Nuk është ndonjë dramë personale që meriton faqe gazetash, por është një simptomë e vogël që tregon një problem të madh. Sot zbulova se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më ka bllokuar në Facebook. E kuptova rastësisht, kur doja të shihja nëse ishte ende online postimi i tij për vdekjen e supozuar të Artan Lames, ish-drejtor i ALUIZN-it dhe bashkëpunëtor i afërt i tij.
Megjithëse familja e zotit Lame doli publikisht dhe e përgënjeshtroi lajmin, statusi i Kryeministrit vazhdon të jetë online. Nuk është fshirë, nuk është përmirësuar, nuk ka asnjë sqarim. Gënjeshtra vazhdon të qëndrojë, me pahir, me kokëfortësi, me arrogancë.
Ky fakt ishte arsyeja pse doja të kontrolloja postimin. Por ç’të shoh? Faqja e Kryeministrit “nuk ekziston” më për mua. Ndryshova parametrat e kërkimit, provova herë pas here, por pa sukses. Derisa hyra nga profili profesional i biznesit tim dhe faqja u shfaq menjëherë. Në mënyrë të qartë dhe të heshtur, Kryeministri më kishte bllokuar personalisht.
Pse? Ndoshta sepse kam qenë kritik ndaj tij në disa raste. Nuk kam ofenduar, nuk kam shpifur. Kam ngritur pikëpyetje publike, me dinjitet dhe me fakte. Por mesa duket, për disa figura politike shqiptare, edhe kjo është e padurueshme.
Kjo përvojë personale ngre disa pyetje publike:
Si ka mundësi që një Kryeministër, i cili shpesh paraqitet si kampion i transparencës dhe lirisë së shprehjes, skuthëzohet përballë një zëri kritik?
Si mund të jetë e pranueshme që një lajm për një “vdekje”, i përgënjeshtruar nga vetë familja, të qëndrojë ende online në faqen zyrtare të një udhëheqësi shtetëror, pa asnjë ndjesë, pa korrigjim, pa sqarim?
Në një vend normal, bllokimi i një qytetari nga Kryeministri për një opinion nuk do të kalonte pa reagim. Sepse nuk bëhet fjalë për një faqe personale, por për një hapësirë publike, ku qytetari dhe shteti takohen, ose përplasen, siç ndodh në çdo demokraci të shëndetshme.
Kur një kryetar qeverie zgjedh të bllokojë kritikën në vend që të përballet me të, kjo nuk është thjesht një shenjë dobësie personale. Është simptomë e një kulture politike që ka frikë nga fjala, që i shmanget debatit, dhe që preferon të sundojë me “like” dhe “bllok”, në vend të llogaridhënies dhe përballjes së vërtetë.
Në fund të fundit, çështja nuk jam unë. Është mënyra si sillet pushteti ndaj qytetarit që mendon ndryshe.
Për Edi Ramën, dhe për këdo tjetër që ka zgjedhur të udhëheqë, mbetet pezull vetëm një pyetje:
Kur edhe e pavërteta mbahet online me kokëfortësi, çfarë shprese ka për të vërtetën?