Gruaja mori një honorar të majmë nga botimi i një libri. Më gëzoi dhe mua, më bleu tuta firmato ngjyrë blu. Por sa i vesha më porositi egër:
-T’i gëzosh dhe kurrë mos guxo të gatuash me këto në trup! Kupton?! Se do i bësh njolla-njolla që s’ka pastrim kimik t’i heqë.
Tunda kokën e nuk nxora zë se trokiti dera atë çast. E hapa,para m’u shfaqën Neta dhe Vjollca,shoqet e gruas. Shohin bashkë telenovelat. U rehatuan dhe u përqëndruan te ekrani.
Bash në mes të kësaj qetësie unë nisa të xhvishem. Para tyre. Hoqa në fillim bluzën e tutës. Dola ma kanatiere,ama të bardhë borë. Ndriste nga pastërtia. Ula pastaj pantallonat e tutave e sa doli rripi i bardhë Calvin Klein buçitën të treja në një zë:
-Ç’bën more? Je në vete?
Gruas kokërdhokët i kërcyen e gati më ranë ballit. Neta rrinte me kokën unjur ndërsa Vjollca më hidhte ndonjë sekondë sytë vjedhurazi.
-Qetësohu grua,qetësohu! Tani kam orën e gatimit për nesër dhe me tutat e reja ti sikur ma ndalove rreptësisht,-i fola qetë.
E kuqja e fytyrës i vinte dhe i ikte. Fap-fap si ato llampat me rele të pemës së vitit të ri.
-Hamë në restorant nesër,-urdhëroi e vrik më ngriti tutat deri sipër sisëve të mija muskuloze.