Kuvendin e PD-së mblidhet në orën 10:00 për të bërë ndryshime të tjera në statut, por më e rëndësishmja, për të shpallur 22 majin si datën për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së, që Berisha nuk e ka fshehur se synon t’i rikthehet drejtimit të selisë blu.
Në Kuvendin e sotëm, Berisha ka ftuar ish bashkëpunëtorët Arben Imami e Jozefina Topalli dhe të larguarit e fundit nga PD, si Rudina Hajdari e Myslym Murrizi, si dhe të gjithë deputetët e tjerë të demokratë. Ftesa shkoi edhe për Astrit Patozin, por ky i fundit nuk pranoi të rikthehej në politikë.
Kuvendi do të ketë 1100 delegatë të sapo zgjedhur nga proceset që ish kryeministri organizoi në bazë edhe për kryetarët e degëve.
Do të ketë rreth 20 folës që do të përcjellin mesazhet e tyre, mes të cilëve figura si Hajdari e Topalli, Fatbardh Kadilli, ish themelues të PD dhe siç bëri të ditur ditën e djeshme Floriana Garo, edhe prurje të reja. Kuvendi do të jetë zgjedhor e statutor.
Një interes të madh ka për deputetët që kundërshtuan platformën për bashkim të propozuar nga Enkelejd Alibeaj të tillë si, Tomorr Alizoti, Kasëm Mahmutaj, Greta Bardeli, Ina Zhupa, Zef Hila, Ervin Salianji apo Xhelal Mziu.
Mes emrave për kandidatë për anëtarë të Këshillit Kombëtar, vihen re besnikë të ish-kryeministrit Sali Berisha, ku nuk kanë munguar edhe ish-funksionare të lartë në kohën e qeverisjes së PD-së. Mes tyre edhe ish-ministri Spiro Ksera i dënuar nga gjykata e Tiranës me 8 muaj burg, për vjedhje dhe shpërdorim të detyrës.
Mes tyre vihet se janë edhe emra të njohur si, aktori i njohur, Bujar Kapexhiu dhe epidemiologu Ilir Alimehmeti, të cilët ishin së fundmi në tryezën e përbashkët që Berisha bëri për arsimin, moderatorja Fjoralba Dizdari, aktori Julian Deda, këngëtari Renis Gjoka si edhe aktorja Rajmonda Bulku.
Gazeta Shqiptare do të sjellë zhvillimet më të fundit të Kuvendit të Rithemelimit.
AXHENDA:
Kuvendi do të nisë në orën 10:00 ku delegatët do të pajisen me mandat dhe do të skanohen elektronikisht njësoj si në kuvendin e 11 dhjetorit. Por këtë herë, nuk do të jetë numër aq i lartë delegatësh, pasi statuti i 11 dhjetorit parashikon që kuvendi i PD-së përbëhet nga 1100 delegatë që janë zgjedhur gjatë kësaj kohe me formulën një anëtar një votë nga kryesitë e degëve. Ndërkohë, në Sallën e Kongreseve kuvendi do të nis me fjalën e dy të rinjve që janë lënë surprizë, ndërkohë më pas pritet që të mbajnë fjalën e tyre edhe Jozefina Topalli, e cila shënon rikthimin në PD, pasi u largua që kur në krye të selisë blu erdhi Lulzim Basha. Edhe Rudina Hajdari po ashtu do të jetë në kuvendin e PD-së.
Ajo është një tjetër rikthim pasi u përjashtua në 2019 pasi nuk iu bin vendimit të grupit për të djegur mandatet e deputetëve. Hajdari po ashtu është planifikuar që të flasë. Në kuvend do të ketë edhe të tjera “xhaketa të vjetra” që do të rikthehen. Arben Imami është një prej tyre, Myslym Murrizi po ashtu, ndërsa Genc Ruli mësohet se nuk ka pasur një ftesë. Sakaq, ish-Kryeministri Sali Berisha mësohet se do të flasë në orën 13:00.
Fjala e tij pritet të jetë e gjatë dhe fill pasi të mbarojë do të procedohet me votimin e ndryshimeve statutore. Këtë herë ndryshimet në statut do të jenë minore ku një prej tyre do të jetë që deputetët dhe kryetarët e degëve të jenë automatikisht anëtarë të këshillit. Po ashtu, nesër Komisioni i Rithemelimit do i propozojë kuvendit që më datë 22 maj të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike. gsh
Komentet