TIRANË-Është thelluar bilanci i viktimave për familjen në Maliq, banesa e të cilëve u përfshi nga zjarri më 19 tetor. Raportohet se pas nënës Merjeme Azisllari, dhe djalit të saj, Luka Azisllari, 14 vjeç, ka humbur jetën edhe vajza 6-vjeçare në QSUT. Nefeli Hazisllari prej disa ditësh ndodhej e shtruar në Pediatrinë e Tiranës, pasi pësoi plagë të rënda nga flakët, por nuk ka mundur të mbijetojë.
Zjarri që përfshiu banesën e familjes Hazisllari, i mori jetën nënë e bir. Sipas dëshmive të fqinjëve, nëna dhe djali 14-vjeçar kanë mbetur të bllokuar brenda banesës, ndërsa vajza 6-vjeçare ka arritur të shpëtojë duke u hedhur nga dritarja. Mësohet se një fqinje i ka ardhur në ndihmë vajzës, pasi dëgjoi të bërtiturat dhe zhurmën e derës që goditej me shkelma. Dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë soba me dru. Fqinjët treguan familja përballej me kushte të vështira ekonomike dhe se të dy fëmijët vuanin nga autizmi.