Shqiptarët e Maqedonisë janë ndryshe nga ata të Kosovës apo vetë Shqipërisë. Janë më të urtë, më fetarë dhe paqësorë. Kjo do të thotë që kanë më shumë nevojë për kujdes nga Shqipëria, e cila në dekadat e fundit ka treguar indiferencë ndaj tyre dhe komplicitet me maqedonasit. E tregoi së fundmi edhe “Kumanova”. Reagimi me vonesë, që edhe atëherë kur u bë ishte sa për të thënë, ishte i mefshtë. Këshilltarët “de facto” e “de jure” të kryeministrit Rama të importuar nga ish-Jugosllavia, bien në sy që nuk kanë regjistrat e nevojshëm të zhvillimeve atje. Shërbimi inteligjent shqiptar fle gjumë ose fsheh informacion; deklarata e MPJ-së drejtuar Gruevskit me kërkesën që “të mos cilësohej etnia e rebelëve”, bënte të qeshnin edhe pulat; ndërkohë ambasada jonë në Shkup, nuk justifikon as qenien si shërbim postar.
Shqipëria ka qenë vazhdimisht kujdestare e zhvillimeve politike ndaj shqiptarëve në Maqedoni. Ka promovuar PDSH-në, e më vonë Ali Ahmetin dhe BDI-në. Sot, udhëheqësit e tyre kanë krijuar feudin politik dhe vijnë hera-herës në Tiranë për të bërë foto që iu japin legjitimitet patriotik. Qëndrimi i tyre është tipiku i bejlerëve shqiptarë që hidhnin vickla nën Perandorinë Otomane sa për të shtuar ndonjë privilegj, por ishin armiqtë më të egër të vetë shqiptarëve. Përgjimet evidentuan edhe sjellje prej spiunësh ordinerë.
Natyrisht që ujërat mund të lihen siç janë: që Aliu dhe Thaçi të vazhdojnë të marrin ndonjë votë që nuk ka lidhje me etninë por me të grupeve kriminale dhe të interesit që janë rreth tyre; që Tiranë të lëshojë deklarata boshe patriotike e të injorojë zhvillimet reale; dhe Prishtina të bëjë rolin e paqëtuesit ndërkohë që nuk ka siguruar ende ekzistencën e vet shtetërore. Por ky nuk është realiteti. Ashtu si në 100 vjetët e fundit, shqiptarët e Maqedonisë shihen nga sllavët si racë inferiore. Lagjet ku banojnë shqiptarët janë geto, të lëna me qëllim të tilla, pasi nuk iu jepen leje ndërtimi. Punësimi i tyre mbahet qëllimisht nën kuota minimale. Ndërsa arsimimi është jocilësor. Kjo i detyron të marrin rrugët e emigracionit. Ndaj është iluzion që një ditë shqiptarët do t’i kalojnë numerikisht maqedonasit në numër popullate si efekt i lindjeve. Maqedonasit janë kujdesur ta bëjnë të pajetueshëm atë vend për shqiptarët. Shekulli i fundit e ka dëshmuar.
E ardhmja e kësaj hapësire, ka nevojë për zgjidhje radikale ku Tirana duhet të ketë rolin e saj të dorës së parë, si në formatimin e liderëve të rinj, ashtu edhe në argumentimin ndaj aleatëve të mëdhenj vendimmarrës për një konfigurim të ri të hartës, pasi faktori ndërkombëtar që do ta bënte Maqedoninë një shembull integrimi dështoi. Këto hibride kanë dështuar historikisht. Nuk mbijetoi Çekosllovaki me dy popuj që ishin racë e njëjtë; Jugosllavi ku popuj i ndante vetëm feja; ndërsa Rusia mbahet e bashkuar nga vullneti dhe forca e rusëve. Asnjë bashkim mekanik popujsh nuk mund të jetë vend demokratik. Fatkeqësi të thuhet, por demokracia është produkt që kërkon kombe homogjenë nga pikëpamja demografike. I vetmi përjashtim është Zvicra. Por Zvicrën e bënë kantonet dhe jo Zvicra të krijonte kombësitë dhe demokratizonte ato, siç po tentohet me Maqedoninë.
Gabimi me Maqedonisë nis nga krijimi i saj si shtet unitar. Marrëveshja e Ohrit, mund të quhej e suksesshme nëse do ta kishte konfederalizuar. Kjo do të kishte sjellë edhe ndarje të butë të hapësirave territoriale dhe shkëmbim të butë popullsish. Mbetet ende një opsion. Opsioni më afatgjatë. Pasi në vazhdoftë në këtë rrugë, gjithmonë do të dalin probleme. Nuk ka rëndësi nëse në Shkup sundon Gruevski apo Zaevi. Vazhdimësia e sundimit maqedonas ka treguar alergji për shqiptarët. Do të ndryshojnë nuancat, por thelbi gjithmonë mbetet njëlloj.
Zgjidhje e guximshme dhe e përhershme do të ishte ndarja e saj. E cila duhej të vinte mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, që janë edhe shtete anëtare të NATO-s, duke përjashtuar Serbinë dhe Greqia që nuk kanë të drejta historike mbi ato hapësira. Kjo do të kërkonte bisedime të gjata mbi territore historike për shqiptarët si Shkupi dhe Manastiri, apo statuse për qytete me domethënie për historinë bullgare si Ohri dhe Struga. Do të kërkonte federalizimin e Shqipërisë dhe Bullgarisë, pasi maqedonasve do iu duhet ca kohë t’u dalë dopingu i injektuar nga Tito si racë e veçantë, ndërsa shqiptarët, për shkak të paaftësisë së shtetit të tyre, kanë nevojë për kohë në asimilim dhe zhdukjen e feudeve politike të udhëheqësve nga të dyja anët e kufirit. Sa për promovuesit e frikës së “Shqipërisë së Madhe”, e dinë se, edhe nëse ndodh ky bashkim, nuk përbën kërcënim për rajonin. Shqiptarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë, nuk bëjnë së bashku as 3.5 milionë. Edhe nëse i shtohet Kosova, mezi kalojnë 5 milionë, duke mbetur rishtas shteti më i vogël në Ballkan. Por Ballkani nuk do të gjejë qetësi pa u zgjidhur dhe çështja shqiptare. Pas 70 vjetësh nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ende gjykimet për hapësirën e ish-Jugosllavisë bëhen mbi ndarjet territoriale dhe kriteret që lanë Karagjorgjeviçët dhe Tito. Sa u takon shqiptarëve, nuk mund të vazhdojnë të përdoren si arna për të mballosur dhe krijuar shtete në Ballkan. Nuk do të ketë një Shqipëri funksionale dhe demokratike, pa u realizuar bashkimi i popullsisë në mënyrë që të funksionojë si një trup i vetëm, pasi një popull që aspiron bashkimin kombëtar, nuk e ka mendjen te demokracia dhe bëhet gjithmonë pre e demagogëve. Nuk do të ketë Serbi dhe Greqi të paqëtuar pa parë një Shqipëri normale, pasi kjo e sotmja nuk ndryshon nga ajo e 1912-ës dhe gjithmonë iu ngjall oreksin e të ngrënit. Është koha e një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale në Ballkan që ky të qetësohet përfundimisht. Ndoshta e fundit ndërhyrje.
Komentet