Kordoni i parë i policëve, të cilët kontrollonin biletat e ndeshjes së basketbollit, ishte mu tek kryqëzimi i Zogut të Zi. Kush nuk kishte biletë nuk mund të kalonte rrugës për në Laprakë. Kontrolli nuk ishte shumë rigoroz dhe mund të kalohej me ndihmën e ndonjë truku. Mjaft që të mbaje një copë letër në dorë dhe të ecje me hap të vendosur e pa i vështruar në sy ruajtësit e rendit. Më poshtë, përpara se tifozët të futeshin në sheshin e pallatit të sportit Partizani ( sot Asllan Rusi ), kishte edhe tre kordonë të tjerë me policë, ku kontrollet ishin më të imta. Kontrolli i fundit kryhej para shkallëve të Pallatit. Aty iu kërkohej biletë edhe mizave apo insekteve të tjera. ” Ecni shokë qytetarë, ecni ! Biletat, mbani biletat në dorë… Shpërndahuni, shpërndahuni ! “. Ata që kishin bileta apo që ia kishin dalë mbanë që të kalonin me sukses edhe kontrollin e fundit ngjiteshin të lumtur në shkallët e pallatit. Mbërrinin deri sheshpushimin e sipërm dhe, para se të hynin brënda, kthenin kokën prapa për të parë nëse, përtej në shesh, ndodhej ndonjë i njohur i tyre që akoma nuk e kishte realizuar dëshirën e tij. Kishte ndonjë tifoz që për shansin e tij apo për zemërgjerësinë e ndonjë kontrollori apo polici, nuk e kishte prerë biletën e tij. Menjëherë fillonin fërshëllimat kuptimplotë, të thirruarat në emër dhe lutjet për të marrë biletën e pa grisur. Pa humbur as edhe një sekondë, tifozi merrte një kuti shkrepse, fuste aty brënda biletën e tij dhe ia hidhte atyre që prisnin me padurim. Në pallatin e sportit futej edhe një tifoz më shumë. Një zemër më shumë do brohoriste për djemtë e Partizanit.
Tifozat e shumtë të Partizanit qëndronin grupe-grupe larg policave, në trotuaret përballë gjimnazit Qemal Stafa. Disa, me fara luledielli në duar, prisnin ndonjë shok apo të njohur që në momentet e fundit do të mund t’ju jepte ndonjë biletë të dëshiruar. Disa të tjerë, që nuk kishin fare shpresa për të parë ndeshjen, mundoheshin të kalonin me sukses kontrollet e policëve për t’ja besuar rastësisë fatin e tyre. Për tifozët e zjarrtë nuk kishte bileta. Ato nuk shiteshin nëpër biletaritë e kryeqytetit. Ato i përkisnin nomenklaturës burokrate dhe shpërndaheshin nëpër qëndrat e punës dhe dikasteret e Tiranës. Drejtori, sekretari i partisë dhe po të tepronte gjë, edhe kryeinxhinjeri, këta ishin ata që pajiseshin me bileta.
Unë e kisha biletën time. Basketbollistët e Partizanit merrnin një numër të caktuar biletash dhe si gjithmonë, Kushtrimi ( për të gjithë ne ai ishte Zaçja ) i kishte dhënë një biletë mikut të ngushtë të familjes së tij dhe njëhkohësisht djalit të tezes sime. Ky i fundit, edhe pse ishte tifoz i çmëndur, biletën e tij na e jepte neve. Bileta ishte një e vetme, ndërsa ne ishim dy vëllezër. Shokët e tim vëllai të cilët kërkonin bileta ishin të shumtë. Me pak durim, të pajisur me lapsa dhe bojra të shumta uji apo vaji, arrinim që të riprodhonin një dyzinë me bileta duke i kënaqur të gjithë. Për Partizanin dhe sidomos për djemtë kampionë të basketbollit, mund të bënim gjithçka. Pse jo, edhe të fallsifikonin biletat. Sporti ishte gëzimi ynë. Partizani ishte jeta jonë. Dita e ndeshjeve ndërkombëtare pritej me padurim.
Edhe atë ditë nëntori të vitit 1980 e kishim pritur me padurim. Partizani, i cili bënte pjesë në grupin D të Kupës së kampionëve, kishte humbur ndeshjen e parë ndaj italianëve të fortë të Sinudines, të cilët atë vit arritën deri në finale. Ndeshja e dytë luhej kundra bullgarëve të CSKA-së së Sofjes. Bullgarët në ato vite, nga vëndet e Lindjes, rreshtoheshin menjëherë pas jugosllavëve dhe rusëve në basketboll për meshkuj. Kishin nivel të lartë dhe përvojë të madhe. Lojtarët e tyre ishin shumë më shtatëlartë se sa tanët. Dy qëndrat e tyre ishin pa frikë mbi 2,05 metra dhe të kallnin frikën me lehtësinë se si zhysnin topin brënda në kosh, gjatë nxemjes. Të gjithë përtypnin çumçakizë, flokët i mbanin disi të gjata dhe tutat i kishin të bukura. Ato të poshtmet i kishin kauboj dhe jo të ngushta si ato të djemve tanë. Funksionarët e ambasadës bullgare kishin zënë vënd në tribunën e autoriteteve.
