Në një postim në Facebook, deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike për Qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni, ka përkujtuar një nga ngjarjet më të rënda dhe më pak të njohura të historisë antikomuniste në Shqipëri – Masakrën e Qafë Valmirit, ku më 17 gusht 1949, regjimi komunist ekzekutoi në një ditë 14 burra nga Mirdita, në shenjë hakmarrjeje për rezistencën ndaj diktaturës.
Gjoni ndalet te disa prej episodeve më të dhimbshme të kësaj masakre, një baba që kërkoi të varej në vend të të birit, një burrë që u var në sy të gruas dhe vajzës së tij, dhe familje që u goditën vetëm pse një i afërm kishte zgjedhur armët kundër regjimit.
Sipas tij, kjo shtresë e persekutuar është themeli moral i së djathtës shqiptare, dhe pa sakrificën e tyre nuk do të ishte e mundur përmbysja e diktaturës në vitin 1990.
Postimi i plotë:
Masakra e Qafë Valmirit, ku u dënuan me vdekje në një ditë 14 burra në Mirditë, sot është dita të kujtojmë çmimin e rëndë që paguan të parët tanë në emër të lirisë!
Në 17 gusht 1949, regjimi komunist përgjaku Mirditën në shenjë hakmarrjeje për rezistencën e armatosur të kësaj treve kundër instalimit të regjimit.
Pasi forcat e ndjekjes, që drejtoheshin nga emisarë serbë dhe rusë, kishin pësuar humbje të rënda nga përballja me grupet e rezistencës në Tokën e Katedraleve dhe rezistencës, regjimi i Tiranës vendosi të hakmerrej në mënyrën më të rëndë.
Në atë që njihet si Masakra e Qafë Valmirit, regjimi komunist ekzekutoi 14 burra nga dyert më të fisme të Mirditës, 4 prej të cilëve u varën në litar, ndërsa 10 u pushkatuan.
Një baba që kërkoi të varej në vend të djalit, një vëlla që dënohet me vdekje se i vëllai ishte në Mal dhe një burrë që varet në litar në sy të vajzës dhe gruas, janë disa episode tragjike të kësaj masakre.
Pas kësaj, rreth 500 familje u internuan në rrethe të ndryshme të vendit, teksa territori i krahinës së Mirditës u nda në 7 rrethe.
Sot, më shumë se kurrë, duhet të nderojmë ata burra që zgjodhën rezistencën dhe familjet e tyre që paguan shtrenjtë çmimin për një Shqipëri të lirë dhe në kufijtë e saj etnike.
Kjo shtresë është shtylla e të djathtës shqiptare dhe pa sakrificën e tyre nuk do të kishte ardhur kurrë përmbysja e regjimit në vitin 1990.
sn