Nëpër turmë, nëpër zhurmë, i pa udhë,
po le gjurmë, me babëzi.
Herë i zi, herë i murrmë, zgjatet vargu,
e stërzgjatet, lukuni.
Me lëvdata, si shamata, me lëngata,
kaq të gjata, si mandata lemeri.
Ne të pritëm, porsi dritën e të ngritëm
dhe të ngjitëm, si të ishe perëndi.
Ja, ti erdhe dhe u derdhe dhe na shtrydhe
dhe na zverdhe, si limoni.
Ditë pas dite, nëpër vite u zvarrite,
ja u ngjite dhe u ngrite, për tek froni.
Si na shave dhe na vrave, ti na ndave
dhe përçave, si demoni.
Ja dhe gjyqet, ja dhe kryqet, ja dhe qyqet,
që na presin, ja dhe honi!
Si na ndrite e spërndrite, brohorite
dhe u shite, nga gjithë qëniet m’i rralli.
Si na ndrydhe, ti na ndyve dhe na rope
e na shtyve nëpër kurthe, porsi halli.
Pa na cyte, kacafyte, ti na mbyte
dhe na zhyte nëpër llucë, përsëgjalli.
Edhe jetën, si na vele, ti na nxive
dhe na shkele me këpucë, porsi djalli.
Si na thinje dhe na mardhe, ti na nginje
dhe na zbardhe, veç me shpresë.
Nuk u tkurre, veç u mburre dhe na rrejte
dhe u fryve me ca bejte, si këndes.
Ngado vajte, edhe shkove, na u ngjite,
porsi rrodhe dhe na vodhe ti çdo pjesë.
Na u turre dhe na ndoqe dhe na poqe
dhe na pshurre majë kresë.