“Lëvizja Nacional Çlirimtare”, me këtë emërtim, i dha kombit shqiptar një ofertë, në dukje, tërheqëse: ofertën e angazhimit, të lëvizjes, të çlirimit kombëtar. Nga ana tjetër, “Balli Kombëtar”, me këtë emërtim, thjeshtë evidentoi shtresën sociale që kishte krijuar emrin si më e shquara e kombit. Ndërkohë, “Legaliteti” vuajti raportin e paqartë që Ish Mbreti krijoi me kombin, sidomos në momentin vendimtar të përballimit me pushtuesit italianë.
Gjithsesi, edhe oferta tërheqëse e “Nacional-Çlirimtares” për çlirim kombëtar nuk u realizua. Kufijtë e Shqipërisë, edhe pas asaj lufte të organizuar dhe të lidhur në aleancë me krahun e duhur, mbetën po ato të vendosura më 1913. Nuk kish si të ndodhte ndryshe. Konferencat e institucionlizuara të fituesve të Luftës së Dytë Botërore nuk lanë hapësira për rregullime kufijsh. Liderët e aleatëve kryesorë antifashistë e kishin bërë të qartë në deklaratat e tyre se “Doktrina e zgjidhjes me anë pushtimi dhe me anë të shpalljes së njëanshme të sovranitetit nëpërmjet okupimit – metodë kjo që u zbatua nga armiku…është hedhur poshtë vendosmërisht dhe solemnisht nga qeveritë aleate që morën pjesë në këtë luftë.”
Si në çdo luftë, edhe në Luftën e Dytë Botërore u ndëshkuan vetëm shkaktarët, humbësit dhe pasuesit e tyre. Gjermania – shkaktare kryesore e asaj drame më të madhe të njerëzimit, u nda më dysh. Italia si pjesë e Aleancës së Boshtit Berlin-Romë-Tokio, humbi të gjitha kolonitë e saj dhe u detyrua të njohë pavarësinë e Shqipërisë si bashkim personal me monarkinë italiane pas pushtimit të Shqipërisë më 7 Prill 1939. Në rrjedhim të orientimit të gabuar strategjik, Finlanda, e cila gjatë Luftës bëri aleancë me Gjermaninë, u ndëshkua me humbjen e afërsisht 10% të territorit të saj. Ky fat iu rezervua Transnistrisë e Moldavisë, vendeve baltike, Transilvanisë e Dobruxhës, si dhe disa territoreve të tjera në Rumani, Bullgari e Hungari, të cilat u radhitën në Boshtin fashist e jo me aleancën antifashiste.
Jugosllavia ishte një nga fituesit e kësaj lufte. Pas Bashkimit Sovjetik, ajo përjetoi humbjet më të mëdha përkundrejt numrit të popullsisë (rreth 10%). Ishte pikërisht kjo arsye që Italia u detyrua nga Aleanca Antifashiste t’i lëshonte Jugosllavisë pjesën më të madhe të Istrias, të gjitha ishujt e bregdetit lindor të Adriatikut e më vonë, një pjesë të Triestes. Në këto kushte, as që nuk mund të bëhej fjalë që Jugosllavisë t’i merreshin territore. Akoma më absurde është që këto territore t’i jepeshin Shqipërisë, kontributet e së cilës në luftën antifashiste e antinaziste, aleatët e mëdhenj i njihnin kryesisht me syzet e jugosllavëve.
Në anën tjetër, edhe Greqia u rreshtua në krah fitimtarëve, pikërisht dhe kryesisht me kundërgoditjen e suksesshme ndaj sulmit aventuresk Italian. Për këtë arsye, por edhe për shkak të pozitës së saj gjeostrategjike, ajo kishte qenë dhe kishte mbetur e përkëdhelura e Anglisë, që në krijimin e shtetit të vet. Në Dhjetor 1941 Sekretari i Jashtëm Britanik Eden u fut në diskutime me Stalinin e Molotovin nga ku u ra në ujdi që të mbështesnin të drejtën e Jugosllavisë për t’u rirregulluar brenda kufijve të paraluftës, ndërkohë që, po aty, u deklarua se një shtet shqiptar i pavarur do të vijonte të ekzistonte, porse çështja e kufijve të tij duhet të mbetej e hapur. Ishte vetëm angazhimi i fuqishëm diplomatik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që e prishi këtë ujdi, duke këmbëngulur që, konfigurimi i botës së pasluftës, duke përfshirë edhe kufijtë, të diskutohej e vendosej vetëm pas mbarimit të luftës, duke shpëtuar kështu për të dytën herë integritetin territorial të Shqipërisë.
