Kodi i ri Penal ka ndezur sërish debatet mbi kufizimin e lirisë së shprehjes në vend, veçanërisht për ndikimin që mund të ketë tek gazetarët dhe komentuesit publikë. Një ndër zërat kritikë ndaj draftit të ri është gazetari shqiptar që jeton në Francë, Genc Burimi, i cili në një intervistë për edicionin e pasdites në SYRI TV, e cilësoi nismën si të rrezikshme dhe të papranueshme.
“Gjykoj se ky është një draft skandaloz, një provokim i rëndë, si nga pikëpamja e formës ashtu edhe e përmbajtjes”, u shpreh Burimi.
Sipas tij, ndryshe nga shumë kolegë të tjerë, problematikat më të mëdha nuk qëndrojnë vetëm në përmbajtjen e nismës, por pikërisht në mënyrën se si është ndërtuar ajo. “Më duket forma më e rëndë se përmbajtja, sepse një draft i tillë nuk është mbështetur në standardet perëndimore”, deklaroi ai.
Gazetari ngriti shqetësime të forta edhe për mënyrën se si është hartuar dokumenti, duke e cilësuar procesin si jotransparent dhe me një përfshirje të dyshimtë.
“Në rastin aktual bëhet një reformë e jashtëzakonshme e një dokumenti të jashtëzakonshëm, që për mua vjen i dyti pas Kushtetutës. Dhe mësojmë nga ekzekutivi, pra nga Ulsi Manja, në një ditë behari, se një person është caktuar, nuk e dimë nga kush, që quhet Arben Rakipi, i cili paska filluar që prej pesë vitesh, që prej COVID-it, punën për një draft të ri”, tha Burimi.
Ai e quajti skandaloze këtë procedurë dhe hodhi dyshime mbi emërimet: “Kush e ka caktuar Arben Rakipin? Ulsi Manja? Kush, Edi Rama? Sepse Ulsi Manja në atë kohë s’ka qenë vetë ministër!?”
Burimi e cilësoi gjithë procesin si një mëkat absolut që cenon themelet e lirisë në vend. Ai tha se përmbajtja e këtij drafti ka krijuar një valë unanimiteti kundërshtues edhe mes gazetarëve dhe analistëve që më herët kanë mbështetur qeverinë.
“Kam në mend gazetarë që deri dje ishin ithtarë të mëdhenj të reformës në drejtësi, janë ithtarë të mëdhenj të asaj mazhorance – është e drejta e tyre – por edhe ata këtë draft e quajnë skandaloz”, përfundoi gazetari Genc Burimi.
Burimi:
Gjykoj se ky është një draft skandaloz, një provokim i rëndë, si nga pikëpamja e formës ashtu edhe e përmbajtjes.
Ndryshe nga shumë kolegë, më duket forma më e rëndë se përmbajtja, sepse një draft i tillë duke u nisur edhe nga eksperiencat perëndimore.
Në rastin aktual bëhet një reformë e jashtëzakonshme e një dokumenti të jashtëzakonshëm, që vjen për mua i dyti në radhë pas Kushtetutës dhe mësojmë nga ekzekutivi, pra nga Ulsi Manja, në një ditë behari që një person është caktuar, nuk e dimë nga kush, që quhet Arben Rakipi, që paska filluar që prej 5 vitesh, që prej COVID pra, punën për një draft të ri.
Po kjo është skandaloze, kush e ka caktuar Arben Rakipin? Ulsi Manja? Kush, Edi Rama? Se Ulsi Manja në atë kohë s’ka qenë vetë ministër!?
Pra gjeneza është një mëkat absolut.
Sa i përket përmbajtjes, rrallë herë si gazetar më është dhënë të shoh në këtë moment, sesa një unanimitet po krijon kundër kësaj, kjo përmbajtje e këtij drafti edhe tek gazetarë, tek analistë të kampit që shpesh mbrojnë qeverinë.
Kam në mend gazetarë që deri dje ishin ithtarë të mëdhenj të reformës në drejtësi, janë ithtarë të mëdhenj të asaj mazhorance, është e drejta e tyre, dhe këtë draft e quajnë skandaloz.