Atmosfera në pallatin e sportit, si përherë ishte elektrizuese. Emocioni ndihej gjithandej. Ndeshja ishte shumë e vështirë për tu fituar, të gjithë e kishim të qartë këtë fakt. Reja e tymit të cigareve që ngrihej si një strehëz mbi kokat e spektatorëve, dridhej nën britmat dhe këngët e tifozëve të kuq. Pallati i sportit gjëmonte nga tifozlliku. Policët, për fat të mirë, nuk thonin gjë. Ata shikonin me vigjilencë në drejtim të tifozëve, por fjalën Partizan e njihnin të gjithë dhe ajo nuk përbënte rrezik për shoqërinë e re që po ndërtohej. Ajo nuk ishte shfaqje e huaj. ” Partizani, Partizani bërtisni sa të doni, por eeo mos ja bëni”, nuk harronte të na porosiste shefi i tyre i shkurtër dhe barkmadh, i cili vëzhgonte gjithmonë drejt tifozëve dhe nuk i hidhte kurrë sytë në parketin e fushës.
Cunat e Partizanit kishin atlete kineze të grisura të cilave iu ngjisnin me mastiç disa pulla të zeza komardareje. Vullneti, shpirti i sakrificës dhe përgjegjësi për detyrën e tyre ishin nga cilësitë më të mira të tyre. Cdo gjë e kishin arritur me punë të palodhur, me djersë të derdhur, me kohë të kaluar larg familjeve dhe me vetëmohim të madh. Ishin të tërë djem shëmbullorë, pjesë e një gjenerate të lavdishme, e cila e ngriti basketbollin shqiptar në piedestalin më të lartë të sportit tonë. Por mbi të gjitha kishin një zemër të pamposhtur. Zemër të zjarrtë ! Me ta ishim edhe ne tifozat, që nuk reshtnim kurrë së bëri tifo. Por virtytet e tyre dhe ëndërrat tona, ndoshta nuk do të mjaftonin për të mposhtur armatën e fortë bullgare. Duhej diçka më tepër për të kaluar me sukses provën. Ne tifozët shpresonin në energjinë e jashtëzakonshme të idhujve tanë.
Fërshëllima e gjyqtarëve shënoi fillimin e ndeshjes.
Edhe pse pesëshja e Partizanit luajti denjësisht ndaj kundërshtarit më të fortë, pjesa e parë u mbyll me rezultatin 51- 46 për bullgarët. Shpirti i sakrificës dhe tifozlliku i zjarrtë nuk po mjaftonin.
Pjesa e dytë filloi ashtu siç kishte mbaruar e para. Partizani e shkurtonte vazhdimisht diferencën, por kundërshtarët e fortë dhe më shtatëlartë e gjenin më me lehtësi rrugën e koshit. Ishin më të fortë se ne. Gaz Caçi ishte përherë i vetëm ndaj gjigantëve bullgarë. Disiplina taktike dhe përpikmëria e Kushtrim Zaçes, Kastriot Mushit dhe e Bert Kuqos në realizim, nuk ishin të mjaftueshme. Pjerin Bushati me entuziazmin e tij vraponte sa për dy vetë. Zhdërvjelltësia dhe teknika në organizimin e lojës nga Edgar Prifti dhe Tan Terihati nuk po jepnin frytet e dëshiruara. Edhe futja në lojë e disa lojtarëve nga stoli i rezervave nuk e ndryshoi rrjedhën e lojës. Ne, pa ia varur aspak policëve vigjilentë, ulurisnim me sa fuqi që kishim. Rezultati nuk ndryshonte. CSKA-ja udhëhiqte gjithmonë me 7-8 pikë diferencë.
Në dhjetë minutat e fundit, Partizani e rriti së tepërmi ritmin e lojës së shpejtë, e cila ishte arma e tij më e fortë. Mbrojtja agresive me top dhe pa top, presingu në çdo cep të fushës, besimi në vetvete dhe zelli për fitore filluan të japi frytet e tyre. Diferenca e pikëve sa vinte dhe shkurtohej. Njerëzit tashmë, e shihnin ndeshjen në këmbë. Tensioni ishte tepër i madh. Ndoshta mrekullia mund të ndodhte.
” Zaçe dhe kosh “, uluriti spikeri i televizionit kur Kushtrim Zaçja realizoi me shumë vështirësi nga distanca. Momentet ishin dramatike dhe spektakolare.
Ecuria e ndeshjes, për fatin tonë të mirë mori rrjedhë tjetër. Frenat e saj kaluan në dorën e ekipit tonë legjendar.