Por rrjedhat e kulisave diplomatike u përmbysën edhe nga njohja faktike e zhvillimeve në terren. Vetëm një vit më vonë, në dhjetor të vitit 1942, ministrat e jashtëm të tre Fuqive të Mëdha të koalicionit antifashist C. Hull, A. Eden e V. Molotov lëshuan një deklaratë përmes së cilës e çmonin qëndresën e armatosur të shqiptarëve dhe njihnin pavarësinë kombëtare të Shqipërisë. Sidoqoftë, Sekretari Britanik i Punëve të Jashtme, A. Eden shfaqi rezerva lidhur me kufijtë e Shqipërisë, të cilat, sikurse është e njohur tashmë, lidheshin me premtimet që Britania e Madhe i kishte dhënë Greqisë për lëshime territoriale në Shqipërinë e Jugut.
Është gur themeli të pranosh apo të mos pranosh që Shqipëria u rendit në anën e fitimtarëve të asaj lufte. Në të kundërtën, nëse ky vend i stërlodhur së brendshmi dhe fare pak i njohur së jashtmi, do të ishte renditur në radhët e shkaktarëve, humbësve apo pasuesve të Gjermanisë Naziste e Italisë fashiste, atëherë pasojat proporcionale do ishin të pashmangshme.
Shanse të humbura
Sipas të gjitha vlerësimeve strategjike e ushtarake serioze, operacioni italian kundër Shqipërisë ishte pak më i mirë se një kaos. Në atë kohë Italia i kishte përhapur forcat në pesë fronte strategjike, të cilët ishin të shkëputur me njeri tjetrin në pikëpamje operative. Kjo do të thotë se asnjeri prej këtyre fronteve nuk do mund t’i vinte në ndihmë fronteve të tjerë, as në kohën e duhur dhe me as me forcat e duhura. Sikur forcat ushtarake e xhandarmëria shqiptare e kohës prej rreth 15.000 vetë, si dhe populli shqiptar të ishin organizuar më mirë ushtarakisht për të zhvilluar veprime më të fuqishme mbrojtëse, atëherë aventura italiane ndoshta mund të mos e kishte kaluar kufirin e Shqipërisë.
Nacionalistët shqiptarë që qeverisnin Shqipërinë që prej vitit 1912, kishin një armë të madhe për ta shfrytëzuar për këtë qëllim: pikërisht nacionalizmin shqiptar. Mund të thuhet pa asnjë mëdyshje se nacionalizmi dhe gjuha shqipe e patën mbajtur gjallë Shqipërinë si në kohët më vështira të pushtimit otoman, ashtu edhe në dhjetëvjeçarët pas themelimit të shtetit Shqiptar. Populli shqiptar, së brendshmi është nacionalist nga vetë kushtet ekonomike e sociale, nga vetë karakteristikat e gjeografisë dhe topografisë së vendit. E kaluara dhe historia e popullit shqiptar gjithashtu nuk kishte qenë një histori komuniste, por një histori nacionaliste. Ai i kishte energjitë për t’u përballur me pushtuesin Italian, pikërisht me nacionalizëm.
Por a u menaxhua ky nacionalizëm? Në dy vjetët e parë të pushtimit ishte përgjegjësi e nacionalistëve ta menaxhonin Shqipërinë, sepse nuk kishte dalë ende një forcë politike kundërshtare. Nacionalistët e kishin edhe pushtetin politik, edhe pushtetin ekonomik, edhe atë social. Një pjesë e madhe e nacionalistëve ishin pasardhës të themeluesve të mëdhenj të Shtetit Shqiptar e të Rilindjes tonë Kombëtare. Ata e donin Shqipërinë, jo thjeshtë për patetizëm, por sepse me Shqipërinë i lidhte e kaluara e tyre, historia, pronat e mëdha, kontributet, arsimimi, krushqitë, lidhjet reciproke, etj.
Por qëndresa antifashiste e mbrojtjes shqiptare nuk u rrit në nivelin e mundësive të popullit e të nacionalistëve shqiptarë. Për më tej akoma, të zhytur në konfuzionin “Me Italinë Gjeopolitike” apo “Kundër Italisë Fashiste”, pati politikanë nacionalistë të cilët, atributet shtetërore të Shqipërisë, i futën në konfuzion institucional e juridik duke përzier këto atribute me pushtuesin italian. Më keq akoma, futën në konfuzion ushtarak edhe atë takëm ushtrie që kishte Shqipëria e kohës.
