Më 31 maj të vitit 2005, 31 vite pas dorëheqjes së Presidentit Richard Nixon, personi kryesor, që në mënyrë anonime i kishte dhënë informacione shtypit mbi skandalin “Watergate”, i njohur me nofkën “Zëri i Thellë”, “Deep Throat” zbuloi identitetin e tij në një artikull të botuar në revistën Vanity Fair (Vanity Fair magazine.)
Veprimi i zotit Mark Felt shtangu gazetarët Bob Woodward dhe Carl Bernstein, të cilët përmes raportimeve të tyre në gazetën “The Washington Post” çuan në rrëzimin e Presidentit Richard Nixon. Dy gazetarët bënë përpjekje maksimale për të ruajtur identitetin e zotit Felt dhe kishin premtuar ta ruanin sekretin deri në vdekjen e tij.
Megjithëse, emri i tij u përfol në vitet pas dorëheqjes së Presidentit Nixon, Felt vazhdimisht i mohoi njoftimet se ai ishte burimi me nofkën “Deep Throat”.
“Unë kurrë nuk u kam dhënë informacione gazetarëve Woodward dhe Bernstein ose të tjerëve,” shkroi ai në shënimet e tij biografike të vitit 1979.
Në vitin 1999, gjashtë vjet para se të pranonte rolin e tij në rrjedhjen e informacionit rreth skandalit Watergate, Felt është cituar të ketë thënë se, “Rrjedhja e informacioneve do të ishte në kundërshtim me përgjegjësitë e mija si një punonjës besnik i FBI-së.” Mark Felt ishte Zëvendës-Drejtor i FBI-së në kohën kur shpërtheu skandali Watergate.
Në disa takime në mesnate në një vendparkim në qytetin e Arlingtonit në Virxhinia, Felt u ka konfimuar gazetarëve njoftimet që lidhnin ekipin elektoral për rizgjedhjen e presidentit Nixon me vjedhjet në Watergate (selia e atëhershme e partisë demokrate) dhe hetimet e paligjshme ndaj partisë demokrate.
Ai gjithashtu njoftoi gazetarin Woodward mbi natyrën e thellë të skandalit, duke aluduar se gjurmët e skandalit mund të çonin në nivele të larta të qeverisë, duke përfshirë edhe vetë presidentin Nixon.
Nixon dha dorëheqjen, duke u bërë presidenti i parë amerikan që bëri një veprim të tillë ndërkohë që ndaj tij ishin ngritur akuza për pengim të drejtësisë nga kongresi. Këshilltarët e tij kryesor, H.R. Haldeman, John Erlichman dhe konsulli i Shtëpisë së Bardhë, John Dean u dënuan me burg për rolin e tyre në skandalin Watergate.
Në mesin e zyrtarëve të tjerë të burgosur për rolin e tyre në këtë skandal ishin edhe Prokurori i Përgjithshëm, John Mitchell, anëtarët e personelit të Shtëpisë së Bardhë Howard Hunt dhe G. Gordon Liddy dhe këshilltari special i presidentit, Charles Colson.
Edhe pesë personat që u kapën në selinë e partisë demokrate në hotelin Watergate, duke vjedhur dokumente, u burgosën nga autoritetet.
Në vitin 1973, gazeta The Washington Post fitoi çmimin Pulitzer për mbulimin e ngjarjeve rreth skandalit Watergate. Hollivudi, në vitin 1976 realizoi një film të quajtur “All the President’s Men,” (Njerëzit e Presidentit) në të cilin rolet e personazheve kryesore u luajtën nga aktorët e njohur Robert Redford dhe Dustin Hoffman.
Mark Felt vdiq më 18 dhjetor të vitit 2008, në moshën 95 vjeçare.
Komentet