Këtë kujtim ma solli sot Facebook-u,
i takon vitit të shkuar,
ne jemi të njëjtët,
marrëzisht të dashuruar…. E.B.
Kur ti mungon
Ja kushtoj S.B.
Mbas disa ditësh ti do të vish
kjo ditë është e paralajmëruar
sipas profecisë së fatit
është e saktë
e prerë
është e parathënë
e parabërë
deri në rrahjen e sekondës
deri në rrahjen e pulsit
që gati sa nuk e shpërthen
venën e gjakut…
mbas disa ditësh ti do të vish!
duhet të isha pak Penelopë
që ta përballoja këtë ndarje
kaq reale
që matet me kilometra
që unë e mata,
dhe e peshova
duke përmbysur e ripërmbysur
mijëra herë klepsidrën
sepse të gjitha sekondat
orët
ditët
të gjithë këtë relief gjeografik
i cili nuk na lejon assesi të shihemi
prekemi
e shndërrova në kokrriza rëre
dhe pastaj e përmbysa
dhe ripërmbysa
si barka në det
mijëra herë
klepsidrën…
sepse unë të dua më shumë
se Penelopa Ulisin –
dhe ti më beson kur unë
ta pëshpëris shpesh këtë
se unë të dua më shumë
se Penelopa Ulisin
ti më beson…
Sepse unë të dua më shumë
se Penelopa Ulisin –
E ti më do më tepër
se Ulisi Penelopën…
(Marrë nga libri i Elida Buçpapajt “Unë jam e përjetshme”, OMSCA 2013″)

Komentet