Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy është dënuar me pesë vite burg për përfshirje në një rrjet kriminal që dyshohet se ka marrë miliona euro nga regjimi i diktatorit libian Muammar Gaddafi për financimin e fushatës presidenciale të vitit 2007.
Procesi ndaj Sarkozy ka zanafillën në një intervistë të 16 marsit 2011, kur Saif al-Islam Gaddafi, djali i ish-diktatorit, deklaroi në Euroneës se Sarkozy kishte marrë para nga Libia. Një vit më vonë, më 28 prill 2012, portali investigativ francez Mediapart publikoi një dokument që fliste për një “marrëveshje parimore” mes Libisë dhe fushatës së Sarkozy, ku përmendej shifra 50 milionë euro, raporton La Repubblica.
Edhe pse një gjykatë në shtator të vitit 2023 e konsideroi “të mundshme” që dokumenti ishte i falsifikuar, kjo nuk ndaloi hetimet e mëtejshme. Prokuroria e Parisit hapi zyrtarisht një çështje penale më 19 prill 2013, duke nisur një hetim të thelluar që përfshiu bashkëpunëtorë të afërt të Sarkozy si Claude Guéant, Alexandre Djouhri, Éric Ëoerth dhe Brice Hortefeux.
Në vitin 2018, ish-presidenti u akuzua për korrupsion pasiv, financim të paligjshëm të fushatës dhe marrje fondesh publike të huaja. Në vitin 2020, mbi të u shtua edhe akuza për pjesëmarrje në një organizatë kriminale.
Nga 6 janari deri më 8 prill 2025, Sarkozy u përball në gjykatë me 11 të pandehur të tjerë. Prokuroria kërkoi një dënim prej 7 vitesh burg, një gjobë prej 300,000 eurosh dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite. Sipas akuzës, ai kishte lidhur një “pakt korruptiv” me një nga diktatorët më të diskutueshëm të dekadave të fundit.
Sarkozy i ka mohuar gjithmonë akuzat, duke i quajtur ato një “komplot të klanit Gaddafi” për hakmarrje pas rrëzimit të regjimit libian, në të cilin ai pati një rol kyç në vitin 2011.
Më 25 shtator 2025, gjykata e shpalli të pafajshëm për disa prej akuzave kryesore, përfshirë korrupsionin pasiv dhe marrjen e fondeve nga Libia për mungesë provash direkte. Megjithatë, ai u dënua për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe u ndëshkua me pesë vite burg dhe 100,000 euro gjobë. Gjykata vendosi që vendimi të zbatohet menjëherë, me një mandat arresti “të shtyrë”, që do të thotë se ai nuk u dërgua menjëherë në burg, por do ta vuajë dënimin pavarësisht apelimit.
Sipas nenit 471 të Kodit të Procedurës Penale franceze, gjyqtari ka të drejtë të urdhërojë zbatimin e menjëhershëm të një dënimi të shkallës së parë në raste me “rëndësi të jashtëzakonshme”, siç ndodhi në këtë rast.”
Sarkozy e quajti vendimin “të padrejtë dhe poshtërues” dhe paraqiti menjëherë apel, por kjo nuk e pezulloi dënimin për shkak të ekzekutimit të menjëhershëm të vendimit. gsh