fare të re, hobby-t dhe kërkesat që kanë të rinjtë e kësaj moshe. Dhe në fakt, ndalesa e parë në Mynih ishte stadiumi i madh e i mirënjohur “Alianz Arena”. Kur makina u ndal përpara stadiumit, atyre iu dukej e pabesueshme, që një ëndërr të cilën e kishin patur prej vitesh e diskutuar aq herë me moshatarët e tyre, po realizohej aq thjeshtë. E menjëherë dhjetra foto përpara stadiumit do kalonin shpejt në efir për të rendur deri tek miqtë e moshatarët e tyre në Tiranë, Greqi e kudo që ndodhen.
Pastaj, pjesëmarrja në festën e birrës, Oktober fest, që është një nga evenimentet më të rëndësishme të Mynihut me fillimin e stinës së vjeshtës dhe përkonte me fundjavën e hapjes së saj. Në kuadrin e kësaj feste vajtëm edhe tek birraria më e madhe e planetit, “Hofbraun”, e cila ka 7 mijë vende ulur. Aty konsumohen çdo ditë lumenj birre. Kamerieri që na shërbente, na tha që gjatë 14 orëve që birraria qëndron hapur tavolinat mbushen 5-6 herë me turistë që vijnë nga e gjithë bota, pra i takon rreth 40 mijë klientë në ditë. Birra prodhohet nga fabrika e familjes Hofbraun dhe del direkt me rubinet tek lokali, ku krikllat e mëdha një litërshe mbushen pa pushim për të shkuar në tavolinat ku nuk gjen vend të ulesh, por duhet të presësh në radhë.
Mynihu na priti me kohë të ftohtë. Ndërsa ne kapërcenim Alpet për të shkuar në Austri e për të vazhduar më tej, malet ishin zbardhur nga dëbora dhe fjolla dëbore binin deri në xhamin e makinës sonë. Temperatura shënonte 7 gradë. Unë isha veshur lehtë e ndjeja që kur të zbrisja në tokë dhëmbët do më kërcisnin nga të dridhurat. Edhe dy djemtë ishin veshur lehtë. Vetëm Ndue, që na paralajmëroi për të ftohtin që na priste, kishte marrë me vete jo vetëm kostumin, por edhe pardesynë.
Pasi e kaluam ditën me shetitje në qendrën e Mynihut, rrugëve e monumenteve të tij të shumta, në mbrëmje shkuam të flemë në qytetin Augusta, (Augsburg) në rrethinat e kryeqytetit bavarez, që njihet si vendlindja e mbretit Maksimilian. Madje edhe hoteli ku kemi prenotuar ndodhet pikërisht në rrugën Maksimilian strasse. Është një hotel luksoz e me kushte shumë komode. Ndue më tregon se ky eshtë qyteti i tretë i Bavarisë nga madhësia pas Mynihut e Nurenbergut dhe ka një popullsi rreth 300 mijë banorë. Në këtë qytet ka kaluar një natë edhe mbretëresha e Francës Maria Antuaneta gjatë udhëtimit nga Viena për në Paris. Ajo mori pjesë edhe në një ballo të madhe që organizohej për herë të parë në këtë qytet e që pastaj do të mbetej në traditën e aristokracisë vendase. Në këtë qytet ndodhet edhe shtëpia e lindjes e babait të kompzitorit të famshëm Moxart.
Gjatë kthimit për në Itali u ndalëm për disa orë në qytetin e Insbrukut, ku vizituam pallatin perandorak, ku vinte shpesh herë për pushime dimërore princesha Sisi, rrugët e bukura, qendrën aq tërheqëse me dyqane të shumta dhe restorantin ku vinte gjithnjë poeti i madh Gëte, buzë lumit Inn etj. Tani na shoqëron një kohë shumë e bukur, që na lejon të shetisim lirisht.
Pasi kapërcejmë sërish Alpet dhe hyjmë në tokën italiane, ku temperaturat i gjemë mbi 20 gradë, vizitojmë edhe qytetin e bukur e modern Bolzano, kryeqendrën e provincës autonome Alto Adige.
Një qytet me rrugë e ndërtime moderne, me lokale e dyqane të shumta, me një rini të bukur që i mbush rrugët, sidomos orëve të mbrëmjes, ku jeta gjallëron në mënyrë të veçantë. Këtu ka edhe plot shqiptarë, sidomos nga Kosova.
Arnisi e Irgisi kënaqen me gjithë ato bukuri që u jepet rasti të shijojnë e me informacionet e pasura që u ofron ciceroni i grupit tonë ngado që shkelim. Ata lumturohen për gjithçka e ne ndihemi të lumtur me praninë e tyre.
Në ditët e tjera shetitje te reja janë në programin e grupit.
Komentet