Një zëdhënës i ushtrisë izraelite deklaroi se Izraeli ka “arritur kontroll të plotë ajror mbi Teheranin” katër ditë pas nisjes së sulmeve ndaj Iranit.
“Gjithashtu kemi shkatërruar një të tretën e lëshuesve të raketave tokë-tokë të regjimit iranian,” tha Gjeneral Brigade Effie Defrin gjatë një deklarate për mediat shkruan BBC.
Ndërkohë Forcat Mbrojtëse të Izraelit publikuan pamjet e operacionit për të goditur selinë e Forcës Quds, një degë e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
“Aeroplanët luftarakë të Forcave Ajrore goditën selinë e Forcës Quds të Gardës Revolucionare dhe ushtrisë iraniane, bazuar në informacion të saktë të siguruar nga Departamenti i Inteligjencës,” shkruhet në njoftimin e IDF në rrjetin X.
“Në këto seli, operativët e Quds-it planifikonin akte terroriste kundër Izraelit përmes degëve të regjimit iranian në Lindjen e Mesme,” thuhet më tej në deklaratë.
Ndërkohë 8 persona janë vrarë gjatë natës së katërt të sulmeve iraniane në zona të banuara në Tel Aviv, Haifa dhe qytete të tjera.
Sipas Zyrës së Kryeministrit izraelit dhe mediave vendase, numri total i viktimave që nga e premtja, 13 qershor, ka shkuar në 24.
Autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se afro 300 persona janë shtruar në spital.
Ndërkohë, Irani thotë se mbi 200 persona janë vrarë në territorin e tij që nga fillimi i konfliktit nga ana e Izraelit të premten. sn