Të premten, më 15 nëntor 2024, u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve të Filialit të Iașit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë për librat e botuar gjatë vitit 2023. Juria, e përbërë nga Constantin Dram (kryetar), Dragoș Cojocaru dhe Liviu Papuc (anëtarë), shpalli fituesit e këtij edicioni, duke nënvizuar arritjet e veçanta letrare.
Fituesi kryesor i këtij viti ishte Marius Chelaru, për librin e tij të titulluar “Mitrush Kuteli në Rumani”, botuar nga Shtepia Botuese Asdreni i Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR).
Marius Chelaru është shkrimtar dhe kritik letrar, si dhe zëvendës kryeredaktor i revistës prestigjioze Convorbiri Literare. Ai ka botuar studime dhe artikuj të shumtë mbi letërsinë shqiptare, si dhe disa vëllime të tjera në bashkëpunim me Editurën Asdreni të ALAR-it (Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë). Përpos të tjerash ai ka botuar, “Shqipëria dhe shqiptarët në librat dhe shtypin e Rumanisë”, një punim që gjeti jehonë të gjerë si në Rumani, ashtu edhe në Shqipëri.
Mitrush Kuteli (1907–1968), pseudonimi letrar i Dhimitër Paskos, është një figurë e shquar e letërsisë dhe ekonomisë shqiptare. Jetën e ndau midis Shqipërisë dhe Rumanisë, ai u bë një zë i fuqishëm i komunitetit shqiptar në këtë vend, duke kontribuar gjithashtu me përkthime nga poezia e Eminescut dhe vepra të tjera letrare. Në të njëjtën kohë, ai zhvilloi një karrierë të spikatur në administratën publike dhe në fushën ekonomike.
Botimi i veprës fituese nga Editura Asdreni nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit kulturor midis Shqipërisë dhe Rumanisë, duke sjellë në vëmendje figura dhe vepra që pasurojnë trashëgiminë e përbashkët letrare dhe kulturore.