Berlin, prill 2019
1.
“Nëna e votrës”, një plakë e urtë e flokëbardhë, tjerr kujtime e gazmon jetën. Kështu do të përftyrohej ajo kryehershëm. Në prrallat e bukura me dimër e dëborë.
Mirëpo më vonë, doli t’mos ishte pos një mashtruese e ligë. Zgjohej natën dhe verbonte bijtë e saj.
Kohët e fundit kujtoj shpesh këtë figurë të mitologjisë shqiptare. Është Nëna e Votrës Kombëtare, që, anise e përflakur dashurie e adhurimi, thur fijen përlidhëse mes mitikes e reales. Veçse, ndryshe nga mitikja, kjo hallakatet frikshëm ditën për diell, me një maskë të huaj mbi ftyrë. Dhe, jo vetëm verbon, por vret fëmijët e saj. Ëndrrën e tyre që pret e pret orën e paardhshme.
2.
Në fakt, epitetin dhe vetë statusin e “shtetit amë”, të Nënës së prerë, u mallkuan ta kenë popujt fatzi: ose të copëtuar në udhëkryqet ose të harruar në margjinat e historisë.
Dhimbje që përpin gjakun e jetës është të kesh një Nënë, diku përtej malesh a detesh. Madje, më rëndë akoma, fare pranë dhe të mos gëzosh ngrohtësinë e prehërit të saj.
Ndërkaq, një ngushëllim beh flladitshëm kur ajo vetë lulëzon. Është e gjallë. E vuajtshme e dorëzgjatur për bijtë e saj jetimë…
Por, ç’rreze shprese dërgon Nëna kur dhe fëmijët që mban nën krahët e puplat e saj i fatkeqëson? Ua zë diellin, frymën, ua heq kafshatën e gojës, i gënjen në kandar, i degdisë në humbës, i tretë dhérave të largëta, apo i shtynë n’humnerën tragjike: të urrejnë vetë qenien e saj?
3.
“Malli për të pambërritshmën”, nuk është shuar ende si një klithmë e dikurshme poetike.
Poetit Mekuli i ngryste zemrën “vëllai me sharrë në krah”. Tani ata nuk bredhin më rrugicave pa diell të Belgradit. Po janë sërish të mundur. Fuqinë e trupit, sidomos në veriun e Arbërit, ua shesin tashmë uzurpatorëve të lirisë. Atyre që iu volis mosdija dhe ngatërrojnë kapitalizmin me lirinë.
“Liria punon”, thoshte Bejker në fillimvitet 90-të. Ashtu vërtetë, porse në tokat e shqiptarëve nuk është liria, veç kapitalizmi që punon. Një kapitalizëm i egër. I dhunshëm. Shalon shtetin e pabërë dhe mohon shansin egalitar, barazinë e lirisë në kërkimfatin e jetës.
Të lumnisë që mbetet ende prorë një “mall për të pambërritshmën”!
Komentet