Qerrja e shiut mbjell pellgje nëpër natë
Dhe ikën pyjeve me vërtik.
Qerrtari i zi nëpër kodra
I bie vjeshtës me kamzhik.
Tërë verës portretet tona vareshin nëpër gjeth.
Edhe zëri im varej.
Tani bromuri i argjendit të diellit
Tretet i zbardhur në shi.
Lëkundet qerrja e pikëlluar e shiut
Te lumi me brigjet e zhveshura
Dhe rrodhën te varreza e detit
Gjethet që harroi vjeshta.
Qerrtari i zi nëpër kodra
Përzë vjeshtën pa mëshirë.
Po vjen Perandoria e Ftohtë e dimrit:
Oh! Sa do të ngrijmë, zemra ime!
Komentet