Berlin, fror 2016
Kerët, këta hyjni të vdekjes, e bij të natës, shfaqeshin me krahë të zinj dhe mantel të njomur me gjak..!
Këtë shkruajnë librat e mitologjisë, por ç’thotë për transmigrimin e tyre n’trupëzim të jetës reale, fjalori i rëndë e duhmonjës i bashkëkohësisë?
Edhepse “shumë fuqi e zona hyjnore” kanë hedhur kësomotshëm pëlhurën e brymtë, zbritja e këndejme nuk është plotnore. Dhe s’mund të ishte kurrësesi. Kerët e pushtetuar të Kosovës s’mund të pretendojnë aureolin apo adhurimin mitik të hyjnive. Janë tepër profanë e tokësorë. Të pranishëm kudo mes njerëzish e orësh të tyre. Madje nuk janë as bijë të territ. Krejt ç’bëjnë – e bëjnë ditën për diell. Pa turp, pa drojë, pa kufi…Muzgu i gjen prorë me ndjesinë e ngrohtë e triumfale të punës së mbaruar: me kontot rentabël, me sistemimet tribale, kurthat mashtruese dhe, si kurorë, zhbirimet e shtetit që përkundet lavdishëm e matet me hijen e vet..!
Megjithatë, meqë i pakëputshëm është filli mijëvjeçarë i shpirtit të kësaj bote – aherë një shëmbëllesë e mahnitshme e tronditëse rreket të spikasë me kerët imagjinarë të lashtësisë: mbajnë veshur mantelin e njomur me gjak!
Komentet