Më së fundi !
Kushtrim Zaçja, si për ti qëndruar besnik emrit të tij dha kushtrimin dhe shënoi edhe tre herë të tjera nga distanca duke e kaluar ekipin tonë në avantazh.
Lojtarët tanë, pas çdo koshi të tij përqafoheshim me shpejtësi dhe nxitonin të organizonin mbrojtjen në gjysmëfushën bullgare. Tensioni kishte kaluar në anën e kundërshtarit. Pallati i sportit mori flakë nga entuziazmi i paparë. Xhupat dhe xhaketat e tifozëve vërtiteshin në ajër si të ishin copa letre. Njerëzit ishin çuar të tërë në këmbë dhe nuk përmbaheshin. Përqafoheshin me njëri tjetrin si të njiheshin prej kohësh. Policët harruan detyrën dhe buzëqeshnin, tashmë edhe ata ndiqnin ndeshjen. Ekipi ynë nuk e ndali hovin e tij fitimtar. Diplomatët bullgarë ishin hutuar fare nga ai ndryshim i rezultatit. Lojtarët në fushë nuk po dinin si të shmangnin humbjen e papritur. Traineri bullgar mbyllte veshët nga thirrjet e publikut. Lojtarët e tij ishin hutuar tërësisht nga furia e djemve të kuq. Dukej sikur nga çasti në çast, pallati i sportit do të shembej nga entuziazmi dhe euforia e paparë. Momente magjike !
… Partizani e fitoi ndeshjen me rezultatin 89 – 83. Djemtë e tij kishin kapërcyer me sukses edhe një tjetër sfidë të vështirë. Zaçja, i cili gjithmonë na furnizonte me bileta, kishte qenë protagonisti absolut i saj. Unë, bashkë me tim vëlla dhe shokët e tij, ishim në qiell të shtatë. Tifozët e Partizanit ishin në festë e cila vazhdoi deri natën vonë, rrugës së kthimit për në shtëpijat tona.
Të nesërmen, kur u nisa për në shkollë, nuk harrova të fus në çantën time edhe foton sportive, që Marieta, gruaja e Kushtrimit, më kishte dhuruar disa vjet më parë. Kisha shkuar me kushurin tim në shtëpinë e tyre për ti njohur nga afër dhe që prej asaj dite mburresha nëpër shokë me faktin se Zaçen e kisha kushuri. Për të vërtetuar tezën time përdorja edhe foton në fjalë. Isha i lumtur. Kisha kushuri një sportist të madh. Jo të gjithë kishin fatin tim.
………………………………………………………………………………………………………..
… Kanë kaluar rreth tridhjetë vjet nga ajo ndeshje. Rrymat dhe dallgët e jetës na larguan nga vendlindja. Shumë ngjarje kanë ndodhur në këto vite. Kohërat hipokrite nuk e zbehën kujtesën tonë, përkundrazi. Mbresat vazhdojnë të jenë të pranishme në zemrat e gjithë atyre që dashuruan sportin dhe protagonistët e tij. Kushtrim dhe Marjeta Zaçe, këta dy mjeshtër të merituar të sportit, ishin dy prej tyre. Gjithmonë ballëlartë, fjalëpakë, njerëz të ngrohtë dhe me veti morale të përkryera, edukatorë dhe modele shëmbullorë për fëmijët dhe nxënësit e tyre, ata janë nga figurat më të mëdha të sportit shqiptar. Ata janë akoma një trup dhe një mëndje e vetme, edhe pse vdekja e pamëshirshme e rrëmbeu papritur kollosin nga Tepelena. Njerëz me një bardhësi të rrallë shpirtërore. Njerëz me dinjitet.
– Marieta, a e di ti se unë gjithmonë u thoja shokëve se Kushtrimin e kisha kushuri, – i thash një ditë asaj.
– Beni, ti ke thënë të vërtetën,- mu përgjigj gruaja fisnike.- Kushtrimi, edhe pse jo me lidhje gjaku, kishte shumë kushurinj që ju donte të mirën. Ti ishe një nga ata.
Më prekën fjalët e sinqerta të saj. Më prekën shumë dhe u ndjeva në faj. Asnjëherë nuk e kisha falenderuar Kushtrimin për aq sa na kishte dhënë me veprën e tij.
Po e bëj sot, në pragun e përvjetorit të parë të vdekjes së njeriut të mirë.
” Faleminderit Kushtrim ! Faleminderit ! Jo për biletat që më jepje dikur ! Jo ! Faleminderit për atë çfarë i dhe sportit shqiptar. Ti, bashkë me familjen tënde! Të ndrittë shpirti ” !
… E kisha kushuri Kushtrimin. Më falni ! E kishim kushuri …
24 gusht 2012
Partizani- Aspo Tours ( Francë ). Një kopje të fotos poshtë, çifti Zaçe, ma dhuroi edhe mua.
Komentet