Pater Anton Harapi, një prej anëtarëve të Këshillit të Regjencës gjatë pushtimit nazist në bisedë intime me komandantin e përgjithshëm i trupave gjermane në Shqipëri.
Njohja ndërkombëtare
Me pushtimin fashist Italian të Shqipërisë, të gjithë aleatët e mëdhenj antifashistë e antinazistë i prenë marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë. Ndërkohë, asnjë krah politik shqiptar i lindur pas atij pushtimi nuk lidhi marrëveshje me fashistët italianë. Vetëm politikanë të veçuar të cilët, edhe pse me një të kaluar të shquar patriotike e, ndonjëri syresh, nënshkrues i Aktit Themeltar të Pavarësisë së Shqipërisë, lidhën marrëveshje me pushtuesin për bashkëqeverisje. Këta ishin viktima të analizës së gabuar dhe të besimit të verbër se Italia Fashiste do të mundësonte realizimin e aspiratave kombëtare apo, më saktë, të drejtave legjitime të mohuara të shqiptarëve për t’u bashkuar si komb. Sidoqoftë, asnjë nga ato marrëveshje apo qeveri të ndërtuara me bekimin e pushtuesit nuk mund të quhet e pranueshme as politikisht, as juridikisht.
Në luftë e sipër, Aleatët vëzhguan zhvillimet dhe forcat politike që lindën, përcaktuan marrëdhëniet me to, si dhe akredituan praninë e misioneve të tyre ndërlidhëse. Nisur nga deklarimet dhe angazhimet fillestare të këtyre forcave, aleatët, kryesisht ata anglezë, vendosën përfaqësim koordinues pranë Lëvizjes Nacional Çlirimtare, Ballit Kombëtar e Lëvizjes së Legalitetit, duke diferencuar, sidoqoftë, qëndrimet dhe ndihmën ndaj secilës organizatë varësisht nga pritshmëritë dhe kontributet antifashiste e antinaziste.
Angazhimi gjithnjë në rritje i popullit shqiptar në luftë kundër agresorëve fashistë e nazistë e renditi Shqipërinë në radhët e aleatëve të kampit të madh antifashist e antinazist. Kjo renditje ishte rezultante e prirjes së popullit shqiptar për të mos e pranuar dhe për t’u përballur me pushtuesit, e orientimit të duhur fillestar të të gjitha forcave politike, e konsekuencës, vendosmërisë dhe aftësisë që shfaqën Lëvizja Nacional Çlirimtare dhe, në momente të caktuara, edhe forcat e tjera politike, për t’u ndeshur proporcionalisht me pushtuesin dhe për ta çuar deri në fund luftën.
Ajo pjesë e forcave të djathta politike që orientoi mosveprimin ndaj pushtuesit nazist, nuk e pengoi, sidoqoftë, suksesin e luftës. Suksesin e luftës dhe cilësimin që fitoi Shqipëria si vend pjesëtar i Aleancës Antifashiste e Antinaziste nuk e pengoi as shkarja e segmenteve të caktuara të organizatave politike të djathta drejt bashkërendimit e bashkëpunimit me pushtuesin gjerman. Këto devijime nuk arritën ta preknin njohjen e kontributeve të Shqipërisë dhe renditjen e vendit në aleancën e madhe antifashiste e antinaziste.
Fundlufta
Lufta e Dytë Botërore mbetet prova më e madhe ku u vunë në balancë fatet e popujve. Ka tre alternativa ndaj një momenti të tillë: ose të bësh luftën, ose të kërkosh asnjanësinë, ose të bashkëpunosh me pushtuesin. Asnjanësinë nuk e kërkoi asnjë krah politik shqiptar. Detyrimisht të gjitha forcat politike u ndodhën përpara dy alternativave të tjera: të bënin luftën ose të bashkëpunonin me pushtuesin. Prandaj të gjitha krahët krijuan formacionet përkatëse ushtarake me uniformë. E vërteta është se i krijuan për luftë. Dhe fakt është se bënë luftë.
Gjithsesi, suksesi në luftë nuk është vetëm si e deklaron apo vetëm si fillon të angazhohesh në luftë, por sidomos si e sa çon atë deri në fund, sa i zhvillon deklarimet apo angazhimet fillestare. Konsekuenca për të përfunduar luftën mban gjallë vlerat e krijuara në fillim të saj. Në fund të fundit, problemi i çdo lufte është si përfundohen ato.
