Në vitet 1998–1999, Kosova u bë skena e një tragjedie të përmasave historike. Mbi 13,000 shqiptarë të vrarë, mijëra gra të përdhunuara, fshatra të djegura dhe mbi një milion të dëbuar. Por ndërsa dhuna ishte e dokumentuar, përkufizimi juridik mbeti i paqartë: A ishte kjo gjenocid?
Krimet e dokumentuara
Raportet e “Human Rights Watch, Amnesty International” dhe Tribunalit për ish-Jugosllavinë flasin për:
– Masakra si ajo e Reçakut, Mejës, Izbicës.
– Përdhunime sistematike si mjet lufte.
– Deportime masive dhe zhdukje me dhunë.
– Varreza masive të zbuluara brenda dhe jashtë Kosovës. Këto akte përmbushin kriteret për krime kundër njerëzimit dhe spastrim etnik. Por gjenocidi kërkon diçka më shumë: provë të qëllimit për shfarosje.
Në një labirint përkufizimesh
Konventa e OKB-së për Gjenocidin (1948) e përkufizon atë si “akt të kryer me qëllim për të shkatërruar, në tërësi ose pjesërisht, një grup etnik, kombëtar, racor apo fetar”. Kjo kërkon jo vetëm veprime, por edhe qëllim të provuar. Në rastin e Kosovës, gjykatat ndërkombëtare nuk e kanë klasifikuar zyrtarisht si gjenocid, ndonëse shumë akademikë dhe institucione e kanë cilësuar të tillë. Kjo është heshtja juridike që zhbën vuajtjen e viktimave. Nëse Srebrenica e Bosnjës u njoh si gjenocid për shkak të provës së qëllimit, Kosova mbeti në hije. Por a duhet të presim një dokument të nënshkruar për të pranuar një të vërtetë historike?
Spastrimet etnike në Kosovë ishin të strukturuara, të koordinuara dhe të mbështetura nga aparati shtetëror serb. Plani “Patkoi” dhe veprimet në terren flasin për një strategji të shfarosjes së identitetit shqiptar në Kosovë. Të gjithë shqiptarët pa përjashtim duhet të bëjnë thirrje për drejtësi dhe kujtesë.
Për këtë duhet që
– Institucionet shqiptare dhe kosovare të intensifikojnë përpjekjet për njohjen ndërkombëtare të gjenocidit.
– Media të ruajë narrativën historike dhe të sfidojë heshtjen juridike.
– Akademia të dokumentojë, arkivojë dhe edukojë brezat e rinj.
– Publiku të kërkojë drejtësi, jo vetëm për të kaluarën, por për të ardhmen e dinjitetit dhe kujtesës.
/Gazeta Panorama