Në zgjedhjet lokale të këtij viti, që do të mbahen më 12 tetor në 38 komunat e Republikës së Kosovës, do të garojnë kandidatë të shumtë nga të dyja gjinitë. Ndër emrat që bien në sy është ai i zonjës Laura Kajtazi–Hasani, mësimdhënëse shumëvjeçare e gjuhës angleze në Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë.
Ajo ka dhënë një kontribut të çmuar edhe si përkthyese në vitet më të rënda për Kosovën, duke punuar pranë organizatave ndërkombëtare si Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
E frymëzuar nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, zonja Kajtazi–Hasani ka debutuar në politikë si anëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës – dega në Podujevë.
Për t’u dhënë votuesve një pasqyrë më të qartë mbi figurën e saj, po sjellim disa nga karakteristikat kryesore të jetës dhe veprimtarisë së saj.
Laura Kajtazi–Hasani lindi më 22 korrik 1976 në Podujevë. Familja Kajtazi, me origjinë nga Pakashtica e Epërme e Llapit, njihet si familje arsimdashëse dhe përparimtare.
Kushëri i saj i saj, tashmë i ndjerë Hamit Kajtazi, ishte ndër mësuesit e parë të kësaj ane dhe për dekada kontribuoi në zhvillimin dhe masivizimin e shkollës shqipe. Rrugën e tij e ndoqi edhe babai i Laurës, Ramadan Kajtazi, i cili deri në vdekje punoi si nëpunës i administratës në Komunën e Podujevës.
Nga kjo familje dolën edhe figura të tjera të njohura si Lumnije Kajtazi–Hyseni, profesoreshë e Matematikës në shkollën 9-vjeçare “Shaban Shala” të Podujevës dhe deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në fushën e arteve të bukura, veçohet këngëtarja dhe aktorja e mirënjohur Ryva Kajtazi, e cila edhe pse e martuar, me krenari mban mbiemrin e vajzërisë, duke kujtuar me mall e respekt derën e Kajtazëve – mësues, nëpunës e intelektualë të vërtetë.
Në këtë familje me një të kaluar të ndritur u rrit dhe u formua edhe Laura Kajtazi–Hasani. Ajo qysh si nxënëse e shkollës fillore u shqua për prirjet e saj të veçanta në zotërimin e gjuhëve të huaja.
Laura edhe në Gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” të Podujevës, u rendit në mesin e nxënëseve më të dalluar. Me dashuri e respekt, ajo kujton edhe sot arsimtarin e saj të gjuhës angleze, Ismail Duli, i cili me profesionalizëm e përkushtim ia mbolli dashurinë për këtë gjuhë me përmasa botërore, duke i hapur shtigje të reja në formimin e saj.
Zonja Kajtazi-Hasani studimet universitare në Anglisht i kreu në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, si dhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Maqedoninë e Veriut. Më pas, ajo përfundoi studimet pasuniversitare dhe fitoi titullin Magjistër i Gjuhës Angleze.
Njohuritë e fituara në këtë fushë, veçanërisht në përkthim, Laura i praktikoi gjatë viteve 1999–2002 si përkthyese në organizatat ndërkombëtare UNMIK dhe OSBE.
Nga viti 2002 deri në vitin 2013, ajo punoi në projekte të USAID-it për zhvillim ekonomik në nivel qeveritar, fillimisht si asistente administrative, e më pas si zëvendësmenaxhere e zyrës së projektit.
Aktualisht, Laura Kajtazi–Hasani punon si mësimdhënëse e gjuhës angleze në Shkollën e Mesme “Isa Boletini” në Podujevë, si dhe në shkollën e kurseve intensive “Union School” në të njëjtin qytet.

Përveç punës së suksesshme në arsim dhe administratë, zonja Kajtazi–Hasani dallohet edhe për kultivimin e raporteve të ngrohta familjare. Ajo ruan marrëdhënie të shkëlqyera me nënën e saj, Fexhrije Lushaku–Kajtazi, motrat Fitoren, Leonorën, Ryvën dhe vëllain e vetëm Liridonin.

Luaura derisa shpalos kujtime me familjen e saj të ngushtë, sytë i mbushen me lot për të atin, Ramadan Kajtazi, i cili ndërroi jetë papritmas vitin e kaluar. Kujtimet për të mbeten plagë e pashlyeshme në shpirt, që as koha nuk arrin t’i shërojë. Por, brenda dhimbjes, ajo gjen forcë tek këshillat e tij për të jetuar e punuar me ndershmëri.
Laura, që misionin të vetëm ka edukimin e brezave të tashëm dhe të ardhshëm, ka ditur ta përkrah dhe ta motivojë edhe të birin, Ylli Hasani, i cili me sukses i ka përfunduar studimet Bachelor në Ekonomi të Aplikuar, ndërsa ato Master është duke i ndjekur në Eötvös Loránd University në Budapest të Hungarisë.
Votues të nderuar, mos u bazoni vetëm te renditja numerike në fletëvotim, por vlerësoni ata që janë të përgatitur dhe të pakorruptuar. Me gra të arsimuara dhe të guximshme si zonja Laura Hasani , përfiton Podujeva dhe qytetarët e saj.
Andaj, votoni numrin 36 sepse është numër që sjell ndryshim pozitiv për të gjithë llapjanët !