Nuk mund të vihet në dyshim disponimi i të gjitha krahëve politikë shqiptarë për t’u përballur me pushtuesit, qoftë me ata fashistë, edhe me ata nazistë. Të gjitha organizatat politike shqiptare të asaj kohe krijuan krahët e armatosur të tyre dhe të gjitha u deklaruan për luftë me armë kundër pushtuesit.
Por ndërsa të gjitha krahët politikë e ushtarakë dhanë kontributet e tyre ndaj forcave të pushtimit italian, pavarësisht diferencave dhe proporcionalisht me numrin e luftëtarëve respektivë të tyre, nuk ndodhi kështu me pushtuesin gjerman, ndaj të cilit pati momente pritmërie, pothuajse nga të gjitha forcat politike. Një pjesë mbetën të mjegulluar nga momenti strategjik i Gjermanisë, një pjesë u bënë viktimë e vlerësimit të gabuar dhe e besimit të verbër, se edhe Gjermania Naziste do të mundësonte realizimin e aspiratave dhe të drejtave legjitime të mohuara të shqiptarëve për t’u bashkuar si komb.
Sidoqoftë, diferencimet u bënë shumë shpejt. Lëvizja Nacional Çlirimtare e “mblodhi” veten për të vijuar pothuajse pa ndërprerje angazhimin në luftë edhe kundër pushtuesit gjerman, ashtu si edhe më përpara kundër pushtuesit Italian. Prandaj edhe komandës dhe forcave gjermane në Shqipëri iu desh të planifikojnë dhe të realizojnë dy operacione në shkallë të gjerë për asgjësimin e Ushtrisë Nacional Çlirimtare.
Nuk ndodhi kështu me forcat e Ballit Kombëtare dhe të Legalitetit. Njësitë e tyre u rritën vetëm deri në nivele çetash, e shumta batalionesh, por asnjëherë në nivele brigadash apo njësish të tjera më të mëdha operative. Me këtë nivel organizimi, ato mund të kryenin, e shumta, vetëm luftime, por jo operacione. Për më tepër, me afrimin e fundit të luftës, edhe këto njësi u shkrehën deri në shpërbërje.
Sikurse është e njohur, pushtuesit, qoftë ata italianë, edhe ata gjermanë, ishte ngulur në Shqipëri në nivele të larta organizimi, Divizioni e Korpusi. Në vlerësim të këtij organizimi të pushtuesit, Lëvizja Nacional Çlirimtare evoluoi nga çeta në batalione, nga batalione në brigada e pastaj në divizione e korparmata, edhe pse jo klasike në numër e në strukturë. Vetëm me nivele të tilla organizimi bëhej e mundur përballimi i operacioneve mësymëse dhe pastaj, ndërmarrja e nismës për të kryer operacioneve kundërgoditëse. Pikërisht për këto arsye, Lëvizja Nacional Çlirimtare arriti të ruajë nismën strategjike, të mbajë dhe të zhvillojë përgjigje proporcionale ndaj pushtuesit, qoftë në numër forcash, edhe në strategji e taktika.
Luftërat serioze konfirmojnë se, ndaj një pushtuesi që angazhon formacione të mëdha operative, mund të kundërangazhohesh vetëm me formacione të të njëjtit nivel, jo me njësi të vogla taktike, çeta apo batalione. Një organizatë politike pretenduese duhet ta mbante krahun e vet të armatosur gjithnjë e më të angazhuar në luftë dhe ta përfundonte atë me rritjen e numrit dhe të nivelit të formacioneve, jo me shuarjen e tyre. Ishte pikërisht ky fakt, si edhe prirja e segmenteve të caktuara të Ballit Kombëtar e Legalitetit për ta përfunduar luftën si bashkëpunim me pushtuesin, që shpjegojnë se ndaj këtyre dy organizatave pushtuesi nuk ndërmori asnjëherë operacione neutralizimi apo asgjësimi.
Kësisoj, Balli Kombëtar dhe Legaliteti, në përballjen me pushtuesit nazistë, e humbën dalëngadalë peshën e kontributit të tyre të krijuar në luftën kundër pushtuesit fashist. Ata thuajse u vetmënjanuan nga meritat për t’u shpallur fitimtarë. Kjo ishte një zgjedhje e gabuar. Pa formacione të mëdha dhe pa e finalizuar luftën me kontribute në rritje, ato nuk përfituan dot as autoritetin për të bashkëdiktuar e bashkëpretenduar pushtetin.
