Sapo lexova një lajm idiot nga Lapsi.al në lidhje me Elhaida Danin. Nuk kam cilësor më të përshtatshëm. Që në titull lapsi.al bën pyetjen dashakeqe dhe spekulative: “Elhaida Dani ka probleme me zërin?”
E përse duhet të ketë Elhaida Dani probleme me zërin! Një vajzë e re 20 vjeçare! E shëndoshë si kokra e mollës, me një zë që tund malet ! E kur ka pa patur Elhaida probleme me zërin ?! Ajo ka përballuar një garë të jashtëzakonshme tek The Voice of Italy duke marrë notën maksimale nga ikona të kulturës italiane si Rafaela Cara e Cocciante ndërsa Eurovision për Elhaidën është vetëm vendi i duhur për një artiste me format të tillë.
Showbizi shqiptar është një industri aspak dinjitoze, ashtu si edhe portalet shqiptarë, ndërsa emra si Elhaida Dani e shpëtojnë faqen e nderin e kulturës kombëtare, sepse demonstrojnë se veç kallashëve dhe kategorive të ulta, shqiptarët kanë edhe emra se me çfarë të përfaqësohen.
Shqetësimi i lapsi-it, niset gjoja nga fakti se Elhaida Dani paska shpërndarë një foto me një fans të vet, ku fansi është me një t-shirt me krahë të shkurtëra dhe Elhaida me një xhaketë lëkure. Dhe lapsi.al del me konkluzionin e marrë: “se ajo që të bie në sy nga fotoja është veshja e trashë me xhupin e lëkurës dhe shalli që Elhaida ka mbështjellë qafën. Përkundër fansit që është me të shkurtra, përfaqësuesja e Shqipërisë duket se ka marrë masa për të ruajtur zërin që i duhet më shumë se kurrë në finalen e 23 majit.”!”
Paranoja për të marrë klikime e lapsi.al shkon bashkë me paranojën për të vazhduar trushplarjen e shqiptarëve. Sepse lapsi.al harron se Eurovizion është duke u zhvilluar në Vjenë dhe jo në Tiranë, ku temperaturat këtyre ditëve shkojnë rreth 30 gradë, ndërsa në kryeqytetin austriak ato shkojnë nga 5-6 gradë minimalja deri 18 gradë maksimalja dhe të veshësh një xhaketë lëkure të hollë me një shall mëndafshi rreth qafës, është veshja më normale e botës. Që do të thotë se veshja e Elhaidës nuk lidhet aspak me problemet me zërin, por thjeshtë me motin, kurse lapsi.al, ai ka probleme por me kokën. I rekomandojmë të shkojë tek një psikolog a psikiatër! Ndërsa ne shqiptarët le t’i urojmë Elhaida Danit suksese, e të votojmë për zërin e saj të bukur, që është zëri i Shqipërisë tonë!
Komentet