– Kuvendi i Kosovës konstituohet me zgjedhjen e Kryetarit. Është e rëndësishme se funksionet kushtetuese, si përfaqësimi i Kuvendit; përcaktimi i rendit të ditës, thirrjet dhe kryesimi i seancave; nënshkrimi i akteve të miratuara nga Kuvendi, etj, i kryen, bazuar në Kushtetutë, Kryetari i Kuvendit dhe ai është zgjedhur më në fund.
Kryesia e Kuvendit, ushtron vetëm funksione administrative. Kjo do të thotë se Kuvendi mund të vazhdojë ushtrimin e funksionit edhe pa zgjedhjen e një nënkryetari, apo me bojkotimin e disa nënkryetarëve. As Plani i Ahtisaarit nuk e ka paraparë që për këto çështje, të bllokohet shteti.
Fatkeqësisht, grupet parlamentare, PDK-së, LDK, tashmë edhe publikisht iu nënshtruan organizatës së formuar dhe kontrolluar nga Vucici “Lista Srpska,” për të bllokuar funksionimin e shtetit të Kosovës. Nënkryetari i Kuvendit që duhet të zgjidhet nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të garantuara të komunitetit Serb nuk u zgjodh, sepse ‘Lista srpska,” për habinë e të gjithëve, ia arriti që ta bllokoj zgjedhjen e Rashiqit, të vetmit deputet nga komuniteti Serb, i cili ia doli ti fitoj votat e komunitetit të vet në zgjedhjet e përgjithshme, përkundër përpjekjeve të tmerrshme të regjimit të Vucicit që të mbajë frerët e institucioneve të Kosovës dhe ti fitoj të gjitha ulëset nga 10 që i garantohen komunitetit serb në Kuvend.
Kjo është vërtetë një bllokim i çmendur i shtetit, në këtë kohë kaq të brishtë gjeopolitike.
Askund në Kushtetutë nuk kërkohet që kandidati për nënkryetar nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet e garantuara të komunitetit Serb, të pëlqehet nga Vuciqi, ose nga shumica e deputetëve që i mbajnë 10 ulëset që i takojnë komunitetit serb. Kërkohen votat e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Pra, sot në Republikën e Kosovës, nga 100 deputet shqiptarë, nuk u bënë bashkë 61 deputet, për të shporrë regjimin e Vucicit nga institucionet tona.
Kështu, “delegatët e Vuciqit” e sabotuan konstituimin e Kuvendit, sipas Rregullores së punës, kushtetutëshmëria e të cilës është pikëpyetje. Kushtetuta, në anën tjetër, askund nuk thotë se nevoitet edhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit, për tu konsideruar Kuvendi i konstituuar. Edhe një herë, Kryesia e Kuvendit ka vetëm kompetenca administrative.
– Vetëm nëse Gjykata Kushtetuese e bllokon punën e Kuvendit, ai duhet të pezullojë punën. Përndryshe, Kuvendi konsiderohet i konstituuar, edhe nëse nënkryetarët nga radhët e grupeve parlamentare bojkotuese të institucioneve, vazhdojnë të presin urdhrat e mëtejmë nga “Lista Srpska.”
– Presidentja, vërtetë është në pozitë të palakmueshme, por ajo e ka për obligim që të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve. Fundja, sido që të vlerësojë e të veprojë, Presidentja NUK bën shkelje kushtetuese. Nëse Gjykata kushtetuese jep urdhër për të bllokuar punën e Kuvendit dhe pa u bazuar ekskluzivisht në Kushtetutë dhe pa e shqyrtuar kushtetutëshmërinë e Rregullores së punës së Kuvendit e cila ende ka relikte të periudhës së UNMIK-ut, atëherë, Presidentja duhet të presë. Përndryshe, nuk është zgjedhë presidentja për t’iu nënshtruar Vucicit. Përkundrazi.
– Është vlerësim i Presidentes se si të veprojë. Ajo e ka për obligim që gjatë ushtrimit të funksionit të saj të jetë e vetëdijshme se e ka për obligim të ruajë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm. Ajo, që qytetarët e Kosovës presin nga Presidentja, është që të mos i dorëzohet presionit të regjimit të Vuciqit përmes pijunëve të tij që tash i hoqën maskat dhe e bojkotojnë funksionimit të shtetit të Kosovës.