15 dhjetori 2010 është data kur më në fund shqiptarët mundën të lëvizin pa viza në Europë. Pak javë pas marrjes së vendimit nga ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, më 14 dhjetor u botua lajmi në Eur-Lex, gazeta zyrtare e BE-së, ku bëhej me dije hapjen e dritës jeshile për shqiptarët e Shqipërisë të cilët filluan prej orës 00:01 të datës 15 dhjetor 2010 të lëvizin të lirë në Zonën Shengen
“Duke filluar nga data 15/12/2010, qytetarët e Republikës së Shqipërisë nuk do të kenë nevojë për vizë për të udhëtuar në 25 prej shteteve anëtare të Bashkimit Evropian si dhe në 3 shtete të tjera jo-anëtare të BE-së, pjesë të zonës Shengen. Qytetarët e Republikës së Shqipërisë që kanë një pasaportë të vlefshme biometrike, mund të udhëtojnë pa vizë në këto shtete për periudha afatshkurtra deri në 90 ditë çdo gjashtë muaj (180 ditë), për qëllime biznesi, për studime apo për turizëm” thuhej mes të tjerash në gazetën zyrtare të BE-së.