Paslufta
Paslufta lidhet me pushtetin. Ideologët përfaqësues të forcave të krahut politik të djathtë shfajësohen se iu ruajtën pikërisht luftës civile dhe për këtë arsye sakrifikuan pushtetin. Por zor se ky shfajësim mund bëhet i pranueshëm. Mënjanimi i kushteve që vendi të mos rrëshqiste në një lufte civile ishte natyrisht një obligim kombëtar. Por obligimi më i madh kombëtar që do të mund të zgjidhte edhe problemin e një lufte civile të mundshme ishte shndërrimi i grupimit nacionalist në një faktor të fuqishëm kontribuues përkrah Aleatëve të Mëdhenj e pse jo, edhe përkrah Lëvizjes Nacional Çlirimtare Shqiptare. Vetëm kështu do të frenohej edhe instalimi i komunizmit në Shqipëri që ishte kryeobligimi kohës. Prandaj udhëheqësia e grupimit nacionalist shqiptar është përgjegjëse sa për fatin e vet, ashtu edhe për fatin e Shqipërisë, po aq sa edhe udhëheqësia komuniste shqiptare është përgjegjëse e cila, pas luftës, e izoloi Shqipërinë nga aleanca natyrale evropiane dhe nga demokracia perëndimore.
Grupimi i Frontit Nacional-Çlirimtar u bashkua për luftë deri në fund kundër pushtuesit. Është meritë e këtij grupimi që Shqipëria u rendit ndër fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore. Deformimet që i bënë kësaj lufte udhëheqës të veçuar të këtij grupimi, duke rrezikuar që ajo të degjeneronte në luftë civile, nuk e cenuan, sidoqoftë, orientimin gjeopolitik të Shqipërisë në anën e duhur të kohës.
Ndërkohë, edhe shumica e nacionalistëve u deklaruan për luftë deri në fund kundër pushtuesit, por pati prej tyre që e braktisën këtë ide për arsye pragmatiste. Udhëheqësia nacionaliste, posaçërisht ajo e Ballit Kombëtar, pezulloi operacionet luftarake sidomos kundër forcave gjermane, ndërkohë që pati prej tyre që bashkëpunuan me pushtuesin me shpresë se do të fitonte Shqipëria bashkë me ta. Në vlerësim të këtyre paqëndrueshmërive, Britaniku Reginald Hibbert – përfaqësues koordinator pranë forcave politike në Shqipëri gjatë Luftës antifashiste e antinaziste (më vonë, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Francë), do të vinte në dukje se grupimi nacionalist e flaku tej shansin e tij për të luajtur një rol në Shqipërinë e pasluftës, sidomos me hezitimin e tyre për të luajtur një rol në luftën kundër pushtuesve gjermanë.
Shqipëria fitoi sidoqoftë renditjen me Aleatët e Mëdhenj Antifashistë e Antinazistë, edhe pse me një kontribut modest të dhënë në kuadër të përgjithshëm të fitores mbi nazifashizmin. Kjo u arrit sepse, në këtë luftë, u renditën dhe u angazhuan shumica dërmuese e shqiptarëve. Hezitimet, tolerancat apo bashkëpunimi që politikanë të veçuar apo segmente të caktuara të organizatave nacionaliste i dhanë pushtuesve, nuk e ndikoi, në fund të fundit, radhitjen e Shqipërisë me Aleatët e Mëdhenj Antifashistë e Antinazistë. Kjo meritë u takon të gjithë atyre forcave dhe individëve që, pavarësisht nga bindjet politike, i mbetën besnikë deri në fund këtij orientimi.
Historia e Luftës së Dytë Botërore do të vijojë të shkruhet e rishkruhet. Por asnjë histori serioze nuk do mund të tjetërsojë vlerat tashmë të pranuara botërisht të saj. Me qetësinë që na jep largësia në kohë nga zhvillimet e Luftës së Dytë Botërore, me rikthimin e Shqipërisë në familjen dhe kulturën perëndimore, sot mund të arrihet në vlerësime e gjykime më realiste të Luftës së Popullit Shqiptar për Çlirimin nga Pushtimi Fashist e Nazist. E kemi edhe ne shqiptarët mundësinë që vlerat e asaj lufte të shndërrohen në vlerë të përhershme kombëtare dhe jo në sherr të përhershëm shqiptar. Ajo Luftë thjeshtë duhet të rishkruhet, jo të luftohet.
Komentet